Vicky for President

349

“Falë jush kam arritur një gurthemeli: për herë të parë në historinë e vendit tonë një grua do të jetë kandidate e një partie të rëndësishme për presidencën”. Me këto fjalë demokratja Hillary Clinton ka falënderuar votuesit e saj, që i kanë mundësuar të sigurojë emërimin për Partinë Demokrate, duke arritur të sigurojë edhe mbështetjen e ish-kundërshtarit Bernie Sanders. E vërtetë, është gruaja e parë kandidate e Parisë Demokrate, por “teknikisht” nuk ka qenë ajo e para që ka garuar për presidencialet amerikane. Vendi i parë i takon një personazhi magjepsës dhe kontradiktor, një outsider edhe në lëvizjet feministe të fundtetëqindës, një grua sa kurajoze aq tejmase e “rrezikshme”, një “aventuriere”, sipas gjykimit të shumë intelektualëve të epokës, ndoshta pse denoncoi hipokrizitë dhe falsitetet e epokës. Victoria Claflin Woodhull, gruaja e parë broker e Shteteve të Bashkuara, pikturohej përpara derës së studios të saj në numrin 44 të Broad Street, ku bashkë me motrën Tennessee (të dyja të quajtura “Queens of Finance” nga “New York Herald”), i kishte dhënë jetë më 19 janar 1870 një aktiviteti privat pikërisht si agjente këmbimesh në Wall Street dhe ku, në mënyrë të pafytyrë dhe duke mbajtur pantallona mashkullore, u jepte intervista gazetarëve të shumtë, që plot kuriozitet qëndronin përpara pallatit. “Gjithçka thuhet për të drejtat e grave janë vetëm budallallëqe”, u përsëriste gazetarëve në pritje. “Gratë i kanë të gjitha të drejtat. Është e nevojshme vetëm t’i ushtrosh dhe është kjo ajo që po bëjmë”. Është në këtë logjikë që Vicky u gjend duke sfiduar censorin më të madh të epokës, të frikshmin Anthony Comstock, një nëpunës poste i panjohur, që duke u bërë fillimisht agjent i New York Committee for the Suppression of Vice dhe më pas official agent i Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara, kishte arritur të miratonte nga Kongresi amerikan në vitin 1873 një ligj mbi qarkullimin dhe shitjen e literaturës së turpshme dhe imorale.
Por kush ishte Vicky? Nga shumë bashkëkohës konsiderohej e “çuditshme” prej personalitetit të saj si grua kurajoze, “brilante, injorante dhe e bukur”. Një “sirenë e tmerrshme”, që bënte saktësisht atë që donte dhe që lëvizte, e zhdërvjelltë dhe e heshtur, si një tigër, e gatshme që të sulmonte këdo që do të tentonte ta ndalonte. Vicky ishte një lloj paranormaleje: praktikonte spiritizmin e dashurinë e lirë dhe nuk turpërohej, por skandalizonte me vetë jetën e saj të gjithë ata që në mënyrë hipokrite praktikonin “moralin e dyfishtë”, derisa ta paguanin personalisht, edhe me burg, çmimin e zgjedhjeve të saj të forta dhe të guximshme. E shtata e dhjetë fëmijëve, Victoria Claflin lindi në vitin 1838 në Homer, një vendbanim i vogël mbi lumin Ohio dhe qysh fëmijë, në fund të fundit si e ëma që kuronte fëmijët e shumtë me lutje dhe hipnozë, manifestonte aftësi parashikueshmërie dhe telepatie, aftësi që me motrën më të vogël, Tennie, do ta shfrytëzonte kur të rritej, si në rastin e takimit me milionerin 75-vjeçar Cornelius Vanderbilt, prej pak kohe i mbetur i ve. I depresuar, manjati i njohur ishte kaplluar pas spiritizmit, shumë në modë në atë kohë, me shpresën që të vihej në kontakt me shpirtin e bashkëshortes së ndjerë. Qe pikërisht në një boshllëk ekzistencial të tillë që u futën Victoria e Tennessee, e para duke i sjellë mesazhe nga bota e përtejme dhe e dyta e qeshur dhe e lumtur, duke ia lehtësuar vuajtjet me forcën magnetike të duarve. Vanderbilt do t’i kërkonte dorën Tennie, por vajza e refuzoi dhe kjo kontribuoi që të rritej vlerësimi i njeriut për motrat Claflin, prej tij të ndihmuara edhe financiarisht për të hapur zyrën në Wall Street. Pikërisht në aspektin e aktiviteteve të shumta të saj si parashikuese pranë St. Louis Society of Spiritualism të Missouri, Vicky kishte njohur Kolonelin James Harvey Blood, një mendimtar i lirë dhe mbështetës i free love, me të cilin u martua disa vite më pas pasi mori divorcin nga bashkëshorti i parë, Canning Woodhull, një mjek nga Rochester tashmë i kushtuar alkoolit dhe morfinës, prej saj i mirëpritur në familjen e “zgjeruar” të saj, duke ngjallur kritika të ashpra nga ana e shoqërisë së kohës për këtë bashkëjetesë të “çuditshme”. Me këtë rast, Woodhull u detyrua që t’u dërgojë letrat gazetave, duke iu shpjeguar se e kish mirëpritur ish-bashkëshortin e saj pse ishte i sëmurë, në vuajtje dhe sepse mezi e duronte hipokrizinë e thellë ndaj dashurisë së lirë, aq sa pikërisht njerëzit që e kritikonin qenë ata që më pas e praktikonin në fshehtësinë e shtretërve bashkëshortorë.
