PD i përgjigjet nevojës së një familjeje të varfër

Doriani 14 vjeç ka nevojë për ndihmë. Vuan nga një sëmundje e rëndë dhe familja e tij e varfër megjithëse po bën çdo gjë të mundshme, nuk ia del dot të sigurojë kurimin dhe ilaçet. Familja Poka jeton në Lagjen 15 në Durrës. Pasi kanë marrë borxh tek të afërmit e tyre, si dhe një kredi në bankë, prindërit e Dorianit shprehen së tashmë nuk kanë më asnjë mundësi për të paguar për shërimin e djalit të tyre. Babai i Dorianit, Zamir Poka, i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve ta ndihmojnë, pasi ai nuk ka gjetur ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë duke u detyruar të paguajnë miliona për ilaçet e djalit.
“Deri tani ilaçet i kemi përballuar me borxhe. Kam shkuar dhe kam marrë edhe kredi. Por tani e mbrapa e kam shumë vështirë se nuk kam më. Herën e parë ilaçet më shkuan dy milionë e gjysmë. Më pas kam paguar edhe 300, 500 etj. Nga ministria dhe spitali nuk kemi pasur asnjë ndihmë”, tha Poka.
Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Saliaji iu përgjigj thirrjes për ndihmë të kësaj familje. Salianji u shpreh se qeveria duhet të reagojë menjëherë për të shpëtuar jetën e djalit 14-vjeçar dhe të miratojë një fond me VKM ose ta dërgojë jashtë vendit për kurim, siç ka vepruar edhe për persona të tjera të njohur e publikë.
“Ne shpresojmë që të ndërgjegjësojmë qytetarët dhe atë pjesë të shoqërisë, e cila ka mundësi të ndihmojë. Hapni një numër llogarie në mënyrë që çdokush sa të mundet t’u ndihmojë. Ne u bëjmë thirrje publike të gjithëve të vijnë në ndihmë. Unë i bëj një thirrje ministrit të Shëndetësisë dhe Kryeministrit. Duke qenë se politika bëhet për njerëzit dhe nuk ka gjë më të rëndësishme se sa jeta e një fëmije, i cili për fatkeqësinë e tij ka rastisur që të heqë këtë vuajtje në këtë moshë, qeveritarët duhet të bëjnë të mundur që të çojnë për kurim jashtë djalin tuaj. Nuk është aspak më e rëndësishme jeta e një klienti apo njeriu të njohur për qeverinë të cilit i përgjigjen në çdo moment, qoftë për ta çuar jashtë shtetit e qoftë për t’i dhënë fond me VKM për t’u kuruar apo për të vendosur para publike në tendera e për të bërë zyra. Dua t’i bëj thirrje publike kujtdo që ka mundësi të vërë dorën në zemër e të bëjë diçka dhe çdo gjë të mundur”, tha Salianji.
Gjyshja e djalit kërkoi nga gjithë shqiptarët ndihmë për të shpëtuar jetën e nipit të saj. “E di gjithë Durrësi që jemi në borxh e në kredi. Sa e mbaruam këtë shtëpi na ra çuni e prej 6 muajsh e kemi në krevat. Ne i bëjmë thirrje kujdo të na ndihmojë. Ju lutem të na ndihmoni”, apeloi ajo.