Bota e Putinit sipas letërsisë ruse

Javes Stavridis, Foreign Policy

Ekonomia ruse ka rënë 4.6 për qind në tremujorin e dytë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Agjencia ruse Rosstat i ka publikuar këto të dhëna ku në tre muajt e parë të vitit 2016 ka pasur rënie prej 2.2 për qind.
Rënia prej 4.6 për qind e produktit të brendshëm bruto është tkurrja më e madhe e GDP-së së Rusisë në 6 vjetët e fundit.
Ekonomia ruse ka vuajtur si pasojë e rënies së çmimit të naftës dhe për shkak të sanksioneve perëndimore, për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë. Rubla ruse deri më tani ka humbur rreth 20 për qind të vlerës së saj.
Pavarësisht situatës tepër të vështirë ekonomike që është duke vështirësuar ndjeshëm jetën e qytetyrëve rusë, Kremlini vazhdon të shkaktojë acarime të forta politike, që nga Siria e deri tek Ukraina. Rusia duket edhe sot e zhytur në mllefin dhe qasjen politike të Luftës së Ftohtë dhe shumë ekspertë janë përpjekur të sqarojnë këtë fenomen të çuditshëm që nuk vërehet vetëm tek elita drejtuese e qeverisë, por edhe tek popullsia e thjeshtë ruse, njerëzit të cilët janë duke vuajtur të parët gabimet dhe kokëfortësinë e qeverisë së tyre.
Dëshironi vërtet të kuptoni se çfarë po ndodh në Rusi? Atëherë mos lexoni raportin e plotë dhe të pluhurosur të CIA-s për Luftën e Ftohtë. Harrojini përgjimet telefonike dhe satelitore të NSA-së dhe mos u merrni me statistika dhe analiza të mbytura me stereotipe të gazetarëve dhe ekspertëve të shkencave politike.
Për të kuptuar Rusinë dhe rusët, futuni në minierën e artë të literaturës më të pasur të botës perëndimore: novelat dhe poezitë ruse. Lexoni Gogolin, Dostojevskin, Turgenevin, Pushkinin, Lermontovin, Tolstoin, Solzhenitsin dhe Bulgakovin. Aty do të zbuloni me të vërtetë se çfarë dhe si mendojnë pjesa më e madhe e rusëve. Për më tepër, nuk janë informacione të klasifikuara.
Filloni me kryeveprën e vitit 1842 të Nikolai Gogolit, “Shpirtra të Vdekur”. Aty do të gjeni humorin e zi, më të zi që ekziston dhe bëhet fjalë për një histori, ku një biznesmen misterioz udhëton përgjatë pjesës rurale të Rusisë, duke “blerë shpirtëra” (për shembull, duke marrë taksa nga pronarë të ndryshëm). Gjithçka është ndërtuar mbi absurdin dhe novela shërben si një portret satirik i shoqërisë jo funksionale të pronarëve të tokave në Rusi, që më pas u rrëzua gjatë revolucionit të vitit 1917.
Gogoli na tregon se rusët e shohin botën si një vend absurd dhe kontradiktor, jo si një vend ku sistemi i vlerave kryesore humane mund të prevalojë. Për një komb, lideri i së cilit krekoset nëpër botë, duke pozuar pa bluzë, duke luajtur me një tigër siberian apo duke ndjekur lejlekët me helikopter, apeli që i bëhet absurdit në këtë kryevepër nuk mund të ishte më i përshtatshëm. Është një novelë që përshkruan gjendjen njerëzore më skeptike dhe cinike, duke përfunduar befas me gjysmë fjalie, një sinjal që tregon paaftësinë për të parashikuar një të ardhme koherente.
Si luftojnë rusët dhe çfarë lloj liderësh ndjekin? Nëse doni të kuptoni patriotizmin e tyre, atëherë lexoni mjeshtrin Lev Tolstoi. Kryevepra e tij e vitit 1869, “Lufta dhe paqja” tregon se si e çfarë mendimi kanë rusët për aftësinë e tyre për të luftuar, duke hedhur dritë mbi patriotizmin e thellë që ushqen edhe nacionalizmin ekstrem të ditëve të sotme.
