Quaresma: Medalja? Nëse është e artë, do ta shes

Ricardo Quaresma mund t’i dhurojë vetes një bonus të majmë në fund të këtij europiani. Sulmuesi kampion Europe ende pa e marrë veten nga festimet e gjata, bën një deklaratë ndoshta në kufijtë e komikes. Ashtu siç është bërë traditë, në përfundim të një evenimenti të tillë, fituesit nderohen me medalje që në gjuhën sportive konsiderhet e “artë”, por Quaresma nuk është i sigurt, nëse bëhet fjalë vërtet për ar. Në një intervistë dhënë për gazetën “O Jogo”, i pyetur se çfarë do të bëjë me medaljen, ai u përgjigj shkurt dhe ndoshta me pak humor: “Nëse është vërtet prej ari mendoj ta shes”.
Quaresma shënoi golin vendimtar në fitoren ndaj Kroacisë, por realizoi edhe 11 metërshin e fundit ndaj Polonisë, ku i siguroi Portugalisë biletën e gjysmëfinales. Ai zëvendësoi Cristiano Ronaldon në finalen e Parisit dhe ka një mesazh për të gjithë ata që kritikojnë stilin e lojës së Portugalisë. “Të them të drejtën nuk kam parë asnjë prej tyre pas suksesit tonë, por shpresoj që të shesin sa më shumë libra me ato që thonë. Gjithsesi, unë mendoj se të shesësh shumë libra nuk do të thotë se domosdoshmërisht kupton nga futbolli”, thekson sulmuesi i Besiktasit që gjatë këtij sezoni u shpall edhe kampion i Turqisë.