Vjedhja me ushqimet në burgje, 4 kompani fituan mbi 6 milionë dollarë në 12 muaj

Katër kompanitë, administratorët e të cilëve u arrestuan dy ditë më parë veç Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë historik tenderash edhe me institucione të tjera shtetërore. Gjatë monitorimit në dy portale si Open Procurement – Monitorim i Prokurimeve të Njësive të Qeverisjes Vendore dhe Spending Data Albania me rubrikën transaksione thesari rezulton:
“Vllaznia shpk”, NIPT K11507003S është kontraktori më i madh i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për furnizime me ushqime për mensat në periudhën 1 janar 2015 deri 1 korrik 2016. Në total gjatë kësaj periudhe kjo kompani ka përfituar nga kontrata publike (para publike) vlerën prej 341 126 833 lekësh.
Interesant paraqitet fakti që e njëjta kompani operon si në furnizime ushqimore edhe në punë publike investime apo në furnizime lëndë djegëse
http://www.spending.data.al/sq/treasury/list/year/2015/perf_id/VLLAZNIASH.P.K/vlera/5%20100
“Vllaznia shpk” ka dy kontrata publike me institucione të njësive të qeverisjes vendore, një për furnizime me ushqime shkolla “Luigj Gurakuqi” Tiranë dhe një për asfaltim sistemim Bashkia Krujë
lista http://www.openprocurement.al/sq/tender/list/corporate_id/K11507003S?
“M. B. Kurti”, Nipt J64103483H është kompania që ka vazhdimisht numrin më të madh të tenderave të fituar që një biznes ka me njësi të qeverisjes vendore Bashki. Që prej 20 korrikut 2015 (mandatet e kryebashkiakëve të rinj) kjo kompani ka nënshkruar 23 kontrata me njësi apo institucione të qeverisjes lokale si: Bashkia Lushnjë, Bashkia Kavajë, Bashkia Sarandë, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit Tiranë, Bashkia Pustec, Bashkia Mat, Bashkia Kuçovë, Bashkia Patos etj. Kontratat janë fituar kryesisht si rrjedhojë e një procesi jo të hapur, por me kërkesë për propozim. Karakteristike është se e njëjta kompani kontraktohet edhe për furnizim mallrash ushqimore, lëndë djegëse gaz dhe dru, shitblerje makinash apo mjetesh, e transport për nxënësit dhe mësuesit. Lista e kontratave të një viti me njësi të qeverisjes vendore është e aksesueshme tek ky link: http://www.openprocurement.al/sq/tender/list/corporate_id/J64103483H?
Tenderat e saj janë kryesisht procedura kërkesë për propozim, procedurë me rreth të limituar konkurrentësh.
Po kjo kompani sipas transaksione thesari rezulton të jetë përfituese nga para publike për periudhën 1 janar 2015 deri 1 korrik 2016 për 493 transaksione me vlerë totale prej 172 521 670 lekësh. Lista e transaksioneve http://www.spending.data.al/sq/treasury/list/year/2015/perf_id/M.B.KURTI
“DOGEL”, me NIPT K59418208E ka në harkun kohorë 1 janar 2015 deri 1 korrik 2016 një numër prej 72 transaksionesh, me vlerë totale prej 142 811 119 lekësh.
Kjo kompani ka vetëm tri kontrata publike me institucione të pushtetit lokal, të tria me Drejtorinë e Konviktit Shkolla e Mesme Tiranë.
“NELSA” shpk, NIPT J71601012S, ka në harkun kohor të 1 janar 2015 deri 1 korrik 2016 një numër prej 187 transaksionesh me një vlerë prej 100 505 080 lekë.
“Open Data”

Skema e tenderave fiktivë

Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata e Tiranës ka vendosur të hënën masën e sigurisë “arrest në burg” për zv.drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Iljaz Labi, i dyshuar për “korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë…”, si edhe për administratorët e 4 kompanive private, të dyshuar për “korrupsion aktiv”, gjatë procedurave të prokurimit publik për blerje ushqimesh për burgjet në Shqipëri.
“Administratorët e kompanive ‘Dogel’, ‘Vllaznia’, ‘M.B.Kurti’ dhe ‘Nelsa’, konkretisht, shtetasit Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, bënin marrëveshje për të kryer konkurrim fiktiv në tenderat e zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për furnizimin me ushqim”, tha Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
Sipas Prokurorisë nga hetimi ka rezultuar se administratorët e kompanive të sipërpërmendura takoheshin me njëri-tjetrin dhe binin dakord për pjesëmarrjen në tender, duke shkëmbyer informacionin dhe duke përpiluar dokumentet e pjesëmarrjes në prokurime, në mënyrë të tillë që të fitonte njëri prej tyre, sipas bisedave që ata bënin.
Pasi përcaktonin se cili prej tyre do të dilte fitues në njërin prokurim apo në secilin lot prokurimi, shoqëritë “humbëse” lidhnin kontrata formale dhe joformale si nënkontraktor me fituesit.
Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur të provojë me fakte konkrete se administratorët e kompanive kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, me qëllim marrjen në mënyrë fiktive të prokurimit me objekt “Blerje bulmet dhe veze”, e cila ka datë lidhje kontrate 31 maj 2016 dhe me vlerë totale të kontratës 22.6 milionë lekë.
Sipas Prokurorisë, zëvendësdrejtori i Burgjeve, Iljaz Labi, ka mbajtur për këtë prokurim kontakte dhe ka zhvilluar takime të vazhdueshme me personat nën hetim, Ylber Kalaja dhe Shemsi Sinani, duke kërkuar prej tyre ryshfet.
“Nga veprimet e tij, del qartë dijenia për kryerjen e procedurës së prokurimit në mënyrë fiktive. Detyra funksionale e tij është pjesë e zinxhirit përkatës që nga fillimi i nisjes së procedurës së prokurimit dhe deri në lidhjen e kontratës”, tha Prokuroria.
“Për realizimin e qëllimit, të katër personat e dyshuar kanë biseduar për të paguar në mënyrë solidare të paktën një shumë prej 2 milionë lekësh të reja te zv.drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iljaz Labi, me qëllim që ky i fundit t’u krijonte lehtësitë e nevojshme gjatë procedurës së prokurimit”, përfundoi ajo.
Labi më parë ka mbajtur detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun Durrës.