Terroristët e euros

221

Sali BERISHA

Terroristët e armatosur, jo të ISSI-s, por të euros, pushtuan Aeroportin e Rinasit. Qeveria lan duart duke thënë “nuk kemi përgjegjësi!”.
Dy ditë më parë, në një akt të pashembullt, kriminelë me maska dhe kallashnikovë pushtuan aeroportin tonë të vetëm civil, pushtuan pistën e tij, grabitën pa ju hyrë ferra në këmbë një kuintal euro dhe u larguan në drejtim të paditur.
Ata kësaj radhe nuk ishin terroristë të ISSI që kërkonin gjak dhe jetë njerëzish, por ishin terroristë të eurove dhe dëshmuan se ata pushtuan lehtësisht, madje në zonën më delikate, aeroportin tonë duke faktuar zero sigurinë që ekziston për aeroportin dhe ata që udhëtojnë nga ky aeroport.
Qeveria e hajdutëve të shtetit lau shpejt e shpejt duart. Në kundërshtim me çdo ligj sigurie, qeveria reagoi sikur Aeroporti i Rinasit të ishte diku në shkretëtirën e ndonjë vendi tjetër, sikur aeroporti, terminalet, pista, anekset e tij të mos ishin për çdo vend të botës objekt të rëndësisë së dorës së parë për sigurinë kombëtare, por sikur të ishin ndonjë pulari apo fermë blegtorale.
Grabitja në pistën e aeroportit me forcën e armëve është thyerja më e madhe e sigurisë kombëtare këto 25 vite dhe qëndrimi i Edvin Shullazit dhe qeverisë së tij është qëndrimi më i papërgjegjshëm që mund të imagjinohet.
I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të ndërmarrë hetimet më të vendosura për këtë akt të pashembullt që ka vulën e bashkautorësisë dhe papërgjegjshmërisë ekstreme të qeverisë organizatë e vërtetë kriminale!