De Biasi s’ka frikë

“Nuk kemi frikë nga askush. Do të luajmë ashtu si dimë. Italia dhe Spanja janë të paralajmëruara, nuk do ta kenë të lehtë kundër Shqipërisë”. Ky është mesazhi i Gianni de Biasit kur kanë mbetur edhe pak ditë nga starti i kualifikueseve të Botërorit “Rusi 2018”. Por, ndërsa Shqipëria do të nisë përgatitjet për ndeshjen e parë të Grupit G, më 5 shtator në “Loro Boriçi” kundër Maqedonisë, drejtuesi i stolit kuqezi bëri një hap mbrapa, duke analizuar aventurën në finalet e Kampionatit Europian. “Ne në grup kemi Spanjën dhe Italinë, por nuk duhet të nënvlerësojmë as Izraelin. Ne duhet të përgatitemi mirë që të kapin njërën nga dy pozitat e para”, tha De Biasi për “Fotball-magazine”.
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni de Biasi ka thënë se skuadra e tij do të luftojë për dy pozitat e para në grup. Ai e ka pranuar se do ta ketë të vështirë kundër Spanjës dhe Italisë, por tha se ata do të shkojnë për dy pozitat e para. “Në një turne si Europiani, fituesi e meriton gjithmonë trofeun, pavarësisht se Portugalia nuk bindi me lojën e paraqitur. Shqipëria grumbulloi aq pikë sa edhe portugezët në grup, por për fat të keq nuk arritëm të kualifikoheshim. Jeta nuk na jep mundësinë të kthehemi mbrapa në kohë, megjithatë mendoj se bëra zgjedhjet e duhura. Nuk shfrytëzuam ndonjë mundësi apo pësuam gola që mund të evitoheshin, gjithsesi mund të jemi të lumtur për atë që realizuam”, u shpreh trajneri i kombëtares tonë.
Shqipëria është gati për aventurën e re drejt Kupës së Botës, në një grup mjaft të vështirë, ku përveç debutimit me Maqedoninë, do të luajë ndaj dy gjigantëve botërorë si Spanja dhe Italia, por edhe me Izraelin e Lihtenshtejnin.
“Nuk ka dyshim që ky do të jetë një grup tejet i vështirë. Por, nuk do të trembemi dhe do të luajmë ashtu si kemi bërë gjithmonë, duke dhënë më të mirën tonë, pa harruar karakteristikat që na ndihmuan të luanim në Francë. Do të jemi të përulur, por të bindur te kualiteti ynë dhe të vetëdijshëm se mund të luajmë si të barabartë ndaj të gjithëve”, tha De Biazi.
Ndërkohë, Amir Abrashi ka treguar në një intervistë për “Badische Zeitung” se çfarë ka mësuar nga pjesëmarrja në Euro 2016 dhe se tashmë ishte i ndërgjegjshëm se mund të luante si i barabartë ndaj çdo kundërshtari, pavarësisht vlerës së kartonit. Futbollisti ka zbuluar se dëshironte si kujtim fanellën e Antuan Grizman, pas ndeshjes ndaj Francës, por kishte përfunduar me atë të Paje, pasi ylli francez i Atletiko Madrid e kishte refuzuar mesfushorin kuqezi. “Ne kishim qendrën tonë në një qytezë të vogël në Bretanjë. Për arsye sigurie, gjithçka ishte e mbyllur. Ne pamë vetëm hotelin, fushën stërvitore dhe stadiumet nga brenda. Ndërsa ndeshjet e tjera i shikuam në TV”, tha Abrashi.