Rama tërhiqet dhe pranon që të udhëhiqet nga opozita

Kreu i qeverisë u tërhoq mbrëmë nga përgjegjësia e kreut të një shumice qeverisëse për të drejtuar Reformën në Drejtësi dhe deklaroi se do të votonte çdo propozim që do të vinte nga opozita për këtë reformë, duke patur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Rama e bëri deklaratën e tij në Facebook, ndërsa një ditë më parë i bëri thirrje kreut të opozitës, Basha që të takoheshin për të gjetur një zgjidhje për reformën. Basha zgjodhi rrugën publike të propozimit të alternativës që opozita paraqet për të miratuar këtë reformë.
Deklarata e mbrëmshme e Ramës është në të njëjtën kohë edhe fundi politik i tij në krye të një shumice qeverisëse. Rama ka lënë të kuptohet se tashmë ai nuk përfaqëson më shumicën në qeverisje dhe lënia e stafetës në duart e opozitës e bën këtë forcën udhëheqëse jo vetëm të Reformës në Drejtësi, por edhe të zhvillimeve të tjera politike në vend gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme.
Deklarata e mbrëmshme e Ramës mund të kuptohet në të njëjtën kohë edhe si një dorëheqje de fakto nga pozicioni i kreut të qeverisë. Prej kohësh Rama deklaron se është i gatshëm që të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Mbrëmë vetëm se ka paralajmëruar se është i bindur që ta çojë deri në fund këtë vendim. Arsyet se përse Rama ka vendosur të bëjë një zgjidhje të tillë, kanë të bëjnë me rikonfigurimin e numrave në Parlament. Një krizë e fortë politike që me aleatin e saj LSI dhe përballja e vazhdueshme me opozitën e kanë reduktuar numrin e votuesve të Ramës në Parlament në vetëm 55 të tillë. Kjo nuk e mundëson Ramën që ai të krijojë një shumicë parlamentare për të vazhduar së qeni në krye të qeverisë.
Shpresa e vetme e Ramës tani është që ai të mund të drejtojë qeverinë deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Ky duket një skenar i pamundur. Opozita e ka bërë të qartë se vendi nuk do të shkojë drejt zgjedhjeve me Ramën Kryeministër. Zgjidhja e vetme që mbetet tani është gjetja e hapave që do të mundësojnë krijimin e një qeverie teknike me një shumicë të përkohshme në Parlament për të bërë të mundur realizimin e disa reformave të rëndësishme deri në zgjedhjet e reja. Pas Reformës në Drejtësi një nga këto reforma do të jetë edhe reforma elektorale, ndësa mjaft e rëndësishme për opozitën konsiderohet edhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit.

Debatet për zgjedhjet në Parlament

Përplasje dhe debate e kanë shoqëruar seancën e djeshme plenare lidhur me Reformën në Drejtësi.
Mes akuzave kush e do dhe kush nuk e do reformën, deputeti socialist Erion Braçe sfidon duke thënë që: “Hajde të shkojmë në zgjedhje kur ju të dëshironi. Ju me alternativën tuaj e ne me alternativën tonë”. I menjëhershëm ishte reagimi i kreut të Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, i cili deklaroi se do të shkojmë në zgjedhje më shpejt se sa ju e mendoni.
“Po bëni çdo përpjekje, ju kahu i mazhorancës që t’u tregoni shqiptarëve që ne këtej jemi krahu antiperëndimor ndërsa ky që shkruante kundër NATO-s, në gazetën që drejtonte, pro perëndimor. Shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje. Po. Brenda shtatorit do të shkojmë në zgjedhje”, tha Paloka.