Arkitekti i Ramës, Boeri nën akuzë për korrupsion në Itali

Stefano Boeri, arkitekti që ka fituar garën për Planin Urbanistik të Tiranës, është në qendër të polemikave në Itali. Këshilltarët e Forza Italia dhe Lega Nord në Bashkinë e Mantovës e akuzojnë kryetarin e Bashkisë se i ka dhënë atij pa garë një projekt për rikualifikimin urban të një lagjeje të qytetit. Ata i kërkojnë kryebashkiakut Mattia Palazzi të shpjegojë mbi ç’kritere iu dha projekti Boerit. Dyshimet janë të forta, pasi Boeri ka qenë imazhi i fushatës së Palazzi-t në zgjedhjet e vitit 2015 dhe mesa duket është edhe i krahut të tij politik, atij të demokratëve të majtë të Kryeministrit Mateo Renzi.
Të dhënat tregojnë se Giulia Moraschi, përgjegjëse për sektorin e ambientit, ka vendosur t’i besojë arkitektit Boeri rikualifikimin e bashkisë, projekt nga i cili studioja e Boerit do të fitojë afro 39 mijë euro. Procedura e ndjekur është ajo e procedimit me urgjencë. Forca Italia e Lega Nord thonë se nuk kishte arsye urgjente për të evituar garën dhe për t’ia dhënë direkt projektin Boerit. “Nuk duam të nënkuptojmë asgjë, thotë kryetari i grupit të Forca Italia, Pierluigi Baschieri, por thjesht ndjejmë për detyrë që kryetari i Bashkisë të sqarojë aspektet që kemi nënvizuar në interpelancën e paraqitur. Kryetari i Bashkisë duhet të shpjegojë përse ia dha pa garë këtë projekt prej 40 mijë eurosh pikërisht Stefano Boerit”.
Kryetari i Bashkisë përgjigjet prerë: “Boeri është një profesionist që punon me administrata të çdo ngjyre politike. Duan të polemizojnë për gjëra inekzistente”. Në të vërtetë Bashkia e Mantovës i ka besuar Boerit një punë që vlen ekzaktësisht 38.800 euro për redaktimin e projektit të rikualifikimit urban të një zone që i është bashkuar së fundi qytetit. Qëllimi është pjesëmarrja në konkurs kombëtar për të marrë financime qeveritare për mbështetjen e periferive dhe bashkive qendrore.
Projekti i është dhënë me një procedurë të negociuar, pra direkte dhe pa garë. Boeri, gjatë fushatës elektorale të 2015–ës, që u fitua nga Palazzi, është shprehur shpesh në favor të tij dhe mori pjesë edhe në një xhiro me motorë Vespa, bashkë me Palazzi-n, përgjatë lagjeve që kanë nevojë për rikualifikim urban. Thelbi i çështjes qëndron tek pyetja që këshilltarët e Forza Italia dhe Lega Nord i bëjnë drejtpërdrejtë kryetarit të Bashkisë në interpelancën e depozituar më 18 gusht: “Normativa e aplikuar për t’ia dhënë projektin arkitektit Boeri, a parashikon përdorimin e procedurës së negociuar, pa garë, për arsye të një urgjence ekstreme?
Sipas firmëtarëve të interpelancës, arsyetimi i Giulia Moraschi-t, përgjegjëse e sektorit për ambientin në Bashki, “përmban një motivacion të mangët e nuk specifikon se nga ka lindur kjo emergjencë ekstreme dhe kjo paparashikueshmëri, mbi të cilën administrata është bazuar që t’i japë Boerit projektin e rikualifikimit urban, pa garë. Këshilltarët e pakicës kërkojnë që të hidhet dritë mbi kohët e prezantimit, të financimit dhe dhënies së projektit studios së Boerit.
