Përse e shpëtoi FBI-ja Hillarin?

Massimo CALABRESI

Me një deklaratë tepër të pazakontë të martën në mëngjes, drejtuesi i FBI-së, James Comey tha se Hillary Clinton dhe bashkëpunëtorët e saj mund të kenë shkelur ligjin duke përdorur një server privat të postës elektronike kur ishte sekretare e Shtetit, por veprimet e tyre nuk justifikonin akuza kriminale. Në hetimin njëvjeçar për të zbuluar se si kanë arritur sekretet qeveritare në server, Comey tha, “FBI-ja zbuloi prova të shkeljes potenciale të statusit në lidhje me menaxhimin e informacionit të klasifikuar, por jemi duke i treguar Departamentit të Drejtësisë gjykimin tonë se në këtë rast nuk ka asnjë akuzë të vlefshme.
Në sistemin amerikan, drejtësia varet jo vetëm nga juritë dhe gjyqtarët, thotë Comey, por edhe nga vendimet e hetuesve dhe prokurorëve. Oficerët e zbatimit të ligjit peshojnë një sërë faktorë përpara se të ngrenë akuza, vazhdoi ai, dhe për t’i marrë këto vendime me përgjegjshmëri duhet të marrin në konsideratë veprimet e në personi dhe mënyrën se si janë trajtuar situata të ngjashme në të shkuarën. Normalisht këto vendime merren mbrapa kuintave, por Comey tha se për shkak se rasti ka marrë interes të lartë publik, ai kishte vendosur të shpjegonte përse veprimet e Hillary Clinton nuk e justifikonin përndjekjen penale.
Comey është ai që i sjell kredibilitetin jopartiak dhe të pavarur këtij vendimi. Siç është përshkruar në artikullin e “TIME” marsin e kaluar, ai ka hetuar Bill dhe Hillary Clintonin me debatime të shumta të profilit të lartë me kalimin e viteve, përfshirë edhe marrëveshje imobilare të Arkansasit, faljet e papritura presidenciale të Bill Clinton në janar të vitit 2001 dhe tani çështjen e postës elektronike. Si ish-kryeprokuror i administratës së George W. Bush në vitet 2003-2005, Comey ka hetuar edhe zëvendëspresidentin Dick Cheney dhe aleatët e tij për përgjime të jashtëligjshme.
Që nga fillimi i çështjes së postës elektronike të Clintonit verën e kaluar, Comey i këshilloi agjentët e tij që ta ndiqnin hetimin në mënyrë të pavarur. Ai emëroi 20-30 agjentë që të hetonin këtë çështje me kohë të plotë dhe ata kanë mbledhur dhe lexuar dhjetëra mijëra e-mail-e, duke analizuar njëkohësisht disa servera të ndryshëm dhe aparate celularë të përdorur për të dërguar dhe marrë masazhe. Ata kanë marrë gjithashtu dhjetëra intervista, përfshirë këtu vetë Hillary-n dhe bashkëpunëtorët e saj të ngushtë.
Gjatë hetimit agjentët gjetën mijëra e-mail-e që përmbanin informacione që duhet të ishin trajtuar si sekrete qeveritare, tha Comey të martën, përfshirë edhe tetë mesazhe që ishin siguar si “top sekrete”. Të gjithë këto mesazhe ishin dërguar dhe marrë nga kanale të pasigurta dhe të paklasifikuara në rrjetin privat të postës elektronike të Clintonit. Ndërkohë që agjentët nuk zbuluan asnjë provë direkte që rrjeti të ishte hakuar, FBI-ja mendon se është e mundur që disa aktorë armiqësorë ta kenë bërë këtë. Kombinimi i këtyre fakteve e detyroi drejtorin e FBI-së të deklaronte të martën se, stafi i ngushtë i bashkëpunëtorëve të Clintonit ishin treguar ekstremisht të pakujdesshëm në trajtimin e informacionit të klasifikuar.
Teknikisht, ky përfundim mund ta kishte vënë Clintonit përpara përgjegjësisë ligjore. Ligjet për informacionin e klasifikuar nuk autorizojnë ndëshkimin e zyrtarëve të qeverisë për papërgjegjshmëri, por janë shkruar aq gjerësisht sa mund të arrihet edhe në këtë interpretim. Një seksion i Aktit të Spiunazhit, për shembull, thotë se kushdo që është autorizuar të trajtojë sekrete dhe që në neglizhencë të rënduar lejon që ato të zhvendosen nga vendi ku ruhen, duhet të gjobiten ose të ndëshkohen për jo më shumë se 10 vjet ose të dyja. Ligje të tjera që kontrollojnë sekretet qeveritare janë po aq të zgjeruara, veçanërisht kur bëhet fjalë për materiale “top sekret”.
Praktikisht, zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë vendosur një prag tepër të lartë për shkeljen që duhet të kryhet për të qenë në ndjekje penale dhe kërkohet një qëllim i vërtetë kriminal, gjë që Comey thotë se mungon në rastin e Clintonit. Duke qenë se qeveria është e mbushur me sekrete, ndodh shpesh që ato të trajtohen me pakujdesi. Në vitin 2013, sipas Arkivave Kombëtare, agjencitë e degës së ekzekutivit krijuan mbi 77 milionë dokumente me sekrete, përfshirë 46,800 me sekrete të reja. FBI-ja merr duzina të tëra informacione sekrete të bëra publike çdo vit, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Prokurorët kanë qenë gjithashtu të kujdesshëm për të kontrolluar nëse akuzat e gjera të ligjit të spiunazhit do të mund të provoheshin në gjykatë, veçanërisht në rastet e organizatave të lajmeve që ndjekin informacionet sekrete për t’i publikuar, në rastin e Clintonit, prokurorët zbuluan se të paktën disa nga informacionet e klasifikuara përmbanin nga një kopje artikulli gazete që më pas i ishte dërguar Hillary Clintonit për ta lexuar.
Për të qenë të saktë, Departamenti i Drejtësisë është treguar agresiv në përpjekjen e rasteve të nxjerrjes së sekreteve në disa raste, veçanërisht në drejtimin e Presidentit Obama. Trajtimi i pakujdesshëm i sekreteve nga ana e Clintonit nuk e justifikonte përndjekjen penale, tha Comey, krahasuar me raste të tjera që janë dërguar në gjykatë. “Kur shikojmë raste të tjera të ngjashme të trajtimit të pakujdesshëm apo fshirjes së informacioneve të klasifikuara, nuk mund të gjejmë arsye të forta për të ngritur akuza kriminale mbi këto fakte”, tha ai.
Deklarata e Comey-t duket se i ka inatosur të dyja palët. Republikanët, përfshirë edhe kandidatin potencial republikan, Donald Trump, si dhe Paul Ryan e kritikuan ashpër drejtorin e FBI-së pasi vendos të mos ngrejë akuza formale kundër Hillary-t. Ndërkohë, mbështetësit e partisë së saj e kritikuan për faktin se vendosi të flasë publikisht për këtë çështje. Mbetet ende të shihet nëse do të vërshojnë akuza drejtuar FBI-së se është duke mbrojtur politikisht një kandidate për presidente vetëm katër muaj përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI