Tahiri nuk lejon zbulimin nga ajri të parcelave të drogës

Një skandal tjetër i rëndë, duket se është në prag të shpërthimit në Ministrinë e Brendshme. Në mënyrë të qëllimshme po pengohet dhe po shtyhet sa të mundet zbatimi i marrëveshjes me policinë italiane për zbulimin nga ajri të parcelave të drogës në vendin tonë. Sipas burimeve të “Syri.net”, të gjitha komisariatet kanë rreth një muaj që presin hartën me fotot, ashtu si është operuar që nga viti 2012, pritet të bëhen nga një avion special i Guarda di Finanza.
Burimet thonë, se marrëveshja dhe plani operacional mes dy palëve është bërë që më datën 15 qershor të këtij viti dhe duhej të niste zbatimin në terren që në mes të muajit qershor. Por ka kaluar gati një muaj dhe kjo nuk po ndodh, sepse pala shqiptare ende nuk po jep lejen zyrtarisht për fluturimet, kjo sipas një pike të Protokollit të firmosur 4 vjet më parë.
Kjo vonesë “absurd”, po ndodh pikërisht në kulmin e vjeljes së hashashit dhe sipas informacioneve trafikantët që kanë mbjellë sipërfaqe të mëdha, sikur t’u kenë dhënë afat, po shpejtojnë të korrin dhe sistemojnë drogën. Sipas të njëjtave burimeve, kjo “neglizhencë” ka habitur edhe përfaqësuesit e Guarda di Finanzas në Shqipëri.
Por si është historia dhe e vërteta e marrëveshjes shqiptaro-italiane për monitorimin nga ajri?
Më 16 maj të vitit 2012 mes policisë shqiptare dhe Guardia di Finanza është nënshkruar një marrëveshje për zbatimin e një Protokolli Operacional mes dy policive, me synim monitorimin nga ajri të territorit të Republikës së Shqipërisë, për zbulimin dhe fotografimin e parcelave të mbjella me drogë. Sipas kësaj marrëveshjeje avionë të policisë italiane, të pajisur me teknologjinë më të fundit, në periudhën qershor-shtator për çdo vit, do të fluturonin mbi territorin e vendit dhe do të identifikonin dhe fotografonin sipërfaqet e mbjella me kanabis, edhe në zona të cilat nuk mund të zbulohen dot nga toka prej policisë shqiptare.
Dhe faktikisht që prej vitit 2012 deri në vitin 2015, pavarësisht disa incidenteve kur edhe janë qëlluar me armë nga kultivuesit e drogës, monitorimi nga ajri është kryer rregullisht me sukses, duke zbuluar qindra hektarë të mbjellë, në zona në të cilat policia shqiptare nuk hyn dot, por edhe në ato territore në të cilat ajo ka “mbyllur sytë”, apo ka qenë “bashkëpronare” me kultivuesit.
Edhe për këtë vit, ky plan është bërë që në mes të muajit të kaluar dhe duhej të ishte prej kohësh në zbatim.
Fotografimi nga ajri i parcelave me drogë që kanë mbuluar të gjithë vendin nga Jugu në Veri nuk lejohet nga Tahiri për shkak se ato janë nën administrimin e vetë drejtuesve të policisë në bashkëpunim me trafikantët e drogës. Siç duket, Tahiri pret që të korret dhe të bëhet gati për t’u trafikuar pastaj të zbatojë marrëveshjen me palën italiane për zbulimin nga ajri të parcelave të drogës në vendin tonë. Prej disa ditësh ka filluar prerja dhe përgatitja e kanabisit për t’u trafikur. Bëhet e ditur se, parcelat me drogë ruhen nga banditë të armatosur dhe punonjës policie.