“Dosja III” e drogës në Polici

498

Nënkryetari i PD, Paloka denoncoi aferat e drejtuesve të lartë të policisë dhe në një rast edhe të një drejtuesi të Shërbimit Informativ me trafikantët e drogës në zona të ndryshme të vendit. Prej tre ditësh, PD vijon denoncimin e drejtuesve të lartë të policisë të përfshirë në trafikun e drogës. Rama ka heshtur ndaj këtyre denoncimeve dhe kjo për PD është shenjë e qartë se ai qëndron pas këtij biznesi kriminal që është shtrirë në të gjithë vendin.
“Megjithë faktet tronditëse për përfshirjen e drejtuesve të tij në Policinë e Shtetit, në mbjelljen, rritjen, ruajtjen dhe trafikimin e drogës në gjithë vendin, Edi Rama hesht. Hesht sepse i madh e i vogël e dinë se ai gjendet në krye të këtij biznesi kriminal, në krye të skemës së 30 për qindëshit për çdo rrënjë kanabis”, tha Paloka.
Nënkryetari i PD tha se informacionet që po bëhen publike vijnë nga shërbimet partnere dhe shërbimet inteligjente të vendit.

200 mijë rrënjë kanabis në Shish-Tufinë

Ish-shefi i Komisariatit Nr. 4 në Tiranë, Fatmir Lleshi është transferuar drejtor në Berat, ku të dhënat tregojnë se ky qark ka numrin më të madh të rrënjëve të kanabisit në gjithë vendin.
Të dhënat flasin se drejtori i SHISH në këtë zonë është paguar me 270 mijë euro që të mos raportojë parcelat me drogë.
Dritan Lena, që me Edi Ramën u bë drejtor i Policisë së Qarkut Lezhë, u hetua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, kur ishte shef i Krimeve tek Komisariati Nr. 4 dhe rezultoi se kishte marrë shuma parash nga një grup trafikantësh të drogës që kishin tri parcela hashashi në zonën e Zall Bastarrit.
Në Tiranë është mbuluar me kanabis e “Çara e Selitës”, përballë “Qaf Mollës” – “Mali Dajt”. Pranë varrezave të Shish Tufinës është hapur sipërfaqe me 60 dynymë për drogë, ku janë prerë pishat e larta. Merret dhe uji i pijshëm i Selitës për të vaditur kanabisin. Fshatarët janë mashtruar dhe trafikantët kanë ngritur stalla gjoja për blegtori, po në fakt mbi 60 punëtorë merren me bimët narkotike. Raportohen 150 mijë deri në 200 mijë rrënjë.
Në liqenin e “Kollogjesht” – “mali Dajt” – në kufi me Elbasanin dhe Librazhdin, janë liruar zona të mëdhaja me fadroma, për kanabis. Ruhen me njerëz të armatosur.
Në “Zallbastar” dhe “Zgurë”, Alban Ahmetaj, ish-drejtor i Forcave Operacionale, ka në zotërim parcela të tëra që ruhen nga një ish-agjent krimesh, Hysni Mancaku.
Në Ersekë, ka mbi 80.000 rrënjë të mbjella në zonat Starje, Rehovë dhe Leskovik. Shefi i Komisariatit Ersekë, Robert Ibraimi, shefi i Komisariatit Devoll, Erjon Birçe, shefi i Komisaritit Maliq, Arian Hoxha, drejtori i Kufirit Korçë, Dashamir Spaho, të gjithë në shërbim të drogës me në krye drejtorin e Policisë, Ajet Zyberi.

Avionë droge në Luginën e Vjosës

Në zonën e Selcës në Tepelenë, janë mbjellë sasi të mëdha me kanabis. Përgjatë grykës së lumit Vjosë, prej gati 3 muajsh ulen avionë të vegjël dhe ngarkohen me drogë.
Fshati Bubës 1 – Përmet,  Bubës 2- Këlcyrë – Ballaban, janë mbuluar me kanabis. Në Kolonjë, në fshatin Piskal, janë mbjellë sasi të mëdha droge. Specialisti i SHKB-së, Robert Haskaj, administron sipërfaqe të tëra me lëndë narkotike në fshatin Amonic. Robert Haskaj ka mbrojtjen e drejtorit të SHÇBA, Arben Skendo.
Kështu ka përfunduar Shqipëria, e zhytur në drogë. Edi Rama ka braktisur qeverisjen dhe interesat e qytetarëve.
Ai është në detyrë me krimin dhe për krimin. Por droga dhe bandat e trafikantëve të Edi Ramës që kanë rrethuar çdo fshat e çdo qytet, nuk janë zgjedhja e shqiptarëve. Shqiptarët nuk e duan këtë sundim mafioz dhe do ta rrëzojnë shumë shpejt. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.