Procedura e përshpejtuar që është ndjekur nga Bashkia ngre pikëpyetje të shumta, që i çojnë dyshimet tek përpjekjet për të favorizuar Boerin. Njoftimi për konkursin kombëtar është publikuar më 1 qershor në Gazetën Zyrtare. Sipas këshilltarëve të Forza Italia, është praktikisht e pamundur që Bashkia e Mantovës të ketë marrë dijeni për njoftimin vetëm në javët e fundit. Sikundër duket e pajustifikueshme që studios së Boerit i janë lënë 25 ditë afat për prezantimin e redaktimit të një projekti për një lagje të tërë, pasi projekti i është dhënë më 5 gusht dhe prezantimi duhet të bëhet më 31 gusht.
Forza Italia implikon drejtpërdrejtë kryetarin e Bashkisë, si personin që ka paracaktuar studion e Boerit. “A është studioja e Boerit e vetmja në treg, në gjendje për të drejtuar planin e një rikualifikimi urban?”, pyesin këshilltarët. Ata kujtojnë se Autoriteti Kombëtar Antikorrupsion (ANAC) udhëzon që të ketë të paktën dy vlerësime për punët publike, nën pragun e pagesave prej 40 mijë eurosh.
I gjendur nën akuzë, kryetari i Bashkisë këmbëngul se ka vepruar në respekt të plotë të rregullave: “Duke respektuar procedurat, thotë Palazzi, arkitekti Boeri ka qenë i porositur për një studim paraprak të dobishëm për pjesëmarrjen në një garë, koha e së cilës është e paktë. Nëse do të rezultojë i suksesshëm, projekti përfundimtar do të futet në garë, duke ndjekur procedurat më të drejta që kërkohen për të. Nëse nuk do të ishte Boeri, por një arkitekt më pak i njohur për publikun, askush nuk do të thoshte asgjë”. Vetë Stefano Boeri thjesht shpjegon se si qëndrojnë faktet, sipas këndvështrimti të tij: “Studioja ime, shpjegon ai, me kërkesë të zyrës së Bashkisë së Mantovës, ka prezantuar përmes platformës Sentinel të Rajonit të Lombardisë, një hipotezë urbanistike, që i lejon Bashkisë së Mantovës që të paraqiste një kërkesë për të marrë pjesë në një konkurs kombëtar të qeverisë për finacimet e projekteve për rikualifikimin urban. Kërkohej që të punohej me shpejtësi të madhe një projekt fizibiliteti. Rezultati u arrit. Është e qartë se nëse Mantova dëshironte ta fitonte tenderin, qyteti, siç e ka thënë tashmë edhe kryetari Palazzi, do të vazhdojë me një seri konkursesh publikë të projektimit”.
Në Tiranë, studioja e Stefano Boerit u shpall në janar fituese e planit urbanistik. Boeri njihet për lidhje të ngushta me Kryeministrin Rama dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai me Ramën ka patur njohje përpara se PS të vinte në pushtet.
Miqësia e Ramës me Boerin
Miqësia e Ramës me Boerin dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë është i hershëm. Madje, në zgjedhjet e 2013, Boeri si mik i ngushtë i Ramës u angazhua edhe gjatë fushatës zgjedhore duke bërë tifo për fitoren e tij. Nëse kërkon në Google me emrin e Ramës dhe Boeros shfaqen foto të ndryshme të të dyve duke drekuar e duke kaluar momente të këndshme me njëri-tjetrin, nga takime me shqiptarë të Italisë në takime të tjera siç ishte për shembull Ekspo Milano ku Rama zhvilloi një vizitë të posaçme atje. Stefano Boeri nuk ka kursyer as postimet e tij në faqet që ka në internet duke u shprehur haptazi në mbështetje të Ramës.  Në një postim të tij, pak ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, Boeri shfaqet i lumtur për fitoren e Ramës ndërsa pas shpalljes së fitores së tij, shkruan: E viva! (Urra). Mbështetjen dhe miqësinë e Boerit, Rama ka ditur ta vlerësojë shumë mirë, duke i premtuar atij planin e ri urbanistik të Tiranës, ku pritet t’i kalojë mikut të tij miliona euro, ndërsa nuk dihet se në sa projekte të tjera të fshehta Rama ka bërë sërish pjesë mikun e tij.