Pas supergrabitjes Aeroporti i Rinasit shton kamerat e sigurisë

Porta numër 3 në Aeroportin e Rinasit bëhet me kamerë sigurie. Por kjo u vendos vetëm 8 ditë, pasi grabitësit thyen çelësin e kësaj porte dhe hynë brenda perimetrit të sigurisë së aeroportit të pa shqetësuar.
Ata udhëtuan për mbi 1 km deri te vendi ku ndodheshin furgonët e blinduar që transportonin paratë e bankave të nivelit të dytë. Aty, grabitësit e armatosur, të maskuar dhe me paruke morën dy thasë me para, që mendohet se shuma e vjedhur është rreth 1 milion euro.
Veç kamerave të sigurisë, kompania private i ka vendosur edhe një zinxhir të ri portës. Ajo që duket edhe në pamje, tashmë kjo portë ruhet 24 orë nga jashtë nga punonjës të policisë dhe nga brenda kompani private ka shpeshtuar kontrollet.
Në lidhje me autorët e ngjarjes, policia dhe Prokuroria ende nuk kanë një të arrestuar, pavarësisht se kanë krijuar identikitin e përafërt të pamjes së autorëve. Pasi asnjë kamera sigurie e Aeroportit të Rinasit nuk i ka fiksuar nga afër, por nga një distancë e largët, kjo për shkak se aeroporti nuk ishte i mbuluar i gjithi me kamera sigurie.
Nga ana tjetër, dosja tashmë ka kaluar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi dyshohet se autorët e grabitjes funksionojnë si një grup i strukturuar kriminal me role të ndryshme në grabitje.
Mendohet se në grabitje kanë marrë pjesë tre persona, të cilët, pasi janë larguar nga pista e aeroportit kanë djegur makinën dhe janë larguar me dy mjete të ndryshme. Për këtë fakt, dosja ka kaluar për vazhdim hetimesh pranë Krimeve të Rënda, e cila brenda 10 ditëve do t’i nxjerrë para gjykatës 5 të arrestuarit për këtë ngjarje.
Shefin e Kompanisë së Sigurimit Privat të ICTS, Arben Karafili, bashkë me dy vartësit e tij, Bledar Blloshmi dhe Fadil Jonuzaj që kishin për detyrë patrullimin e aeroportit, drejtorin e Shërbimeve Aeroportuale, Vangjel Nikolla dhe punonjësin e bankës së nivelit të dytë Kujtim Picari, që akuzohet për “shpërdorim të detyrës”.