Parlamenti Europian miraton heqjen e vizave për Kosovën

290

Kosova ka shënuar një tjetër hap pozitiv në procesin e liberalizimit të vizave, teksa Komiteti i Politikave të Jashtme në Parlamentin Europian ka miratuar propozimin e Komisionit. Për mediat është prononcuar menjëherë raportuesja e Kosovës në PE, Ulrike Lunacek, e cila bëri edhe njëherë thirrje për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi si dhe luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, si kushte themelore për të vijuar më tej. Komiteti i Politikave të Jashtme në Parlamentin Europian ka miratuar propozimin e Komisionit për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke shënuar kështu një tjetër hap të rëndësishëm për Prishtinën zyrtare. Në votim morën pjesë gjithsej 49 anëtarë të këtij komiteti, të cilët votuan me 36 vota pro, 7 kundër dhe 6 abstenime. Miratimi i propozimit u përshëndet menjëherë nga raportuesja për marrëdhëniet me Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, e cila u shpreh se topi tani është në gjysmëfushën kosovare. Ajo deklaroi se Prishtina duhet të shënojë progres në dy aspekte, të cilat janë: 1 – Ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi dhe 2 – Progresi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një ditë më parë, rapotuesja për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon, e shtyu votimin për këtë  çështje deri më datë pesë shtator, me argumentin se Prishina nuk ka arritur që të shënojë progres në kushtet e vendosura më herët. Ajo u shpreh se kërkon që Kosova të marrë një votë pozitive në Parlament pasi qytetarët meritojnë që të lëvizin lirisht sa më shpejt të jetë e mundur. Fajon kërkoi që politikanët të marrin përsipër më shumë përgjegjësi në mënyrë që procesi të kryehet në një periudhë sa më të shkurtër të mundshme. Marrëveshja e demarkacionit pritet që shumë shpejt të kalojë për votim në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, ratifikimi i saj nuk do të jetë i lehtë në kushtet kur partitë opozitare janë shprehur kundër saj. Miratimi i marrëveshjes kërkon dy të tretat e parlamentit ose thënë ndryshe, një votë pro nga 80 deputetë. Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, që është njëherësh edhe raportuese për Kosovën, tha se “topi është në oborrin e parlamentit dhe qeverisë së Kosovës. “Më vjen keq që deri tash nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm në lidhje me përmbushjen e dy kritereve të fundit për liberalizimin e vizave, si ratifikimi ende në pritje i marrëveshjes kufitare me Malin e Zi dhe që qeveria të dëshmojë më shumë përparim në dënimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë”, tha zonja Lunaçek . “Tash është koha për të vepruar dhe u bëj thirrje të gjithë politikanëve përgjegjës të të gjitha palëve në Kosovë që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm dhe të hapin rrugën për udhëtimet pa viza”, tha mes tjerash zonja Lunaçek. Të martën, raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, tha se Komiteti për liritë civile shtyu për 5 shtator votimin për këtë çështje për shkak të mungesës së përparimit në ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Por asnjëri nga vendimet e komiteteve të Parlamentit Evropian, nuk ka ndikuar në zbutjen e ndarjeve të thella rreth kësaj çështjeje në Kosovë. Opozita pohon se marrëveshja e nënshkruar në gusht të vitit 2015, e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj, me gjithë vlerësimet edhe ndërkombëtare se shënimi i kufirit është në pajtim më dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, ritheksoi të enjten kundërshtimin ndaj marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, duke kërkuar aq ajo të mos dërgohet si e tillë në parlament. “Me asnjë kusht kjo marrëveshje për demarkacion as nuk bën të ratifikohet e as të sillet në Kuvend në formën në të cilën është. Zgjidhja është shumë e lehtë dhe e thjeshtë; marrëveshja duhet të rishikohet dhe procesi duhet të fillojë nga zero”, tha ai duke nënvizuar se “nuk ka forcë politike në Kosovë që e kundërshton idenë e demarkacionit me Malin e Zi, por demarkacioni, nuk duhet ta cenojë interesin as të Kosovës e as të Malit të Zi”. Kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli, i bëri thirrje lëvizjes Vetëvendosje që të lejojë debatin. “Ju nuk po na lejoni as të bisedojmë. Ju nuk e dini as çfarë mendimi kemi. Ju nuk e dini as çfarë vendimi do të marrim. Na lejoni mundësinë që njerëzit të na dëgjojnë dhe pastaj vendimmarrja do të jetë transparente. Ju nuk mund t’ua impononi kolegëve të tjerë deputetë marrjen e vendimit”, tha zoti Veseli. Ratifikimi i marrëveshjes kërkon dy të tretat e votave në Parlamentin e Kosovës dhe partitë në pushtet ende nuk e kanë dërguar çështjen në Parlament nga droja se deputetë nga radhët e tyre, mund të votojnë kundër për shkak të pakënaqësive me procesin. Ndonëse të dyja palët bëjnë thirrje për një pajtim rreth kësaj çështjeje, deri tash nuk ka pasur asnjë përpjekje për krijimin e një konsensusi rreth saj. Analistët thonë se një shtytje mund t’i jap vizita e Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit Victoria Nuland këtë fundjavë në Kosovë. Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në qershor të vitit 2012 dhe propozimin katër vjet më pas, por qytetarët e saj edhe më tej janë të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës Shëngen, që përfshinë pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian.

