Transporti ajror, BE: Ulni kostot për qytetarët

Bashkimi Europian kërkon nga qeveria shqiptare uljen e kostos së udhëtimit për pasagjerët. Në Strategjinë Kombëtare të Sektorit të Transportit në Shqipëri 2016-2020, e hartuar me asistencën Bashkimit Europian, kjo kërkesë cilësohet si kyç. Biletat e shtrenjta të udhëtimit, si dhe taksat e larta që aplikon Aeroporti “Nënë Tereza” kanë qenë shqetësim i përhershëm i qytetarëve shqiptarë dhe kjo ka ardhur si pasojë e monopolit në këtë treg, ku funksionon vetëm një aeroport. Shumë qytetarë kanë zgjedhur rrugë alterantive, duke fluturuar nga Maqedonia, Kosova apo Mali i Zi për shkak të çmimeve të kripura të biletave. Ambasadorja e BE-së në Shqipëri e ka cilësuar zbatimin e kësaj strategjie si më të rëndësishmen pas Reformës në Drejtësi. Po ashtu një vëmendje e veçantë dhe që i jepet si detyrë qeverisë shqiptare, i është kushtuar krijimit të një tregu më konkurues përmes liberalizimit të shërbimeve ajrore. Implementimi dhe unifikimi i standardeve ndërkombëtare për sigurinë ajrore është një tjetër prioritet i përcaktuar në strategji. Ndërsa investimet që qeveria shqiptare duhet të bëjë në transportin ajror për 4 vitet e ardhshme arrijnë në total në vlerën e 9.9 milionë eurove, shifër e cila përfshin ndërtimin dhe zhvillimin e një aeroporti të ri në jug të vendit, konkretisht hartimi i një masterplani kombëtar dhe investime në Aeroportin e Kukësit. Apeli vjen në një kohë kur çmimet e biletave për fluturimet nga Tirana drejt vendeve të tjera dhe anasjelltas, jo vetëm që nuk po njohin ulje, por dita-ditës po prekin nivele rekord. Mjafton një klikim në internet për të parë sa shtrenjtë u kushton shqiptarëve apo të huajve, të fluturojnë drejt Tiranës. Sipas të dhënave online, të udhëtosh nga Roma në Tiranë, vetëm vajtje të kushton rreth 500 euro ose siç është publikuar në ëeb, 633 dollarë ose 597 dollarë, në varësi të orarit më ekonomik. Por çfarë ndodh, të qëndrosh në të njëjtin destinacion nisje, nga Roma, por me destinacion tjetër mbërritje, Berlinin, çmimet kanë një ndryshim drastik. Çmimi i biletës është afro 110 euro, 5 herë më lirë se në drejtim të Tiranës. Skandali thellohet më tej pasi, nëse dëshiron të udhëtosh nga Roma në Tiranë, ditën e diel, në datën 10, mesatarisht bileta kushton për person 745,8 euro më shtrenjtë se një rrugë vajtje-ardhje Romë–New York, ku bileta mesatarisht kushton 671 euro për person. Edhe nëse mendon të rezervosh më përpara, për të udhëtuar fundjavën e ardhshme, sërish çmimet janë super të larta. Të vish nga Roma në Tiranë fundjavën që vjen, vajtje-ardhje me ekonomik, kushton mesatarisht 654 dollarë afërsisht njëlloj si të shkosh në Kinë. Këto çmime të kripura bëjnë që të stepen jo vetëm shqiptarët emigrantë që duan të vijnë në vendin e tyre të kalojnë pushimet, por edhe për turistë të ndryshëm në botë, të cilët duan të përzgjedhin Shqipërinë në minutë të fundit për të kaluar pushimet. Çmimet e larta të biletave sipas përfaqësuesve të agjencive turistike, vijnë për shkak të aeroportit të vetëm që ka sot Shqipëria, i cili është kthyer në monopol, pavarësisht heqjes së ekskluzivitetit. Taksat e larta aeroportuale kanë bërë që asnjë kompani e mirëfilltë “low cost” të mos vijë në Shqipëri për të bërë që të përfitohen çmime më të ulëta biletash. Përqendrimi në pak duar i fatit të biletave po i kushton çdo ditë e më shumë xhepave të qytetarëve. Qeveria ndërhyri pak muaj më parë në marrëveshjen me koncesionarin e Rinasit, por nuk arriti dot të ndërhyjë në problemin e çmimit të lartë të biletave, duke e lënë një problem të pazgjidhur.