Tolstoi bën të qartë se themelet e fuqishme mbi të cilat mbahet sovraniteti kombëtar i rusëve janë me të vërtetë të palëkundshëm, madje edhe për mjeshtërinë e Napoleonit. Moska mund të jetë duke u djegur, por ushtria ruse nuk do të dorëzohet kurrë.
Tolstoi gjithashtu diskrediton teorinë e shekullit 19 të eventeve botërore, të ashtuquajturën “teoria e burra të pushtetshëm”, sipas së cilës burrat më të pushtetshëm të botës përdorin karizmën, inteligjencën dhe pushtetin e tyre për të influencuar historinë botërore. Tolstoi thotë se, në fakt, eventet historike nuk janë gjë tjetër veçse përplasja e mijëra eventesh të vogla me njëri-tjetrin.
Kur bëhet fjalë për lider, rusët duket se ndjekin një lloj shorti kozmik: një herë kanë një Ivan të tmerrshëm, pastaj një Pjetër të Madh. Ata e dinë që shorteu kozmik do të hidhet përsëri dhe një lider i ri do të ngjitet në pushtet, por ai që vjen pas Putinit mund të jetë edhe më i keq, duke patur parasysh ksenofobinë dhe ultranacionalizmin e kohëve të fundit.
Fjodor Dostojevski në veprën “Krim dhe Ndëshkim” tregon një histori që kap më së miri ndjeshmërinë ruse. Një protagonist thellësisht i trazuar vendos të vrasë, por më pas, i përndjekur nga ndjenja e fajit dhe nxitur nga njerëzit e mirë që e rrethonin, vendos të rrëfehet. Ai më pas purifikohet dhe në fund arrin të shlyejë krimin e tij. Personazhi kryesor, Raskolnikovi, është një figurë simpatike, por i mbushur me kontradikta tragjike, i cili zhytet në një krim brutal dhe në fund e shlyen fajin nëpërmjet ndëshkimit dhe besimit.
Është e vështirë ta shohësh Putinin si Raskolnikovin, por ndoshta një simbol i këtij shpagimi mund të gjendet në jetën e Mikail Kodorkovskit, oligarku që vendosi të kthehej në politikan të opozitës ruse, i cili u burgos dhe lirua jo shumë kohë më parë. Kapitulli i ardhshëm i rrugëtimit të tij do të jetë një histori interesante për të gjithë. Rusët kanë besim të madh në mirësinë e tyre dhe pranimi i fajit në njëfarë mënyre të çon në rrugën e drejtë. Ata besojnë si në krim ashtu edhe në ndëshkim, në kuptim të drejtpërdrejtë.
Mendoni se rusët do të dorëzohen përballë sanksioneve? Provoni të lexoni “Një ditë nga jeta e Ivan Denisovicit”, novela e vitit 1962 e shkruar nga disidenti Aleksandr Solzhenitsin. Protagonisti i tij, një i burgosur në Siberi, gjen qindra mënyra për ta shtyrë ditën, duke u përballur me korrupsionin, duke qeshur me gjendjen e tij të vështirë pavarësisht kushteve tepër të egra të burgimit të tij dhe duke demonstruar një vullnet të jashtëzakonshëm për të kapërcyer vështirësitë. Njëlloj si Denisovici, rusët do të gjejnë kënaqësi ironike në kapërcimin e dhembjes së shkaktuar nga sanksionet. Ndoshta nuk duhet të jemi aq të bindur se vështirësitë ekonomike do ta thyejnë vullnetin e Rusisë.
