Brazili, Thiago Silva e David Luiz sërish jashtë liste

Nuk mungojnë surprizat në listën prej 23 lojtarësh që ka grumbulluar trajneri i Brazilit, Adenor Leonardo Bacchi, i njohur nga të gjithë si Tite për dy sfidat kualifikuese të Botërorit Rusi 2018 që Selecao do të zhvillojë në muajin shtator ndaj Ekuadorit në transfertë dhe Kolumbisë në shtëpi. Tite, i cili është emëruar vetëm përpara pak kohësh në krye të 5-herë kampionëve të Botës, duke zëvendësuar Carlos Dungën, ka lënë jashtë ashtu siç bënte paraardhësi i tij ish- kapiteni Thiago Silva. Nuk është përfshirë në listën prej 23 emrash as Daviz Luiz një tjetër mbrojtës i kampionëve të Francës, që duket se nuk bën më pjesë në planet e trajnerit të ri. Nga lojtarët që fituan medaljen e Artë me kombëtaren olimpike janë grumbulluar përveç Neymar Jr edhe dy sulmuesit e talentuar Gabriel Barbosa dhe Gabriel Jesus, mbrojtësi Marquinhos, por edhe Rodrigo Caio. Tre portierët e përzgjedhur nga Tite janë Alisson, Marcelo Grohe dhe Weverton. Në mbrojtje emrat e rëndësishëm janë ata të Marcelos, Dani Alves dhe Joao Mirandas. Në mesfushë nuk mungojnë Casemiro, Coutihno e Willian, ndërsa një risi mund të konsiderohet lojtari i Zenitit, Giuliano. Për të kompletuar sulmin është përfshirë në listë edhe Taison i Shakthar Donetsk. Pas 6 ndeshjeve të para në kualifikueset e zonës së Amerikës së Jugut, Brazili pozicionohet në vendin e 6-të në kuotën e 9 pikëve. Duke parë edhe pozitat në klasifikim, dy ndeshjet e radhës janë shumë të rëndësishme për Selecaon.