Thaçi me makinën e Gaz Demit në vilën e Metës

Burime të sigurta për Syri.net bëjnë me dije se, në vilën e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta në Gjirin e Lalzit ka mbërritur sot me një automjet privat, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Automjeti raportohet se i përket biznesmenit Gaz Demi, i cili sëbashku me Thaçin kanë lëvizur drejt Gjirit të Lalzit ku kanë qëndruar prej disa orësh, duke drekuar në vilën e Metës. Arsyeja ka qenë vetëm një. Qëllimi i kësaj vizite të kërkuar nga vetë Thaçi me Metën është që ti kërkojë atij të mos e braktisë koalicionin me Edi Ramën dhe akoma më tej, LSI të qëndrojë brenda koalicionit në rast të zgjedhjeve të parakohshme, për të cilat edhe vetë Rama nuk e fsheh më si një mundësi reale.
Vlen të theksohet se prania e biznesmenit Gaz Demi, i cili njihet si një mik i ngushtë i Olsi Ramës, është edhe garancia e përmbajtjes së bisedës që po zhvillojnë Hashim Thaçi dhe Ilir Meta.
Nevoja e aktivizimit të Thaçit në këto negociata për Ramën duket se ka qenë jetike në kohën kur prej disa javësh Ilir Meta nuk e pret më në zyrë në takimin e përjavshëm dhe qartazi njësia e koordinimit të koalicionit ka pushuar së funksionuari.
Fakti që Edi Rama e ka detyruar Presidentin e Republikës së Kosovës të braktisë zhinxhirin e sigurisë që ai gëzon si kryetar shteti, të hipë në një automjet privat dhe të rrugëtojë drejt Gjirit të Lalzit, është një konfirmim absolut se rrugët e tij me ato të Ilir Metës janë ndarë keqazi, por që Edi Rama nuk e ka aspak për turp të keqpërdorë çdo mjet dhe çdo njeri të mundshëm për t’i ndryshuar mendjen Ilir Metës. Gjatë ditëve në vazhdim Syri.net do të publikojë detaje të tjera të këtij takimi.