Martesa me Blood do ta ndryshojë fuqimisht rrjedhën e jetës së Victoria, e futur tashmë në enturazhin libertar dhe radikal që do t’i mundësojë të gjejë një justifikim teorik të fortë mënyrës së saj të jetesës. Do të jenë këto vitet më të vrullshme dhe intelektualisht më të gjalla e dinamike: fillimisht, hyrja e saj në Wall Street; më pas kandidatura e saj për zgjedhjet presidenciale nga ana e Equal Rights Party, me “reformatorin zezak” Frederick Douglass (por që në momentin e fundit preferoi të garojë për Grant), një kandidaturë e mbështetur nëpërmjet botimit të “Woodhull & Claflin’s Weekly”, revistë të së cilës Vicky dhe e motra qenë pronare dhe botuese, e dalë pandërprerje nga 14 maji 1870 deri më 10 qershor 1876. Akoma, konferencat publike të mbajtura prej saj mbi tema si barazia kushtetuese, spiritizmi, revolucioni social, dashuria e lirë dhe parimet e financës; kujtimet e paraqitura Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe së fundi, denoncimi publik i skandalit Beecher-Tilton, që në mënyrë indirekte i kushtoi arrestimin në bazë të ligjit Comstock. Këto do të jenë edhe vitet e takimit me anarkistin atëherë i ri Benjamin R. Tucker dhe sidomos me Stephen Pearl Andrews, që nga faqet e revistës së Vicky do të shpalosë idetë e tij mbi pentarkinë dhe mbi sovranitetin e individit.
Tashmë Vicky ishte e gatshme që të ngjiste shkallët e shoqërisë amerikane dhe për ta bërë, e filloi me një deklaratë provokuese për shtyp lidhur me çështjen femërore: “Gjatë përvojës tonë 15-vjeçare, teksa kemi marrë pothuajse unanimisht këshillën, mbështetjen dhe miratimin e seksit të kundërt, vetë seksi ynë ka hedhur universalisht baltë mbi ne. (…) Ne nuk i përkasim shpurës së atyre që shtiren se besojnë që seksi ynë në pjesën më të madhe është i privuar nga vullneti dominues i mashkullit, por, përkundrazi, theksojmë se shumë prej nesh janë të papërgatitura që të përdorin sa më mirë mundësitë e mëdha”. Në thelb, Victoria paraqitej si përfaqësuese e vërtetë e grave, në alternativë të lëvizjes feministe, shumë pak e pavarur dhe e varur nga gjendja shpirtërore e burrave dhe mbi të gjitha, si një grua e pavarur dhe e lirë. Dhe në emër të një pavarësie individuale të tillë, shpallte kandidaturën e saj për presidencën e Shteteve të Bashkuara, “duke pasur mjetet, kurajën, energjinë dhe forcën e nevojshme për garën”.
Ndërkaq, nga faqet e “Weekly”, Victoria botoi një sintezë të argumentimeve të prirura që të demonstronin se Amendamenti XIV dhe XV u jepnin tashmë të drejtën e votës edhe grave dhe më pas shkoi në Washington për t’i paraqitur një memorial Kongresit, në të cilin, me një logjikë të hekurt, deduktonte jokushtetutshmërinë e ligjeve shtetërore që u pengonin grave ta ushtronin sufrazhin. Kongresi nuk i pranoi motivacionet e saj, por paraqitja e memorialit qe një sukses i jashtëzakonshëm, aq sa Vicky u thirr që të marrë pjesë me titull të plotë në betejën e National Woman Suffrage Association, pavarësisht kundërshtimit të shumë feministeve historike që e gjykonin si shumë të “lirë” e të “pavarur”. Por Woodhull nuk u frikësua; përkundrazi, i dha jetë një partie të re, të quajtur Cosmopolitan Party, me një platformë programatike të pazakontë: para së gjithash, e drejta e votës së grave; më pas, presidenca me një mandat të vetëm dhe emërimi si senatorë të përjetshëm i ish-presidentëve të Shteteve të Bashkuara, reforma e shërbimit civil, dita e punës 8-orëshe, reforma e sistemit monetar, fiskal dhe e tregtisë midis shteteve, heqja e dënimit me vdekje, një politikë shteti social në mbështetje të më pak të kamurve, një sistem arsimi publik, ngritja e një gjykate për të zgjidhur kundërshtitë ndërkombëtare dhe krijimi i një ushtrie dhe i një flote ndërkombëtare.
