Statistikat e Euro 2016

Epilogu i Europianit 2016 i dha fund spektaklit fantastik të futbollit me finalen e madhe që sanksionoi Portugalinë kampione të re të kontinentit. Por turneu i kësaj vere ku ishte prezente edhe kombëtarja shqiptare, regjistroi numra dhe statistika impresionuese e të veçanta.
Thuajse 2 miliardë euro janë të ardhurat në total të gjeneruara nga Euro 2016, të zyrtarizuara nga qeveria e futbollit kontinental. 108 gola u shënuan në të gjithë turneun me një mesatare prej 2.12 për çdo ndeshje, që është edhe më e ulëta për një Kampionat Europian që prej vitit 1996.
52 postime për çdo minutë në rrjetin social Twitter, pasuan golin e bukur të Geret Bejl në portën e Anglisë, sfidë e vlefshme për Grupin B të luajtur në stadiumin e Lons. 33 mijë spektatorët në stadiumin e Tuluzit në një ndeshje ishte pjesëmarrja minimale në impiantet e Europianit 2016.
Kishte vetëm 3 kartona të kuq në 51 ndeshje të zhvilluara në turneun e futbollit dhe një prej tyre erdhi në dëm të një shqiptari, me penalizimin e Lorik Canës, më 11 qershor ndaj Zvicrës.
Gjermania kishte 79% mbajtjen e topit ndaj Irlandës së Veriut dhe kjo është më e larta në një ndeshje të vetme që prej Europianit 1980.
Portieri që kishte më shumë punë në kuadratin e tij ishte islandezi Haldorson që bëri 227 pritje vendimtare, ndërsa 20 ishte numri mesatar i goditjeve të Anglisë për çdo ndeshje, më shumë se çdo tjetër. Por duhet nënvizuar efikasiteti i ulët i “3 Luanëve” që shënuan vetëm 4 gola në 4 ndeshje.
Antoine Griezmann shpallet lojtari më i mirë i Euro 2016. Paneli i UEFA-s, i përbërë nga 13 specialistë, ndër të cilët Sër Aleks Ferguson, Alan Giresse apo David Moyes, ka qenë i mendimit se sulmuesi i Francës me 6 golat e tij të konsiderohet më i miri i turneut. Edhe pse nuk arriti të ngrinte lart trofeun, 25-vjeçari rezultoi vendimtar për Francën që në ndeshjet e grupeve e deri në gjysmëfinale me Gjermaninë, si autor i dy golave që i dhuruan kualifikimin “Gjelave” për në finale. UEFA ka shpallur edhe 11-shen më të mirë të turneut, ku janë përfshirë 4 portugezë, tri gjermanë, 2 francezë dhe 2 uellsianë.
Në rreshtimin 4-2-3-1 në pozicionin e portierit është Rui Patricio i Portugalisë. Një vendim mëse logjik për kampionin e saposhpallur të Europës, i cili gjatë fazës me eliminim direkt ka pësuar vetëm një gol në fazën çerekfinale ndaj Polonisë.