“Dc Leaks”: Soros arkitekti i çdo grushti shteti

“Dc Leaks” ka publikuar një “dosje të nxehtë” që ka të bëjë me miliarderin filantrop George Soros. Qindra e-mail-e të vjedhura prej organizatës së tij “Fondacioni për një Shoqëri të Hapur” janë bërë publike. Në to duket qartë se si ai lëviz levat në Washington duke i bërë SHBA-të të mos duken në sytë e botës si “një far ndriçues i demokracisë”. Mes e-mail-eve të hacker-uara dhe të bëra publike janë ato për zgjedhjet europiane të vitit 2014, por edhe ato për vende të veçanta. Aty shihen fashikuj për financimet të organizatave joqeveritare të të gjithë botës. Dhe të mendosh që janë vetëm një pjesë e dokumenteve të vjedhura nga “Fondacioni për një Shoqëri të Hapur” të George Soros. Pak ditë më parë Bloomberg raportoi se ishin thyer edhe serverat e Partisë Demokrate duke lajmëruar se ishin vjedhur edhe e-mail-et e biznesmenit në fjalë. Tashmë “Dc Leaks” ka happur një portal soros.dcleaks.com të dedikuar vetëm për dokumentet e vjedhura nga manjati amerikan. Aty ndodhen 9 kategori: SHBA, Euroazia, Azia, Amerika Latine, Banka Botërore, Zyra e Presidentit, Souk ku mund të gjesh mijëra dokumente që shkarkohen lehtësisht në PDF.
Brenda ka pak nga të gjitha. Komente mbi zgjedhjet në gjysmën e vendeve të botës, raportet mes liderëve të vendeve europiane dhe bilance apo parashikime amerikane. Gjenden dosier për krizën Ruso-Ukrainase. “Lapsi.al” është duke i kontrolluar këto dosje dhe do të sjellë në ditët në vijim edhe ato që fliten për Shqipërinë.
Në hyrje është një shpjegim që tregon arsyen e publikimit të këtyre dokumenteve.
“George Soros është një manjat hungarezo-amerikan, investitor, filantrop, aktivist politik dhe autor me origjinë hebraike. Ai drejton më shumë se 50 fondacione botërore dhe rajonale. Është konsideruar arkitekt i çdo grushti shteti në të gjithë botën në 25 vitet e fundit. Për shkak të buratinëve të tij SHBA janë konsideruar një rrodhe dhe jo një far i lirisë dhe demokracisë. Shërbyesit e tij i kanë thithur gjakun miliona e miliona personave vetëm për ta bërë atë të pasurohet më shumë. Soros është një oligark që financon Partinë Demokrate të SHBA, Hillary Clinton, qindra burra të politikës në gjithë botën. Kjo faqe është hapur për t’i lejuar kujtdo që të shohë më qartë atë që ndodh në fondacionin e Soros dhe lidhjet e tij. Po ju prezantojmë planin e punës, strategjitë dhe prioritetet e aktiviteteve të tjera të Soros. Këto dokumente do të hedhin dritë mbi një njeri që ka influencë në të gjithë botën”, thuhet në hyrje të dokumenteve të publikuara.

