11 emrat e tjerë të kartelit të policisë tek droga

Partia Demokratike zbardhi dje një listë me 11 emra drejtuesish policie në qytete të ndryshme të vendit, të cilët janë të lidhur me narkotrafikun dhe menaxhojnë plantancionet e kanabisit në zonat ku ushtrojnë detyrën e tyre. Përmes një deklarate për mediat, kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj listoi 11 emra drejtuesish, funksionet, si dhe lidhjet e tyre me narkotrafikun. Alibeaj denoncoi implikimin e drejtuesve të policisë në biznesin e kanabisit sipas skemës së Edi Ramës ku për çdo rrënjë merret 30 për qind, është dramatik.
“Kemi denoncuar prej ditësh me emra dhe me zona konkrete se si shefat e Edi Ramës në polici janë kthyer në menaxherë të drogës”, tha Alibeaj ndërsa citoi të dhënat e raportit të shërbimeve partnere dhe shërbimeve inteligjente ku citohen edhe emrat e mëposhtëm:
Erjon Bici, shef i Komisariatit Devoll, i implikuar drejtpërdrejt në trafikun e drogës, ku është akuzuar në vitin 2015 në emisione investigative për parcela me kanabis në fshatin Miras, ku për secilën raportohet të ketë përfituar 30.000 €.
Robert Ibrahimi, shef i Komisariatit Ersekë, menaxhon parcelat me kanabis në këtë zonë.
Alfred Maksuti, shef i Komisariatit Peqin. Vëllai i vet është i dënuar për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa aktivitetin kriminal e ka vazhduar vetë Maksuti.
Vojo Peçi, shef i Komisariatit Kuçovë, i implikuar në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Elton Alushi, shef i Komisariatit nr. 3, lidhje e ngushtë e Emiljano Shullazit, jep ndihmën e tij në trafikimin e drogës.
Sali Skura, shefi i Komisariatit nr. 5. I implikuar në kultivimin e bimëve narkotike, gjobëvënie ndaj biznesit të ndërtimit të vogël dhe të madh në ndërtim duke përdorur edhe Loard Sallakun shef Seksioni i Krimeve.
Loard Sallaku, shef i Krimeve dhe zv/shef Komisariati në Kamëz. Raportohet se ka marrë përsipër mbjelljen e menaxhimin e kanabisit në malësinë e Zall Herrit deri në kufi me Krujën.
Behar Caka, shef i Komisariatit Vlorë, i përfshirë në kultivimin edhe ruajtjen e kanabisit dhe i përfshirë në çdo aktivitet dhe fushatë të Partisë Socialiste në këtë qytet.
Roven Zeka, shef Rendi i Komisariatit nr. 2, lidhje e ngushtë e Emiljano Shullazit, i përfshirë në kultivimin e kanabisit së bashku me ish-shefin e Komisariatit nr. 2, Ilir Proda.
Gazmend Shehu, shef i Komisariatit të Policisë Sarandë, i lidhur drejtpërdrejt në trafikimin e lëndëve narkotike në rrugët detare në bashkëpunim me miqtë e tij më të ngushtë, Balilajt, tek të cilët më parë ishte i punësuar si drejtues teknik i biznesit të tyre.
Oltion Bistri, shef i Komisariatit të Policisë Pogradec, i lidhur me bandën e gjobëvënësve dhe vrasësve me pagesë, si Meart e Ilir Berberi. Mbulon dhe ndan fitimet e drogës në këtë zonë.
Alibeaj deklaroi se kjo listë është dëshmi e poshtërimit të punonjësve të policisë.
“Ja pra, se si me porosi të Edi Ramës dhe nën shembullin e tij, drejtuesit e policisë nuk kanë më prioritet qytetarët, rendin e sigurinë, por ruajtjen e trafikimin e drogës dhe marrjen e 30 për qindëshit nga ky biznes qindra milionë eurosh.
Ja si poshtërohen burrat dhe gratë në uniformë, që kanë integritet e punojnë me përkushtim, por kanë mbi krye një grusht shefash dhe qeveritarësh që po drejtojnë biznesin kriminal.
Ky është sundimi de fakto i vendit prej drogës dhe krimit.
Ky nuk është vullneti i shqiptarëve, as dëshira e tyre.
Shqiptarët duan një vend më të mirë, ku sundon ligji, me rend, siguri e punë të ndershme.
Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, u shpreh Alibeaj në reagimin e tij.

droga

Si pastrohen boçet e kanabisit në plantancionet e drogës

Ashtu si skllevërit, banorët e zonave pranë plantancioneve të drogës punojnë për të arritur normën. Pothuajse të gjithë i kanë duart me shenjat e gërshërëve, sepse janë të detyruar t’i mbajnë gjithë ditën në gishtërinjtë e tyre për të pastruar boçet e kanabisit. Nën garancinë dhe mbrojtjen e plotë të policisë, në çdo plantacion të mbjellë, narkotrafikantët kanë improvizuar nga një “minipunishte”. Aty sillen banorët e zonës, të cilët përdoren si skllevër për pastrimin e boçeve të kanabisit, procesi i fundit ky para se të nisin transportin jashtë vendit. Banorët punojnë nën ecejakjet e trafikantëve të armatosur, të cilët qwndrojnë gjatë gjithë kohës në pararojë të plantacioneve dhe ecurisë së punës, ndërsa ndërrohen me turne për të qenë sa më vigjilentë. Procesi sipas dëshmisë së disa prej tyre është i lodhshëm. Ata pastrojnë me imtësi nga gjethet e panevojshme boçen e kanabisin, në mënyrë që trafikantët ta kenë gati për ta futur në treg. Siç edhe shihet në foto, punëtorët reshtohen me nga njw thes kanabisi para e nisin të pastrojnë me normë derisa mbaron dita. Ata e nisin punën në orët e para të mëngjesit, rreth orës 6:00, sapo zbardh dita e vijojnë me normë pa asnjë pushim derisa bie nata, për të rifilluar sërish ditën e nesërme.