Pas vendimit të Kushtetueses, profesionet e lira të paqarta për deklarimin e sigurimeve

Teksa data 20, që është afati i fundit të deklarimit të sigurimeve po afron, profesionet e lira janë në dilemë, nëse duhet të paguajnë sigurimet e qershorit apo tremujorit të tretë, në bazë të pagave referencë, apo me pagën minimale. Kjo, pasi në 14 korrik Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë si të papajtueshën me Kushtetutën një vendim të janarit 2016, që vendoste paga referencë për efekt të llogaritjes së sigurimeve për profesionet e lira. Vendimi i janarit trefishonte sigurimet që duhet të paguanin profesionistët (mesatarisht nga 6500 lekë në muaj në bazë të pagës minimale që ishte më parë, në 21000 lek në muaj) dhe shfuqizimi i tij u mirëprit prej tyre. Flobenc Dilaveri, nëndrejtor i përgjithshëm i tatimeve tha se tatimet nuk mund të thonë asgjë se si duhet bërë pagesa për momentin, sepse ata po presin zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nga momenti që nuk është zbardhur vendimi, detyrimet duhet të vazhdojnë të paguhen me pagat referencë, ose mund të pritet disa ditë sa të zbardhet vendimi dhe bizneset mund të shtyjnë pagesat, por në këtë rast do të merrnin gjobë 10 mijë lekë për vonesë në deklarim (që me kërkesë edhe mund të sistemohet). Ai thotë se nuk e dinë nëse vendimi do të hyjë në fuqi në korrik (përfshirë deklarimet që duhet të bëhen aktualisht), apo do të ketë dhe efekt prapaveprues (që do nënkuptonte që shuma e paguar tepër do u kreditohej bizneseve në muajt e ardhshëm), gjithçka do të sqarohet në zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Burimet zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, të pyetura nga “Monitor” u shprehën se ky vendim duhet të kalojë në disa procedura në mënyrë që të marrë formë të prerë. Në fillim duhet të zbardhet e më pas të marrë firmën e të gjithë anëtarëve të trupit gjykues. Me përfundimin e të gjitha procedurave që parashikon ligji atëherë bëhet botimi në Fletoren Zyrtare. Aty përcaktohet edhe se kur hyn në fuqi. Po të njëjtat burime theksuan se nuk ka një afat të përcaktuar saktësisht se kur mund të bëhet zbardhja e vendimit dhe se deri në hyrjen në fuqi duhet të veprohet sipas ligjit aktual “Për mbledhjen e detyrueshme të sigurimeve shoqërohe dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”. Gjithashtu sipas burimeve zyrtare të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të thuhet me saktësi ( pa u zbardhur vendimi) nëse do të ketë apo jo fuqi prapavepruese. Në rastin e shfuqizimit të ligjit të gjobave nga Gjykata Kushtetuese, në dhjetor të vitit të kaluar, vendimi nuk ka pasur efekt prapaveprues (dmth gjobat nuk u hoqën për ata që i kishin në kohën që ishin në fuqi ndryshimet në ligjin e  procedurave që vendosën gjoba shumë të larta). Megjithatë, zgjidhja duket se është gjetur përmes amnistisë që po diskutohet aktualisht, që parashikon faljen e gjithë gjobave.