Gjimshiti drejt huazimit, mes Crotones dhe Avellinos

Berat Gjimshiti po mendon largimin nga Atalanta. Mbrojtësi kuqezi vazhdon të vuajë mungesën e hapësirave në skuadër dhe situata nuk ka ndryshuar prej largimit të Edy Reja-s dhe emërimit të teknikut të ri, Gian Piero Gasperini. Për 23-vjeçarin interesohet Crotone, që synon të përforcohet për sezonin e parë historik në Serinë A italiane. Klubi kalabrez bëri të ditur se drejtori sportiv, Ursino i ka paraqitur një ofertë konkrete Atalantës.
Bergamaskët po shqyrtojnë ofertën dhe së shpejti pritet të japin një përgjigje konkrete. Në garë për Gjimshitin është edhe Avellino në Serinë B, që synon ta afrojë mbrojtësin e qendrës në formë huazimi.
Megjithatë Crotone mbetet pista e preferuar, si për lojtarin që do të qëndronte në elitën e futbollit italian, ashtu edhe për klubin e Atalantës, që do të preferonte ta shiste kuqeziun, për të vazhduar investimet në merkato. Për të mësuar të ardhmen e Berat Gjimshitit duhen pritur edhe disa orë, ndërsa edhe vetë lojtari është i bindur se duhet të ndryshojë ambient.
Synimi është gjetja e një skuadre të re, që do t’i garantonte vazhdimësi në aktivizim, me objektivin që mbrojtësi të jetë në formë optimale edhe për të luajtur një rol protagonisti në kombëtaren shqiptare, në kualifikueset e Botërorit 2018.