Dialogu, peng i formimit të qeverisë së re të Serbisë

Formimi i Qeverisë së re të Serbisë është i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kanë thënë zyrtarë të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në Prishtinë, autoritetet qeveritare thonë se do të insistojnë që procesi të dinamizohet, sidomos në rrafshin e zbatimit të marrëveshjeve, duke adresuar fajin për ngecje te Beogradi zyrtar. Vazhdimi i dialogut në nivelin e lartë politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel mbetet i ndërlidhur me formimin e qeverisë së re të Serbisë. Radio “Evropa e Lirë” ka kontaktuar zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel, të cilët kanë deklaruar se data, agjenda dhe formati i takimit të ardhshëm mund të caktohen vetëm pasi që në Beograd të jetë formuar qeveria e re.  Ndërkohë në Prishtinë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se janë të gatshëm që të vazhdojnë dialogun, por duke insistuar se nuk mund të hapen tema të reja, pa u zbatuar fillimisht marrëveshjet e arritura. Valon Murtezaj, zëvendësministër i Jashtëm në qeverinë e Kosovës, ka thënë për Radion “Evropa e Lirë” se, janë të paktën tri marrëveshje të cilat Serbia nuk i ka zbatuar.
“Qeveria e Kosovës do të insistojë që të zbatohen marrëveshjet të cilat nuk janë zbatuar nga pala e Serbisë…e kam fjalën për telekomin, përkatësisht kodin telefonik për Kosovën, pastaj energjinë, si dhe lëvizjen e lirë mbi urën e Ibrit. Pra, këto janë tri momentet e mëdha për të cilat Kosova do të insistojë pa shkuar në hapat e mëtejmë në dialog”, ka deklaruar Murtezaj. Ndërsa po qëndron në një vizitë zyrtare në Londër për të diskutuar me autoritetet e atjeshme pas referendumit për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, diplomati Murtezaj ka thënë se nuk pret që në këtë rrafsh politikat e BE-së do të ndryshojnë diçka në dialogun aktual ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kurse në lidhje me ndryshimet në procesin e dialogut me Serbinë, Murtezaj ka thënë se në radhë të parë duhet të shtohet dinamika e zbatimit të marrëveshjeve.
Zvarritjet, sipas tij, janë pasojë e politikave të Beogradit. Në radhë të parë, Murtezaj thotë se Beogradi duhet t’i zhbëjë strukturat paralele që ka ngritur në komunat me shumicë serbe, si parakusht i domosdoshëm për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një prej marrëveshjeve kryesore të dialogut politik. “Zhbërja e strukturave paralele krijon parakushte për të ecur përpara. Po flasim për struktura paralele të cilat nuk i respektojnë institucionet e Kosovës. Ato, nganjëherë janë struktura paralele të dyfishta, pra edhe ndaj pushtetit qendror edhe ndaj komunave aktuale që qeverisen sipas votës së lirë, pra në komunat me shumicë serbe”, ka thënë Murtezaj. Ndërkohë, analisti, Arben Qirezi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë këmbëngulëse në kërkesat për zbatimin e marrëveshjeve dhe ndryshimin e formatit të dialogut.
Sipas tij, qëllimi i dialogut duhet të jetë eliminimi i ndikimit të Beogradit në Kosovë dhe shtrirja e sovranitetit të plotë të institucioneve të Kosovës në gjithë vendin, me theks të veçantë në komunat e banuara me shumicë serbe. Qirezi ka vlerësuar se deri më tani, dialogu nuk e ka zbehur ndikimin dhe rolin e Serbisë brenda territorit të Kosovës. “Rezultatet e këtij dialogu kanë qenë plotësisht në kundërshtim me synimet parimore të Kosovës, të cilat janë krijimi i një shteti stabil shumë-etnik, në të cilin serbët e Kosovës janë të integruar. Por, ajo çka po shohim ne prej vitit 2013 e këndej, në fakt nuk është integrim i serbëve të Kosovës, por ndarje edhe më e madhe si dhe thellim të rolit të Beogradit në Kosovë”, ka thënë Qirezi.
Në rrafshin global, dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po zhvillohet në kohën kur Bashkimi Evropian po përpiqet t’i çojë tutje politikat e zgjerimit, ndërkohë që Rusia po provon një shtrirje të ndikimit të saj në Ballkan, duke u mbështetur te aleatët tradicional, siç është Serbia. Arben Qirezi thotë se disa koncesione, që po i bën Kosova në këtë dialog, mund të ndërlidhen edhe me përpjekjet e Bashkimit Evropian që si synim kanë sigurinë rajonale, ku Serbia shihet si një faktor mjaftë i rëndësishëm. “Po shihet që Bashkimi Evropian e ka në rend të dytë stabilitetin e brendshëm politik të Kosovës. BE-ja më shumë mendon për stabilitetin rajonal dhe në këtë kontekst Serbinë e sheh si një aktor të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit evropian, pikërisht për shkak se Serbia është më e afërt me Rusinë”. “Natyrisht që duke e detyruar Kosovën të bëjë koncesione ndaj Serbisë, dëshiron që në këtë mënyrë ta mbajë Serbinë brenda binarëve të integrimeve evropiane”, ka thënë Qirezi.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Përmes këtij procesi është menduar që të arrihet deri te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve, si dhe të bëhet integrimi i komunitetit serb në kuadër të sistemit ligjor e kushtetues të Kosovës. Përparimet apo ngecjet në këtë dialog është thënë se do të diktojnë më pas dinamikën që do të ecin të dyja shtetet në proceset integruese evropiane.