Por ajo që e entuziazmoi më shumë se çdo gjë sallën qe këmbëngulja mbi liritë individuale dhe mbi ridimensionimin e aktivitetit legjislativ në miratimin e ligjeve të vetme të përgjithshme, që të mos ndërhynin në asnjë mënyrë me të drejtën e individëve të rritur për të ndjekur lumturinë e tyre në mënyrat e zgjedhura lirisht dhe përgjegjshmërisht prej tyre. Qe kështu që Vicky u etiketua përfundimisht si një free lover, duke tërhequr mbi vete zemërimet e tërbuara të motrave Beecher (Catherine dhe Harriet), të impenjuara prej kohësh në investigimin e jetës private të saj me qëllim që ta diskreditonin publikisht. Por Woodhull vendosi të kundërsulmojë nga faqet e gazetave, duke zbuluar se predikuesi i madh Henry Ward Beecher kishte një marrëdhënie me një idhtare të tij, Elizabeth Tilton, gruaja e mikut dhe bashkëpunëtorit të ri të tij. E braktisur nga lëvizja feministe dhe nga vetë Vanderbilt, Vicky vazhdoi e paepur që të mbështesë hipokrizinë e shoqërisë së kohës nga faqet e “Weekly”. Por pasi revista shpërndahej me postë, ra menjëherë në kthetrat e Comstock Law dhe u arrestua menjëherë. Tashmë e vetme dhe e braktisur nga të gjithë, Vicky kaloi në qeli 5 nëntorin e 1872, ndërsa kudo në 22 shtetet ku Equal Rights Party ishte e pranishme me delegatët e saj, emri i saj tregohej në fletëvotimet. Ajo nuk shfaqej si kandidate zyrtare pse ishte femër, ashtu edhe pse nuk kishte mbushur ende 35 vitet e parashikuara për të garuar për presidencën e Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, për të election day, që do të duhej të shënonte triumfin provokator të saj, u transformua në një ditë të idhët burgu. Edhe pasi është lëshuar, persekutimi i Comstock ndaj saj nuk reshti, aq sa vetë kritikët e saj nisën të kuptojnë se Vicky ishte bërë një kokë turku në kuptimin e vërtetë të saj, pasi kishte guxuar të vinte në lëvizje një mekanizëm më të madh se ajo, që pastaj, tamam si një bumerang, i kishte shpëtuar kontrollit të saj dhe e kishte izoluar krejtësisht. Në fund, Victoria u largua nga Shtetet e Bashkuara dhe u transferua në Angli, ku ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare, por jo më përpara se të kishte themeluar në fshatin Bredon’s Norton “Ladies Automobile Club” (1904), një kolegj rezidencial dhe një klub për gratë (1906).
Akoma sot mbi Vicky rëndon pesha e personalitetit kontradiktor të saj. Lëvizja feministe – që i është nënshtruar prej vitesh censurës historike të Stanton dhe të Anthony – duket sot e gatshme që ta rizbulojë si pararendëse të lirive themelore; radikalët dhe anarkistët e kujtojnë vetëm për raportet e saj me Andrews dhe Tucker, por nuk ia kanë njohur kurrë një aftësi reale autonome mendimi; nga ana e tyre, mbështetësit e lirive civile e citojnë si shënjestrën kryesore të Comstockerism-it, por emblematizmi i saj sfumon pastaj përballë viktimave të tjera të shumta “ekselente”, të hyra në histori për gjë tjetër dhe sigurisht jo për zgjedhje personale në atë kohë shumë të diskutueshme, siç qenë ato të Vicky, që akoma sot ka vështirësi të gjejë njohjen e duhur për veprimet e saj. Nga ana tjetër, nuk është për t’u mrekulluar për këtë: Victoria ka qenë një individualiste në kuptimin më të fortë të termit dhe në emër të lirisë personale, ka jetuar, vepruar, gabuar dhe më pas paguar për çdo zgjedhje të bërë me vullnetin e saj. Individualizmi i spikatur i saj ka pasqyruar në mënyrë të përkryer amerikanizmin e Tetëqindës: në fakt, është impenjuar gjithmonë me të gjithë veten e saj në ndjekje objektivash praktikisht shumë të avancuara për kohën e saj dhe të kërkojë një higher ground ende të ndaluar për bashkëkohëset e saj. Përtej çdo etiketimi, Woodhull duket sot se na lë një dëshmi të vetme, themelore: ajo e një jete thellësisht të lirë, të zgjedhur me vullnetin e saj dhe të jetuar në çdo aspekt të saj.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA