Një Europian kuqezi

Një Europian si kurrë më parë, një Europian kuqezi. Një kompeticion i veshur me ngjyrat tona, në të cilën për herë të parë Shqipëria u bë protagoniste. “Euro 2016” në Francë ishte padyshim një arsye për të thënë “O Sa mirë me qenë shqiptar”, që ishte dhe moto e Kombëtares në këtë turne. Një muaj i plotë i përjetuar mes emocioneve të panjohura, por dhe një imazh ndryshe të ofruar nga shqiptarët, që spikatën në fushë me rezultatet sportive, por dhe në tribuna me tifozët, që u cilësuan si ndër më të veçantët e këtij muaji të futbollit.
Shqipëria padyshim arriti të lërë shenjë dhe në fushë, pavarësisht një fillimi emocionues me Zvicrën, apo dhe një rasti të humbur nga Gashi në fund. Një top që të gjithë do të kishim dëshiruar ta shikonim në fundin e rrjetës, por rastet në futboll dhe humbën. Gjithsesi një pikë kuqezinjtë e morën në tribuna, falë tifozëve kuqezi, por dhe hijeshisë së fanseve tona. Në Marsejë, fati na ndëshkoi në fund pas një tjetër ndeshje ku meritonim diçka më shumë. Në tribuna ndoshta nuk ishim të shumtë në numër, por vështirë se mund të ketë patur moment më emocionues për një shqiptar, në stadium sesa ai i këndimit të Kuq e Zi Je Ti në tribunat e Velodrome. Gjithsesi, Shqipëria, Europianin e saj e fitoi kur mundi në Lyon Rumaninë, me një bum bum të vërtetë si ai i Armando Sadikut.
Ky europian nuk mund të kuptohej si një europian dhe i shqiptarëve dhe pa pak vuajtje, dhe në fakt pritja 3 ditore për të mësuar nëse do të vazhdonim të qëndronim në turne ishte ndoshta pritja jonë më e vështirë, por ajo na dha megjithatë një dozë të panjohur emocionesh. Dhe pikërisht si pasojë e asaj pritjeje, tashmë po mendohet seriozisht që të rimodelohet deri diku dhe kompeticioni. Një tjetër arsye, për të cilën mund të themi se ky ishte Europiani ynë, ashtu siç ishte për tifozët, për imazhin e krijuar për shqiptarët, por dhe për transmetimin e drejtpërdrejtë në Austri, Itali dhe Francë që Digitalb mundësoi për miliona zemra kuqezi. Dhe sa i përket protagonizmit tonë, në këtë kompeticion, duhet thënë se në rrugën e saj drejt titullit, Kampionen e Europës, Portugalinë arriti ta mundë vetëm Shqipëria, në startin e eliminatoreve.
Ky padyshim ishte dhe Europiani ynë, ku ne fituam ndoshta diçka më të rëndësishme se trofeun, krenarinë për veten.
Jo vetëm fitorja historike e Portugalisë, befasia e dhuruar nga Uellsi debutues që u kualifikua deri në gjysmë finale, apo surpriza e bukur që mban emrin e Islandës. Euro 2016 ishte mbi të gjitha turneu i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Nga goli i parë i Gjermanisë, që mban firmën e Shkodran Mustafit, që i hapi rrugën fitores 2-0 të Gjermanisë përballë Ukrainës. Golat shqiptarë vazhduan me Zvicrën, fillimisht me Admir Mehmedin, që realizoi në barazimin 1-1 të helvetëve përballë Rumanisë në grup dhe më pas me supergolin e Xherdan Shaqirit në fazën e 1/8-ve ndaj Polonisë. E cilësuar gjërësisht nga opinioni si ekzekutimi më i bukur i vitit, rrjeta i shërbeu pak zviceranëve që u eliminuan pas penalltive.