City, tunel me xham për të ndjekur lojtarët

Një risi që do të afrojë më shumë tifozët me skuadrën, por do të shtojë edhe të ardhurat për klubin. Manchester City ka një projekt ambicioz dhe të veçantë të quajtur “Tuneli i qelqtë” nëpërmjet të cilit, tifozët do të kenë mundësinë të shikojnë lojtarët pak momente përpara hyrjes në fushë. Projekti është unikal në llojin e vet. Bëhet fjalë për një zonë të rrethuar me xham, ku tifozët duhet të paguajnë ekstra për të hyrë dhe nëpërmjet saj do të kenë mundësinë të ndjekin hyrjen e lojtarëve nga tuneli në fushën e lojës. Në këtë rast, bëhet fjalë për lojtarët e të dyja skuadrave dhe jo vetëm të Manchester City-t, çka do të thotë se tifozët e “citizens” në shumë raste mund të jenë jo vetëm pranë idhujve të tyre, por edhe vetëm pak metra larg yjeve më të mëdhenj të kontinentit.
Në këtë pikë mbeten për t’u zgjidhur shumë detaje, pasi shumë klube nuk dëshirojnë që lojtarët e tyre të monitorohen. Gjithsesi, puna për modifikimin e tunelit të stadiumit “Etihad” sapo ka nisur dhe sipas arkitektëve, modeli është huazuar nga stadiumi i “Dallas Cowboys” në futbollin amerikan. Duke filluar që prej sezonit të ardhshëm, dhomat e zhveshjes do të zhvendosen në katin e parë për të bërë një lidhje sa më të shkurtër me tunelin që nxjerr lojtarët në fushën e lojës. Klubi nuk ka dhënë ende asnjë detaj për çmimin e biletës në këtë zonë, por me siguri, ata që do të dëshirojnë një luks të tillë, duhet të mendohen mirë përpara se të paguajnë biletën.