Drogë me motorë uji nga Shqipëria drejt Italisë, kapen 214 kg në Bari

Trafiku i drogës drejt Italisë po kryhet edhe me motorë uji. Sipas mediave italiane, në brigjet e Santa Cataldo të Leçes u kapën 214 kg marijuanë, me vlerë 2 milionë euro, ndërsa në pranga ka rënë korrieri i drogës, një shtetas shqiptar. Gjatë ndjekjes në det, njëri prej trafikantëve hodhi drogën dhe mbërriti në breg duke përfituar edhe nga errësira. Kërkimet për gjetjen e tij vazhdojnë ende. Ndërsa shqiptari i dytë u ndalua nga autoritetet italiane. Sipas policisë italiane, ai është një 37-vjeçar nga Vlora me inicialet, T.L. Mediat lokale thonë se trafikantët ishin nisur nga Vlora në drejtim të Itali me motora uji për të transportuar marijuanën.
Mediat italiane shkruajnë se operacioni u realizua nga Departamenti Ushtarak i Aviacionit Detar në bashkëpunim me Guardia di Finanzia të Barit. Forcat policore u vunë mbrëmjen e të dielës në ndjekjen e 2 motorëve të fuqishëm që po lundronin në det. Në bordin e tyre ishte dhe ngarkesa e drogës, tashmë e sekuestruar nga policia italiane.
Trafiku i drogës nuk ndalet drejt Italisë. Ai vijon për çdo ditë nën hundën e policisë shqiptare me të gjitha mjetet, me kamionë, me gomone, me avionë, po së fundmi edhe motorë uji. Ky trafik bëhet në bashkëpunim me policinë, ndërsa në mjaft raste droga është bllokuar në brigjet italiane.

Operacioni
Pak para agimit, dy motorë ujit të fuqishëm janë zbuluar nga rojet bregdetare të Barit, koordinuar me Grupin Detar Ajror të Tarantos. Sipas mediave italiane, të dy motorët e shpejtë të ujit u kapën pak milje nga bregu me një helikopter të verdhë që patrullonin në shtrirje të detit. Dy mjetet të favorizuara nga errësira dhe kushtet e mira të detit, mendohet se kanë prekur tokën për të ofruar mallra të drogës. Pasi janë vërejtur në det dy mjetet lundruese, anije të shpejta të patrullimit të Guardia di Finanzas janë vënë në ndjekje të tyre.
Për t’i shpëtuar ndjekjes, trafikantët e njërit motor e kanë hedhur drogën në det. Gjysma tjetër, duke pasur parasysh afërsinë e bregdetit dhe avantazhin e fituar, preku në fshatin Frigole dhe trafikanti arriti të ikë në drejtim të paditur, për shkak të errësirës. Ndërkohë patrullat italiane janë vënë në kërkim të tij dhe po vijojnë kërkimet për ta kapur.
Forcat e policisë italiane kanë sekuestruar dy automjete, si dhe 214 kg marijuanë. Policia italiane bëri të ditur se nëse do të dilte në treg droga kushtonte 2 milionë euro. Në pranga ka përfunduar shtetasi shqiptar T.L., nga Vlora. Ai u arrestua në flagrancë për posedim dhe trafikim të drogës, si dhe për shkelje të kodit të lundrimit dhe sigurisë në det.
Policia italiane bëri të ditur se po hetohet për të identifikuar bartësit e drogës në Itali dhe kanalet e furnizimit në Shqipëri. Autoritetet italiane bëjnë të ditur se trafikantët kanë gjetur një mënyrë të re të trafikimit të drogës nga Shqipëria, atë me motorë uji që kanë një shpejtësi shumë të madhe në det.
Policia italiane bëri të ditur se ky është rasti i katërt i konfiskimit më të madh të drogës në det në Bari dhe Pulia në më pak se një muaj. Pak ditë më parë u konfiskua rreth 2 ton kanabis të mbërritur në brigjet italiane me gomone nga Shqipëria ku u vunë në pranga katër skafistë shqiptarë.

Antimafia kërkon hetime në Shqipëri
Antimafia italiane kërkon ndihmë nga Prokuroria shqiptare për të identifikuar pronarët dhe bashkëpunëtorët e 5 skafistëve të arrestuar në brigjet e Ankonës me rreth 2 ton hashash, e cila u sekuestrua bashkë me gomonen mëngjesin e datës 13 gusht.
Bëhet e ditur se Interforca italiane, ka dorëzuar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda një dosje voluminoze dhe disa CD-i me përgjime, të kryera nga Prokuroria e Ankonës ndaj disa personave, të dyshuar si pjesë e një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës. Burimet thonë se antimafia italiane kërkon identifikimin e përdoruesve të disa numrave të telefonit, zbardhjen e identitetit të disa individëve, pseudonimet e të cilëve janë zbardhur gjatë bisedave telefonike, si dhe emrat e 5 të arrestuarve në momentin që po shkarkonin drogën nga skafi, duke kërkuar zbardhjen e bashkëpunëtorëve të ngushtë të tyre në Shqipëri.
Në dosje, autoritetet italiane thonë se 2 nga 5 të arrestuarit në momentin e ndërhyrjes së policisë kanë hedhur në det aparatet telefonikë, të cilët janë gjetur dhe po punohet për zbardhjen e mesazheve dhe bisedave që janë kryer. Ndërsa tri personave të tjerë, i janë sekuestruar aparatet celularë ku kishin të aktivizuar numrat shqiptarë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk jep emrat e personave të arrestuar në Itali pasi po punohet për të zbuluar dhe arrestuar bashkëpunëtorët e tyre në Shqipëri. Sipas dosjes italiane, në orët e para të mëngjesit të datës 13 gusht, rojet bregdetare kanë pikasur një gomone që po i afrohej brigjeve italiane, duke identifikuar edhe vendin ku do të ankorohej për shkarkim.
Në bazë të këtyre informacioneve, policia ka rrethuar zonën në Komunën e Fanos në provincën e Pesaros, ku edhe identifikuan vendin ku ishte nisur gomonia për shkarkimin e mallit. 3 shtetas shqiptarë po prisnin nën urën hekurudhore në atë zonë pranë bregut, ndërsa skafi me dy skafistët është afruar në breg, ku edhe pas rrethimit nga policia u kapën duke shkarkuar rreth 2 ton hashash që kishte kaluar nga Shqipëria drejt Italisë nga kanali i Otrantos.
R.POLISI