Granit Xhaka mesazh për Taulantin

Gjatë Euro 2016 Taulant dhe Granit Xhaka u shndërruan në fenomenë mediatikë globalë. Dy vëllezër përballë njëri-tjetrit si kundërshtarë. Taulanti që mbronte ngjyrat kuqezi të Shqipërisë, ndërsa Graniti që luan me Zvicrën. Një duel i tillë brenda familjes nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë e Kampionatit Europian.
Tashmë situata përsëritet. Shorti i Champions vendosi që Arsenali i Granitit dhe Baseli i Taulantit të luajnë në Grupin A. Dhe si përpara Europianit, ku prej distancës së gjatë nuk ngurronin t’i dërgonin mesazhe virtuale njëri-tjetrit, mesfushori i transferuar për afro 45 milionë euro te “Topçinjtë” kishte një dedikim për shortin.
“Çfarë duhet të them pas shortit të Champions? Pasi luajta kundër gjakut tim, Taulant Xhaka në Euro 2016, sipas gjasave do të përballemi sërish në Champions”, shkruante në faqen zyrtare 23-vjeçari. Graniti nënvijëzoi se “kjo përballje bëhet edhe më speciale prej faktit se sfida do të luhet në Basel ndaj ish-skuadrës time. Por, shpresoj që të dy si vëllezër të kualifikohemi në raundin e 1/16-e”.
Dueli i parë ndërmjet dy vëllezërve Xhaka do të zhvillohet më 28 shtator në Londër, ndërsa sfida e kthimit është parashikuar më 6 dhjetor në Basel.
Një tjetër sfidë brenda familjes, ku ndryshe nga ajo në Europian, përveç përballjes ndërmjet tyre Graniti dhe Taulanti do të provojnë të thyejnë hegjemoninë e Paris Saint Germain, që cilësohet skuadra favorite për ta fituar grupin.