Dora e George Sorosit është kudo ku ka trazira

E-mail-e të dala kohët e fundit, si dhe dosje të tjera të rrjetit të organizatave të miliarderit George Soros, po hedhin dritë mbi influencën e tij të madhe, në çështje politike dhe diplomatike.
Një seri e-mail-esh nxjerr se titani i Wall Street-it i shkruajti personalisht sekretares së Shtetit të asaj kohe, Hillary Clinton, duke i bërë thirrje për të ndërhyrë në trazirat politike në Shqipëri. Brenda pak ditësh, i dërguari që ai rekomandoi shkoi në rajon.
Të tjerë e-mail-e duket se tregojnë që Sorosi ka përdorur miliardat e tij për të çuar përpara një axhendë kundër Izraelit, ndërkohë që të tjerë dokumente tregojnë financimin prej Sorosit të organizatave të ndryshme, të cilat kishin lidhje me trazirat e vitit 2014 në Ferguson, Missouri.
Zbulimet burojnë kryesisht prej vjedhjes së e-mail-eve kohët e fundit, nga ana e një grupi që quhet DC Leaks – i cili vetëpërshkruhet si “hacktivistë amerikanë, që respektojnë dhe vlerësojnë lirinë e shprehjes, të drejtat e njeriut dhe parimin e qeverisjes për popullin”.
Dosjet elektronike – 2576 të tilla, nga 2008 deri më 2016 – u nxorën të shtunën e kaluar, për të ofruar një pamje më të qartë mbi operacionet politike të Sorosit.
Në një e-mail të 23 janarit 2011, këshilltari i Sorosit, Jonas Rolett i dërgoi Richard Vermas, atëherë ndihmëssekretar Shteti për Çështjet Ligjore, një letër “për Hilarinë”, në lidhje me situatën në Shqipëri. Në atë kohë, vendi po përjetonte një përshkallëzim të destabilitetit politik, si dhe të dhunës, shkaktuar prej akuzave për korrupsion e që përfshinin Kryeministrin.
E-mail-i i Sorosit ofronte udhëzime se cili duhet të ishte reagimi i Amerikës dhe ai i ofroi Clintonit emrat e tri ndërmjetësve të mundshëm, që mund të ofronin analizë për krizën. “Unë besoj se dy gjëra duhet të bëhen me urgjencë: 1. E gjithë pesha e komunitetit ndërkombëtar duhet të përdoret mbi Kryeministrin Berisha dhe udhëheqësin e opozitës, Edi Rama, që të ndalin demonstrimet e mëtejshme publike, si dhe të ulin tonet e deklaratave publike. 2. Të caktohet një zyrtar i lartë europian si ndërmjetës”, thuhet në letër.
Ai sugjeroi tre ndërmjetës, duke përfshirë Miroslav Lajçakun, duke thënë se “të tre… kanë lidhje të forta me Ballkanin”. Më tej, ai shtonte: “Fondacioni im në Tiranë po e monitoron nga afër situatën dhe mund të ofrojë analizë të pavarur mbi krizën”.
Në fund, Lajçak u dërgua nga Bashkimi Europian për t’u takuar me udhëheqësit shqiptarë në Tirana dhe punoi drejt dhënies fund të trazirave atje. Është e paqartë nga e-mail-et, nëse Departamenti i Shtetit i kish përcjellë e-mail-et me rekomandime të Sorosit, drejt BE-së.
Në një tjetër dokument, Fondacioni për një Shoqëri të Hapur i miliarderit përpiqej të vinte theksin në atë që përshkruhet si “politikat raciste dhe antidemokratike të Izraelit”, pjesërisht duke vënë në dyshim “reputacionin e Izraelit si demokraci”.
“Jerusalem Post” shkruan se grupi ka dhënë 10 milionë dollarë që nga viti 2001 për organizata që promovojnë të drejtat e arabo-izraelitëve, duke u fokusuar në kundërvënien ndaj masave kufizuese të Izraelit.
Ndërkohë, e përditshmja “The Washington Times” raporton se ndihma financiare e Sorosit mbështeti grupe që nxitën protestat e 2014 në Ferguson. Sipas dokumenteve të taksimit, Sorosi shpenzoi 33 milionë dollarë për të mbështetur “grupe të krijuar tashmë, të cilët shkonin për fuqizimin e grupeve të aktivistëve në Ferguson”, shkruan gazeta.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se themeluesi i Soros Fund Management, që ka 29 miliardë dollarë në asete, ka një interes të shprehur në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.
Deri tani, ai ka financuar më shumë se 25 milionë dollarë për Clintonin dhe pjesëtarë të tjerë të Partisë Demokratike – ndonëse kjo shifër pritet të rritet me afrimin e datës së zgjedhjeve.
Sorosi ka hedhur para edhe për partnerë mediatikë dhe ka qenë një kontribues financiar kryesor për Qendrën për Progres amerikan, një think tank liberal i krijuar nga John Podesta, shefi i fushatës së Clintonit.
Sorosi ka një marrëdhënie edhe me kandidatin republikan, Donald Trump. Në vitin 2004, titani i Wall Street-it i dha hua Trumpit 160 milionë dollarë për të ndihmuar në ndërtimin e Hotelit Ndërkombëtar Trump dhe Kullën në Chicago.
Në vitin 2008, të dy përmendeshin në një padi të Leslie Dick Worldwide Ltd, një zhvillues pasurish të paluajtshme. Padia, që më pas u tërhoq, kish të bënte me shitjen e ndërtesës së General Motors në New York City.
Një vit më vonë, dy miqtë miliarderë u panë bashkë në një festë Krishtlindjesh të organizuar nga Nouriel Roubini, sipas “Daily Beast”.

Dora e Sorosit më 21 janar, e-mail-i për Hillary Clinton

E-mail-i që Soros ia dërgoi Clinton-it për Shqipërinë, pesë vjet më parë, është një ndërhyrje flagrante e tij në punët e brendshme të Shqipërisë, çka është debatuar publikisht në Shqipëri, edhe më parë, prej atyre ngjarjeve të tmerrshme të të ashtuquajturit “revolucioni ‘97”

