Qeveria u heq pagesën nëse janë të punësuar, paraplegjikët gati për protesta

Në vjeshtë, personat me aftësi të kufizuara pritet të dalin në protesta në të gjithë vendin. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, Sinan Tafaj ka deklaruar se qeveria po u heq pagesat për ata që marrin një rrogë apo pension pleqërie. Ai theksoi se ky planveprim i qeverisë nuk mbështet kategorinë e të verbërve, ul pagesat e paaftësisë dhe përjashton fëmijën nën 2 vjeç të lindur me kufizime fizike. Tafaj: “Vendosja e kritereve të moshës, do të thotë t’u vështirësosh jetën e tyre prindërve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara. Baza mbi të cilën do të llogariten të ardhurat e pagesës së aftësisë së kufizuar do të jetë pensioni social, i cili është 67 mijë lekë”. Tafaj u bëri apel institucioneve dhe shoqatave për t’u ardhur në ndihmë, në të kundërt ata paralajmërojnë se do të ndjekin rrugë të tjera për të hedhur poshtë këtë planveprim të qeverisë. Tafaj: “Unë këtë shqetësim ia kam bërë të ditur organizatave kombëtare, siç është Shoqata e Paraplegjikëve, organizatës së invalidëve. Të gjithë e dinë dhe unë shpresoj që ata të reagojnë. Gjithsesi, të verbrit janë të përgatitur për të reaguar”. “Vendimi i 8 qershorit ka cenuar rëndë pagesën e aftësisë së kufizuar, që nuk është më një kompensim financiar për këtë kategori, por është kthyer në një pagesë ekonomike për të mbijetuar për ata njerëz që nuk kanë asnjë lloj të ardhure. Për të marrë këtë pagesë nuk duhet të marrësh pension invaliditeti apo pleqërie sipas Ligjit 7703”, ka deklaruar Tafaj. Edhe fëmijët e vegjël nën dy vjeç, të cilët kanë aftësi të kufizuara nuk do të trajtohen me pagesë. Ky vendim i qeverisë hyn në fuqi më 1 shtator, për t’u zbatuar si fillim si projekt pilot në njësitë numër 6 dhe 7 në Tiranë për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.