Reforma, pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve mbi 4 milionë lekë në muaj

Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sipas pr/ligjit të ri për statusin e tyre, arrijnë deri në 4 milionë lekë në muaj. Drafti është pjesë e pr/ligjeve që shoqërojnë paketën e Reformës në Drejtësi, e cila votohet më 21 korrik në Kuvend. Pr/ligji mbi statusin e gjyqtarëve dhe prokurorët i ndan në 3 grupe apo nivele, njerëzit e drejtësisë.
Në grupin e parë përfshin gjyqtarët dhe prokurorët e Shkallës së Parë të juridiksionit të zakonshëm dhe atij Administrativ, të cilët do të përfitojnë një rritje me 150% paga referuese. Për dy vitet e para të punës rroga e tyre do të jetë 296 mijë lekë të reja, duke u rritur në vijim gradualisht, derisa nga viti i 37 i punës e tutje, do të përfitojnë mbi 380 mijë lekë të reja në muaj.
Grupi i dytë përfshin magjistratët dhe prokurorët e Shkallës së Dytë, asaj të Apelit, të cilëve me ligjin e ri do t’u rritet rroga me 158% nga paga referuese në bazë të së cilës paguhen aktualisht. Në dy vitet e para të karrierës, ata do të përfitojnë mbi 305 mijë lekë të reja, derisa pas 37 vitesh karrierë paga e këtij grupimi do të shkojë në mbi 390 mijë lekë të reja.
Magjistratët e Gjykatës së Lartë, ata të Prokurorisë së Përgjithshme si dhe magjistratët që ushtrojnë funksionin në të gjitha nivelet e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Prokurorinë e Posaçme.
Kjo kategori përfiton rritje prej 166% nga paga referuese aktuale. Në dy vitet e para të karrierës, kjo kategori do të marrë gati 315 mijë lekë në muaj. Me vitet e punës, rroga do të rritet gradualisht derisa pas 37 vitesh karrierë, paga e tyre mujore do të kapërcejë 400 mijë lekët. Ose thënë ndryshe, do të përfitojnë mbi 4 milionë lekë të vjetra në muaj.