Nëse kërkoni diçka më moderne, lexoni “Lufta e një ushtari” të shkruar nga Arkabi Babshenko. Janë kujtimet e një ushtari të këmbësorisë, i cili luftonte në Çeçeni gjatë kulmit të luftës në vitet 1990, të nisur nga ushtria ruse kundër popullsisë rebele të vendit. Kjo është një kundërkryengritje tepër e shëmtuar ku rusët nuk përpiqen aspak të fitojnë zemrën dhe mendjen e popullsisë, por shfaqen mëse të gatshëm të vrasin këdo që i del përpara. Libri mund të thuhet se është në përputhje të plotë me frymën e forcave ushtarake të dërguara në Ukrainë, gjë që shpjegon edhe përse janë forcat e Spetsnazit, jo ushtria e zakonshme, ato që operojnë përtej kufirit.
Ky libër ofron një manual të vërtetë për të kuptuar qasjen operacionale të ushtrisë ruse. Rusët kanë mësuar shumë nga gabimet e tyre në Çeçeni dhe Afganistan dhe e ashtuquajtura luftë hibride në Ukrainë është përmbledhja e të gjitha leksioneve të mësuara në luftrat paraardhëse. Në Ukrainë, ata po përdorin rrjetet sociale, komunikimet strategjike, të dërguarit humanitarë, teknikat rebele dhe dominancën kibernetike, të gjithë të mësuara nga eksperienca e mëparshme në Çeçeni.
Për të kuptuar më tej frymën e emigrantëve rusë, novelisti brilant ruso-amerikan Geri Shtejngart e përshkruan në mënyrën më perfekte të mundshme hapësirën post sovjetike në librin e tij “Absurdistani”. I vendosur në Moskë dhe pak në Azerbajxhan (një ish-Republikë e Bashkimit Sovjetik), libri shërben si një portret i kapitalizmit rus me një dozë të fuqishme humori të zi.
Të kujton disi Mikail Bulgakovin dhe kryeveprën e tij “Mjeshtri dhe Margarita”, një novelë magjike realiste e shkruar në vitet 1930 dhe përshkruan më së miri aftësinë e rusëve për të mbijetuar në çdo vështirësi, për aq kohë sa kanë në sfond disa tinguj muzike.
Ndërkohë që Rusia bëhet gjithnjë e më e izoluar nga Europa dhe Perëndimi për shkak të veprimeve të saj, që nga aneksimi i Krimesë tek burgosja e protestuesve të “Pussy Riot” e deri tek trajtimi që i bën komunitetit homoseksual, shoqëria e tyre do të vazhdojë të kundërshtojë “normat” e Perëndimit, duke u sjellë si një shtet hibrid me rregullat e tyre ndërkombëtare, diçka që e kanë bërë edhe në të kaluarën. Çfarë na tregon kjo për rrjedhën e eventeve të kohëve të fundit?
Na tregon se rusët e shohin veten si trashëgimtarë të diçkaje më të madhe se një shtet i fuqishëm. Ata e konsiderojnë “Nënën Rusi” si kolona e një filozofie të thellë dhe të fuqishme për jetën, të shprehur më së miri nëpërmjet letërsisë ruse. Ata janë jashtëzakonisht të fortë përballë presionit dhe ndjejnë kënaqësi perverse, kur demonstrojnë se mund të rezistojnë në vështirësi më shumë se kushdo tjetër.
Ushtria ruse, e përshkruar më shumë si një instrument force, është gjithnjë e gatshme dhe dinake në betejë, duke adoptuar dhe provuar teknika të reja si lufta hibride që po shikojmë në Ukrainën e ditëve të sotme. Rusët janë skeptikë ndaj çdo aleance, janë thellësisht ksenofobë e nacionalistë dhe mbi të gjitha dyshojnë për motivet e kujtdo.
Ata mendojnë se ekziston një botë forcash të errëta të bashkuara kundër tyre dhe janë të gatshëm të përdorin mjetet që njohin më mirë, një përzierje e humorit të zi, rezistencës së jashtëzakonshme dhe taktikave dinake, për t’i mposhtuar armiqtë. Rusët janë mjeshtra, kur duhet të luajnë me letra të këqija në dorë.