Asani lë Maqedoninë për Shqipërinë

Lajm i mirë për kombëtaren kuqezi të 21-vjeçarëve në prag të përballjes me Greqinë  në transfertë në kualifikueset e Euro 2017. Sulmuesi i Vardarit të Shkupit, Jasir Asani, ka marrë përgjigje pozitive nga FIFA për të përfaqësuar Shqipërinë në rang kombëtaresh. Talenti i lindur në Shkup në vitin 1995, nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook, njoftoi se më në fund FIFA legalizoi vullnetin e tij. Ai shtoi më tej se, ndihet shumë i lumtur që do të mund të kontribuojë për ngjyrat kuqezi.
Asani ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Maqedonisë U-19, U-20 dhe U-21, me të cilat është aktivizuar në 6 ndeshje, duke shënuar një gol.
Më 22 janar të këtij viti, debutoi me gol në një ndeshje miqësore me Shpresat e Shqipërisë, pikërisht ndaj Arabisë Suadite, por për t‘u aktivizuar në takimet zyrtare priste lejen e FIFA-s.
Trajneri Redi Jupi tashmë do të ketë një futbollist cilësor më shumë për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Euro 2017 me Greqinë dhe Izraelin, që do të përcaktojnë edhe pozicionin përfundimtar të kuqezinjve 21-vjeçar në Grupin 4 kualifikues. Jasir Asani është pjesë e skuadrës së parë të Vardarit të Shkupit që nga viti 2013, teksa në tre sezonet e fundit, ka mundur të realizojë 15 gola në 50 ndeshje të kampionatit.