Bastian Schweinsteiger sfidë Mourinhos

Bastian Schweinsteiger sfidon Jose Mourinhon, vendos të qëndrojë te Manchester United, edhe pse trajneri anglez e ka konsideruar një lojtar të padobishëm duke e përfshirë në listën e elementëve që duhet të largohen. Mirëpo mesfushori gjerman nuk ka ndërmend të privohet nga një kontratë prej 10 milionë eurosh në sezon deri në vitin 2018, kështu që ka kërkuar të qëndrojë në “Old Trafford” për të luftuar për një vend titullari. 32-vjeçari kohët e fundit është stërvitur me skuadrën e të rinjve te Manchester United, pa krijuar polemika, por fotot e publikuara në rrjetet sociale ku shfaqet në tribunat e “Old Trafford” duke ndjekur skuadrën e tij janë një sinjal i qartë se ka vendosur të mos dorëzohet para presionit të Mourinhos.
Trajneri portugez edhe në të kaluarën ka dalë fitimtar ndaj emrave të mëdhenj që kanë patur një status shumë të rëndësishëm në klubet e tyre si Raul apo Kasillas, por Bastian nuk frikësohet nga sfida. Ditët e fundit është folur për interesimin e emrave të rëndësishëm në futbollin europian, por mesfushori gjerman nuk dëshiron të transferohet as te PSG, as Juventusi e as te Milano dhe as te Shtuttagarti.
12 muaj më parë Schweinsteiger u largua me shumë bujë nga Bayerni, madje tifozët bavarezë bënë fajtor Pep Guardiolën për transferimin e tij në Premier League, ndërsa sot mesfushori gjerman gjendet në një situatë aspak komode. Ai nuk është një lojtar që shkakton probeme, por as nuk dorëzohet lehtë, ndaj Mourinho dhe drejtuesit e United duhet t’i bëjnë mirë llogaritë.
Ndërkohë, Manchester United ka shitur Tyler Blackett tek Reading. Skuadra e Readingut ka njoftuar se ka nënshkruar me futbollistin e Manchester Unitedit, Tyler Blackett. Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e Readingut, ndërsa Blackett bëhet lojtari i radhës që largohet nga Jose Mourinho, pas Love, Mcnear, Kane, ËWlson dhe Januzaj. “Jemi të lumtur t’ju njoftojmë se kemi nënshkruar kontratë trevjeçare me futbollistin e Unitedit, Tyler Blackett”, thuhet në njoftimin e Readingut.
Trajneri portugez, Jose Mourinho e ka nisur shumë mirë aventurën e tij në Manchester United, ku ka fituar një titull dhe ka shënuar fitore në dy ndeshjet e para të Premier Ligës. Por, ai gjatë një interviste për “Sport”, ka treguar se para se të vendoste për Unitedin, ka mundur të kthehej në La Liga ose Serie A. “Mund të shkoja në Itali ose në Spanjë, ashtu siç kam bërë në të kaluarën. Por Premier Liga është vërtet speciale. Në shumë vende klubet më të njohur duan të jenë gjithmonë e më të mëdhenj e të lënë të tjerët pas, por në Angli ndodh e kundërta. Këtu duan që të gjitha skuadrat të jenë të forta dhe konkurruese”, tha Mourinho për “Sport”.