Dy kunetër dhe Ina, kandidatë për në Straburg

Dy kunetër në qeveri dhe një shërbyese e devotshme si Ina Rama janë përzgjedhur deri tani si më të perferuarit e Ramës për të qenë zëri i tij në Gjykatën e Strasburgut. Kunati i parë që është ndër më të përfolurit se mund të shkojë drejt Gjykatës së të Drejtave të Njeriut është ai i Sokol Berberit, i cili rezulton të jetë edhe kunati i Kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafa.
Berberi ishte piketuar nga Rama për të qenë në krye të një prej institucioneve më të rëndësishëm të drejtësisë pas miratimit të reformës, për ndryshimet dhe specifikimet e vendosura nga opozita e përjashtojnë tani që Berberi të jetë në një nga këto institucione. Rama ka menduar që ta shpërblejë kunatin e Xhafës, duke i vendosur emrin si një ndër kandidatët më të preferuar për në Gjykatën e Strasburgut. Mirëpo, Berberi e ka një problem jo të vogël. Duke qenë kunati i Fatmir Xhafës është në të njëjtën kohë edhe krushqi me të kërkuarin ndërkombëtar për trafik droge, Agron Xhafa, që është vëllai i Fatmir Xhafës. A mund të jetë në kriteret e Strasburgut një kandidat me lidhje familjare me një të kërkuar ndërkombëtar droge? Kjo mbetet për t’u parë gjatë ditëve të ardhshme.
Kunati i dytë është në qeveri që synon të jetë anëtar i Gjykatës së Strasburgut është ai i Mrikës, ministres së Mbrojtjes. Kunati i Mrikës, Gent Ibrahimi ka besimin e plotë të Ramës, pasi ai ishte më i keqpërdoruri edhe në pozicionin e ekspertit të qeverisë në Komisionin e Reformës në Drejtësi. Megjithëse dështoi të implementonte në ligj kërkesat e ofruara nga shefi në krye të qeverisë, Rama ka menduar që ta shpërblejë duke e vendosur si kandidat të mundshëm, për në Strasburg. Ajo që e dëmton Ibrahimin është keqpërdorimi i shpeshtë i tij politik nga Rama. A mund të pranohet në Gjykatën e Strasburgut një kunat i qeverisë që urdhërohet nga Rama për vendimet që mund të marrë. Edhe kjo është një pikëpyetje tjetër që pritet të marrë përgjigje në ditët e ardhshme.
Kandidatura e tretë që ka dalë në skenë është ajo e Ina Ramës. Ish-Kryeprokurorja i ka bërë një shërbim të madh Ramës. Ajo ishte pjesë e tentativës për grusht shteti në 21 janarin e vitit 2011, duke devijuar hetimet dhe duke mos penalizuar për asnjë moment të vetëm sulmuesit ndaj Kryeministrisë. Ina po ashtu është e preferuara e Ramës, pasi i ka mbyllur pjesën më të madhe të dosjeve korruptive në Bashkinë e Tiranës. Gjatë kohës që ishte në krye të Prokurorisë ishte vështirë që të kuptoje se ku mbaronte PS dhe ku fillonte institucioni i akuzës. A mundet një kamikaze e tillë politike të jetë një kandidaturë e duhur për Gjykatën e Strasburgut? Kjo pyetje do të marrë përgjigje gjatë ditëve të ardhshme, por ajo që konstatohet nga tre të preferuarit e Ramës për në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut është se ata janë tre kamikazë politikë që po kërkohet të dërgohen atje për të bërë të njëjtën gjë që kanë bërë gjatë kohës që kanë qenë në Tiranë, pra të keqpërdoren politikisht nga Rama për vendimet kryesisht në dëm të pronarëve.
Zgjedhja do të bëhet me votim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në tetor të këtij viti. Pasi Këshilli i Europës i kërkoi qeverisë shqiptare paraqitjen e listës me tre kadidatura, u bë edhe thirrja për aplikim, të cilës iu përgjigjen 11 emra. Komisioni përzgjedhës përbëhet nga Luan Omari, Kristaq Traja, Bashkim Dedja, Artan Hoxha dhe Artur Metani.
Komisioni përzgjedhës thirri kandidatët në një fazë të dytë dhe vetëm 6 prej tyre janë paraqitur. Për shkak të hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, komisioni, veç kërkesave të legjislacionit aktual, u kërkoi kandidatëve që vazhduan garën edhe vërtetimin e dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit për garantimin e integritetit, si dhe kërkoi nga ILDKPKI-së informacion mbi verifikimin e deklarimit të pasurisë.
Në përfundim nuk u skualifikua asnjë nga kandidatët, por për arsye ligjore Komisioni Ad-Hoc propozoi listën me tre kandidatë, Sokol Berberi, Gent Ibrahimi dhe Ina Rama. Në fazën e parë dhe të dytë kishte shprehur interes dhe kishte aplikuar për këtë post edhe zoti Xhezair Zaganjori, aktualisht kryetar i Gjykatës së Lartë. Ai ka kërkuar të lerë detyrën, duke u përzgjedhur anëtar i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Përplasje Xhafa-Kodheli për kunetërit

Tre kandidaturat që ka përzgjedhur Kryeministri Rama për Gjykatën e Strasburgut (Ina Ramën, Sokol Berberin dhe Gent Ibrahimin), kanë krijuar një përplasje të fortë ndërmjet Mimi Kodhelit dhe Fatmir Xhafës.
Njëri nga kunatët do të përzgjidhet, jo të dy. Një nga këta duhet të votohet nga Asamblea e Këshillit të Europës. Por sipas kritereve të KE, Ina Rama rrëzohet automatikisht (ka një kriter që kandidati nuk duhet të ketë qenë në listën rezervë të gjyqtarëve në vitin paraardhës, pasi çdo vit qeveria çon një listë rezervë me gjyqtarë për të zëvendësuar gjyqtarin zyrtar në çështje që mund të ketë konflikt interesi.
Sokol Berberi ka qenë tek lista rezervë e para dy viteve, por këtë vit e kanë hequr me qëllim me sa duket për t’i paraprirë këtij propozimi). Kështu që Ina Rama, bie dhe mbetet për t’u votuar ose Sokol Berberi (kunati i Fatmir Xhafës) ose Gent Ibrahimi (kunati i Mimi Kodhelit).