Shkurtim shpenzimesh për investimet publike por jo për luksin qeveritar

E ndërsa shkurtimi i shpenzimeve për investimet publike është një ndër vendimet që qeveria merr në mënyrë të vazhdueshme, ndryshe ndodh me shpenzimet për luksin qeveritar. Janë me dhjetra tendera që gjithë selia e qeverisë, me çdo ministri përkatëse e mandej edhe institucione të tjera shpallin me qëllim rikonstruksionin e zyrave si dhe tndera të tjerë që kanë të bëjnë rritjen e komoditetit të pushtetarëve. Situata e rëndë ekonomike dhe shkurtimi i shpenzimeve publike është diçka që tashmë është konstatuar edhe nga Komisioni Europian. Shkurtim shpenzimesh me qëllim uljen e borxhit. Kjo do të jetë filozofia që do të karaterizojë buxhetet e Shqipërisë deri në vitin 2018. Në raportin e fundit të Komisionit Europian për reformat ekonomike të vendeve që aderojnë të anëtarësohen në BE theksohet nevoja për kosolidimin fiskal të financave të Shqipërisë, që do të vijë nëpërmjet reduktimit të shpenzimeve buxhetore. Në këtë raport vihet re gjithashtu performanca e dobët në mbledhjen e të ardhurave, që parashikohet të vijojë edhe në dy vitet e ardhshme. Ne pritet të mbledhim të ardhura sa 27.3% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, duke qenë më ulët se të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të kosovës. Shqipëria do të jetë e detyruar t’i nënshtrohet shtrëngimit fiskal edhe gjatë dy viteve të ardhshme në përpjekje për të ulur borxhin. Raporti i fundit i Komisionit Europian për reformat ekonomike të vendeve që aderojnë të anëtarësohen në BE nxjerr në pah zhvillimet ekonomike dhe fiskale në rajon, ku Shqipëria për disa nga treguesit paraqitet më dobët. Një prej tyre janë të ardhurat e grumbulluara kundrejt prodhimit të përgjithshëm kombëtar, ku vendi ynë në periudhën afatmesme 2016-2018 parashikohet të grumbullojë 27.3 për qind të PBB-së, ndërsa Serbia, Turqia dhe Mali i Zi synojnë mbi 39 për qind, Maqedonia synon të grumbullojë 31 për qind, ndërsa më dobët në Rajon paraqitet Kosova me 25 për qind të grumbullimeve fiskale në raport me PBB. Raporti evidenton gjithashtu se Shqipëria është e detyruar qe deri ne vitin 2018 të shkurtojë shpenzimet në përpjekje për të ulur borxhin, një konsolidim fiskal që ka nisur që këtë vit. Kështu, nga 29.6 për qind e Prodhimit të përgjithshëm kombëtar që janë totali i shpenzimeve këtë vit, ato planifikohen të zbresin në 28.7% vitin e ardhshëm dhe të tkurren më tej në 27.8% në vitin 2018. Ndërkohë që vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të kosovës kanë shpenzime ndjeshëm më të larta në raport me prodhimin kombëtar. Raporti evidenton se në një periudhë afatmesme borxhi i Shqipërisë do të zbresë nga 70.6% që pritet të arrijë këtë vit në 67.7% vitin e ardhshëm dhe 63.6% në vitin 2018. “Planet e politikave të Serbisë dhe Shqipërisë, të cilat kanë nivelin më të lartë të borxhit në rajon, parashikojnë ambicie të forta drejt konsolidimit fiskal, por në themel te planeve mungojnë masat specifike”, analizon raporti i komisionit europian. Sipas tij, Serbia synon të zhvillojë më tej programin e buxhetimit për të përmirësuar analizat e ndikimit dhe monitorimin e ndërmarrjeve shtetërore, ndërsa Shqipëria ka themeluar një njësi të dedikuar të ardhurave brenda Ministrisë së Financave, e cila synon të rrisë rezultatet në arkëtime.