“Fenomeni” rikthehet tek Real Madrid

Ronaldo Nazario rikthehet tek Real Madrid. Braziliani rikthehet në Madrid për të qenë një këshilltar i Florentino Perez dhe një ambasador i entitetit madrilen nëpër botë. Do të jenë ditët e para të shtatorit kur ai që ishte sulmuesi qendror i ekipit madrilen të rikthehet në klub, ashtu siç është potencuar dhe raportuar disa herë nëpër media.
Dëshira për t’u rikthyer në krye të klubit në mënyrë që të ndihmojë klubin në një aspekt më universal, kanë qenë arsye të mjaftueshme për Florentino Perez dhe ai do të rikthehet për të dhënë kontributin e tij, ashtu siç ndodhi 14 vite më parë, kur më 31 gusht Real Madridi nënshkroi me sulmuesin nga Interi.
Ideja e rikthimit të fenomenit në entitetin madrilen nuk është diçka e re. Presidenti dhe ish-lojtari veçse bashkëpunonin për disa vite me radhë, si për shembull fillimisht në Botërorin në Brazil dhe më pas lojërat olimpike në Rio që sapo përfunduan. E gjithë kjo indikonte në rikthimin e tij në Real Madrid, klub në të cilin qëndroi për 5 sezone.
Ronaldo fitoi këpucën e artë 2 herë duke qenë i zgjedhur po ashtu edhe lojtari më i mirë në botë në vitet 1996, 1997 dhe 2002, dhe po të mos ishin problemet e vazhdueshme në gju, ai do të vazhdonte të ishte lojtari më i mirë në botë edhe për disa vite të tjera.
Ai filloi karrierën profesionale në vitin 1993 në Cruzeiro, për ta përfunduar më pas në vitin 2011 duke mbajtur veshur fanellën e Corinthians. PSV, Barcelona, Inter, Real Madrid dhe Milan ishin ekipet e tij, dhe mes të tjerash, kombëtarja e Brazilit, me të cilën ai ishte dy herë kampion bote dhe finalist në një tjetër, duke luajtur 113 ndeshje dhe duke shënuar 73 gola.
Me ekipin madrilen luajti 177 ndeshje dhe shënoi 104 gola. Që nga largimi i tij nga “Bernabeu”, ai nuk e harroi asnjëherë ndjenjën madrilene dhe tani këtë e dëshmon përpara botës me rikthimin në entitet duke bërë ambasadorin e klubit dhe këshilltarin e presidentit.
Ndërkohë Gareth Bale ka thënë se kurrë në jetë nuk ka pasur një vit më të mirë se 2016-ta, pas sukseseve që ka pasur si me kombëtaren e tij në “Euro 2016”, dhe me Real Madridin. “[2016] ka qenë një sezon i gjatë dhe i vështirë, por kemi luftuar fort dhe kemi fituar atë që kemi dashur ta fitojmë”, tha Bale. “Për mua ky ka qenë një sezon i mrekullueshëm dhe jo vetëm me Real Madridin. Kam pasur një turne madhështor në Euro [2016], prandaj kurrë s’do ta harroj këtë vit”, tha Bale.