Dibra braktis Ramën, kush janë kriminelët që e rrethojnë

Rama është rikthyer dje në vendin e krimit të vrimës për të prezantuar si kandidat të ri për Bashkinë e Dibrës, Shukriun e radhës. Mbërritja e Ramës është shoqëruar me indiferencën totale të dibranëve. Ndërsa kalonte rrugës, Rama është shpërfillur në mënyrë poshtëruese nga dibranët. Askush prej tyre nuk ka denjuar që të shkojë dhe t’i japë dorën dhe të paktë madje kanë qenë ata që kanë kthyer edhe kokën për ta begenisur. Fotot rreth këtij udhëtimi të vetmuar nga vendi ku e ka lënë makina deri në pallatin e sportit ishin tregues i qartë i kësaj braktisjeje që dibranët i kanë rezervuar Ramës në këtë prezantim.
Ajo që ka rënë në sy ka qenë edhe një detaj tjetër. Rama ka shkuar në Dibër për të prezantuar një kandidat, të cilin ai e quan si pjesë të koalicionit qeverisës me LSI, por në fakt në krah të Ramës nuk ka qenë kreu i LSI, Meta. Në krah të tij ka qenë Luan Rama, një deputet dibran, i cili njihet si një nga zërat më kritikë të Ramës brenda LSI dhe ndër më kritikët me disa prej ministrave socialistë. Mospjesëmarrja e Metës dje në krah të Ramës ishte një tjetër shenjë se koalicioni në Dibër nuk funksinon më ashtu si në zgjedhjet e vitit 2013.
Pjesëmarrja në një nivel të ulët e LSI në prezantimin e kandidatit të Ramës në Dibër ka ardhur si rrjedhojë e një zgjedhjeje që ka bërë Rama për këtë fushatë. Rama ia ka besuar fushatën në këtë qytet një prej eksponentëve të PDIU për të cilin ka legjenda të ndryshme në këtë zonë. Afrimi i PDIU dhe largimi i LSI është një tjetër sinjal që Rama po jep në këtë moment për koalicionin qeverisës. Një sfidë kryesisht ndaj aleatit të tij kryesor, Meta se ai mund të fitojë edhe pa Metën zgjedhjet në Dibër dhe ky do të ishte një tregues për më tej.

Dibranët të zhgënjyer

Braktisja që dibranët i kanë ofruar Ramës në fakt ka provuar se dibranët janë të zhgënjyer me politikat e kreut të qeverisë. Kur kanë kaluar tri vite nga mandati në krye të qeverisë, Rama i ka gënjyer dibranët, i ka gënjyer për Rrugën e Arbrit, sepse ndërtimin e kësaj rruge nuk e ka parë kurrë si një mundësi zhvillimi për Dibrën dhe rajonin, por si një mundësi biznesi për veten dhe klientelën e tij ndaj dhe ka dështuar. Rama i ka gënjyer dibranët edhe për zgjedhjen në krye të Bashkisë të Shukri Xhelilit. Njeriu që e promovoi vetëm një vit më parë se do të ndryshonte fytyrën e qytetit në fakt i mori fytyrën krejt Dibrës dhe dibranëve duke u kapur në flagrancë në një aferë të turpshme seksi në këmbim të shitjes së vendit të punës. Rama po ashtu e ka lënë zonën e Dibrës në një harresë totale duke mos ofruar asnjë projekt zhvillimi. E vetmja punë nisi dje me shkepjen e sheshit kryesor të qytetit duke bërë një show në këtë moment të fushatës elektorale. Konstatimi i zhgënjimit të dibranëve ishte edhe arsyeja se përse Rama kundërshtoi zhvillimin e zgjedhjeve në bazë të afateve kohore të duhura më 11 shtator. Ai kërkonte më shumë kohë për më shumë show, gjë që nuk ndodhi.