Kanë dalë e-mail-e të tjera të kohës kur Hillary Clinton ishte sekretare e Shtetit, të cilat dëshmojnë se ajo merrte këshilla politike nga miliarderi i majtë dhe aktivisti George Soros, shkruante dje protali i njohur politik amerikan “The American Mirror 2016”.
Sipas saj është një e-mail i publikuar nga WikiLeaks, e cila tregon se Soros ka qenë ai që ndërhyri tek ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, lidhur me një çështje ndërkombëtare, që kishte të bënte me një protestë politike në Shqipëri, e nxitur nga opozita e asaj kohe, me ish-kryetarin e saj Edi Rama. Protestë, e cila, shpërtheu deri në dhunë dhe shkatërrime apo si ka shkruar edhe shtypi shqiptar deri në një tentativë për thyerjen me forcë të portës kryesore të mbrojtës së ndërtesës të Kryeministrisë në Tiranë e ruajtur nga trupat e armatosura të Gardës Kombëtare.
Bëhet fjalë në këtë material konspirativ, pikërisht për protestën e pesë vjetëve më parë më 21 janarit 2011, që përfundoi me ngjarjet tragjike, ku mbetën të vrarë katër viktima dhe pati dhjetëra të tjerë të lënduar, në mesin e tyre edhe pjesëtarë nga forcat e sigurisë, djegien e çdo gjeje përreth Kryeministrisë, thyerjen e xhamave të saj dhe vënien e flakës atutomjeteve nga ana e protestuesve të dhunshëm.
Ndërkohë, shumë është përfolur se biznesmeni dhe filantropisti amerikan, George Soros, i njohur si mbështetës dhe sponsorizues i të majtës shqiptare dhe Kryeministrit Edi Rama, i ka kërkuar 5 vjet më parë, zonjës Clinton (sekretares së Shtetit) që qeveria amerikane të ndërhynte në atë kohë, tek ish-Kryeministri Berisha, urgjent që të dërgohej një ndërmjetës për zgjidhjen e krizës.
E-mail-i që Soros ia dërgoi Clinton-it për Shqipërinë, pesë vjet më parë, është një ndërhyrje flagrante e tij në punët e brendshme të Shqipërisë, çka është debatuar publikisht në Shqipëri, edhe më parë, prej atyre ngjarjeve të tmerrshme të të ashtuquajturit “revolucioni ‘97”, që e çuan Shqipërinë, deri në trazira të armatosura dhe rënien e shtetit shqiptar nga e majta shqiptare Partia Socialiste, e cila e mori me dhunë pushtetin.

Pjesë e e-mail-it të Soros

“E dashur Hillary,
Një situatë e rëndë është krijuar në Shqipëri që lyp vëmendje urgjente në nivele të larta nga ana e qeverisë amerikane. Sikurse mund ta dish, një protestë e opozitës në Tiranë të premten përfundoi me vdekjen e tri njerëzve dhe shkatërrim prone.
Ka shqetësime serioze për protesta të mëtejshme lidhur me një antimiting që pritet të organizohet nga partia qeverisëse të enjten, si dhe një event tjetër i opozitës dy ditë më pas, për të përkujtuar viktimat.
Mundësia që dhjetëra mijëra njerëz të dalin nëpër rrugë në një mjedis politik tashmë të ndezur vë në rrezik rikthimin e rendit publik dhe procesin e brishtë demokratik të vendit”.
Asokohe, Soros i kërkoi sekretares së Shtetit që të përfshinte komunitetin ndërkombëtar dhe ta trysnonte Kryeministrin që të “ndalonte demonstratat e mëtejshme” dhe të “ulë tonin e deklaratave publike”, si dhe të caktonte një zyrtar të lartë evropian që të vepronte si ndërmjetës.
Të tjera e-mail-e që po rrjedhin tregojnë se si Hillary Clinton, në kohën si sekretare e Shtetit kishte marrë këshilla të politikës së jashtme nga aktivisti i krahut të majtë, miliarderi George Soros.
Një e-mail i dhënë nga Wikileaks tregon se si Soros kishte arritur deri tek Hillary, në një diskutim për politikën e jashtme në Shqipëri.
Soros pastaj kërkon nga sekretarja e Shtetit për të përfshirë komunitetin ndërkombëtar dhe të bëjë presion tek Kryeministri Sali Berisha, për të “parandaluar demonstratat e mëtejshme” dhe të “ulin prononcimet publike”, si dhe emërimin e një zyrtari të lartë evropian për të vepruar si ndërmjetës.
Miliarderi i krahut të majtë madje i dha Clinton-it listën e emrave që do të mund ta merrnin atë post, që ishin: Carl Bildt, Marti Ahtisaari dhe Miroslav Lajçak, raporton “BBC”.
E-mail-i u dërgua nga ndihmësi i Soros tek Richard Verma, më pas tek ndihmëssekretarja e Shtetit për Çështje Legjislative, që iu dërgua ndihmësve kryesorë të Clinton-it, përfshirë Huma Abedin, Jacob Sullivan dhe Philip Gordon. Sullivan ia përcolli atë Clinton-it. Vetëm tre ditë pasi Clinton mori e-mail-in nga Soros, BE dërgoi propozimin e Soros, për të dërguar si ndërmjetës të trazirave civile në Shqipëri, Lajçak.
Ky e-mail i siguruar nga Wikileaks, por që po qarkullon së fundmi në mediat amerikane provon se si George Soros i kërkon Clinton të ndërhyjë në një situatë të trazuar në jetën politike shqiptare. Bëhet fjalë për situatën e krijuar nga demonstrata opozitare e 21 janarit të 2011, që Soros e cilëson në e-mail, si ogur të keq për prishjen e rendit publik, duke i kërkuar sekretares së Shtetit të ndërhyjë përmes emërimit të një ndërmjetësi.

“The American Mirror”