Hysaj, akord për rinovimin. Pritet firma

Napoli dhe Elseid Hysaj kanë arritur në parim një marrëveshje për rinovimin e kontratës. Konfirmimi vjen direkt nga agjenti i mbrojtësit shqiptar, Mario Giuffredi, sipas të cilit, palët janë shumë pranë dhe ajo që mbetet për t’u bërë tashmë është vetëm hedhja e firmës. Në një intervistë dhënë për radiot lokale, përfaqësuesi i lojtarit të lindur në Shkodër, thekson: “Kemi arritur një marrëveshje për rinovimin dhe tashmë presim vetëm firmën. Duam që kjo gjë të finalizohet përpara ndeshjes me Milanin. Në kontratë do të jetë edhe një klauzolë që do ta bëjë të ditur vetë klubi”, thekson agjenti italian. Termat e kontratës së re që do ta lidhë mbrojtësin shqiptar me skuadrën e kaltër nuk janë bërë të ditur ende, por para e tij do të rritet ndjeshëm krahasuar me atë çka përfundoi në sezonin e shkuar, pasi Hysaj arriti të fitonte besimin e trajnerit Sarri, duke i rrëmbyer vendin e titullarit mbrojtësit italian Maggio. Konkurrenca dhe numri i lartë i ofertave në merkaton e verës e detyruan klubin italian të ulej në bisedime për rishikimin e kontratës së lojtarit që në këtë mënyrë hedh poshtë çdo mundësi për largimin nga qyteti i Italisë Jugore.