Veliaj, terror biznesmenit që denoncoi dhunën e policisë

Veliaj hakmerret ndaj biznesmenit që denoncoi pak ditë më parë dhunën policore ndaj dhe djalit të tij. Veliaj ka dërguar dhjetëra forca të policisë bashkiake në biznesin e Altin Bamllarit dhe dy ortakëve të tij duke e bastisur atë. Policët e Bashkisë kanë hequr depozitat, gjeneratorin, bombulat e gazit si dhe disa objekte të tjera. Si gjithmonë, për të justifikuar punët e tij të pista, Veliaj ka deklaruar se pajisjet janë hequr nga piceri “Era”, sepse janë ankuar banorët. Por në fakt ky aksion i Bashkisë vjen vetëm pak ditë pas denoncimit të pronarit të piceri “Era”, Altin Bamllari për dhunën e policisë.
Në pamjet e një videoje të publikuar në rrejtet sociale shikohet se si policia bashkiake ka ndërmarrë aksionin e saj për të bastisur piceri “Era”. Veliaj i përdor policët e tij për të sulmuar bizneset që denoncojnë rritjen e taksave apo dhunën e ushtruar nga policia ndaj tyre dhe nuk merr asnjë masë për zhurmat e lokaleve të natës apo bllokimin e trotuarve nga bizneset që mbështesin Veliajn.
Punëtorët e tij i kanë hequr gjeneratorin e blerë disa dhjetëra mijëra euro dhe depozitat e ujit, megjithëse Bamllari kishte kontratë me Bashkinë për zënien e hapësirës dhe deri dje nuk paraqiste asnjë problem. Por me denoncimin e dhunës, ai shkoi larg. E si mund të ngrejë kokën ai brenda çifligut të rilindjes. Kjo gjë nuk i shpëtoi Erion Veliajt, si sahanlëpirës i regjur që është. Njeriu që i hoqi dhe të drejtën për të shitur kanaçe njerëzve që të mbanin frymën gjallë, s’mund t’i kalojë një rast i tillë.
Altin Bamllari s’bëri gjë tjetër vetëm se denoncoi dhunën policore ndaj tij dhe djalit të tij. Është një biznesmen i suksesshëm i këtij vendi, që i paguan këtij palo shteti mijëra euro në vit, që ka dhjetëra të punësuar dhe shikoni me çfarë i duhet të përballet.
Pronari i dy picerive “Era” në Tiranë, Altin Bamllari dhe djali i tij u dhunuan nga policia para dy javësh në qendër të Tiranës për një gjobë të papaguar për makinën. Ministria e Brendshme bëri të ditur nëpërmjet një deklarate për mediat se, “policia nuk e kishte dhunuar atë dhe djalin e tij, por shenjat i kishin për shkak se u rrëzuan duke vrapuar për t’i ikur policisë”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i biznesmenit dhe pronarit, Altin Bamllari, i cili tha se, këtu te ne policia njeh vetëm dajakun. Bamllari akuzon policinë për dhunë barbare dhe i kërkon Prokurorisë që të hetojë ngjarjen.
Bamllari: Këta edhe të vrasin
Pas terrorit të Policisë Bashkiake ka reaguar edhe biznesmeni Altin Bamllari. Bamllari thotë se, ky është një terror pas denoncimit publik që ai bëri ndaj policies për dhunën e ushtruar. Ai shprehet se bizneset po sulmohen një lloj si në vitin ’45 në kohën e Enverit. “Shteti në mësymje! E dini ndaj kujt? Ndaj biznesit.
Viti ’45, o Zot! Enveri është ngjallur.
Po na mbyllin zemrën e biznesit, Njësinë Qendrore të Prodhimit. Aty ku kemi investuar mbi 1,5 milion euro; aty ku përgatisim ushqimin për 15 njësi të tjera. Duan të na mbyllin aktivitetin nga ku varen direkt 8 kontrata me shoqëri të huaja dhe 150 furnitorë. Biznesin ku janë të punësuar 275 punonjës.
Dhe e dini si?
S’kanë ku të kapen dhe ia nisën nga depozita e ujit, ujit që s’na e sollën kurrë. Po na rrëmbejnë gjeneratorin, atë që na jep energjinë e munguar; Po na shkulin bombolat e gazit, të gazit që s’erdhi një herë nëpër tuba bashkie.
Të gjitha të çertifikuara me leje mjedisore, të gjitha me taksa bashkie të paguara me çmime të imponuara.
O Zot, këta nuk dinë se ç’bëjnë.
Jo ai pronari, por një nga tre ortakët e kësaj shoqërie që s’ka zemër të flasë me një zë të vetëm.
Është viti ’45 dhe s’ka faj. Këta edhe të vrasin”, shkruan Bamllari në një status në Facebook.