Ngjarja e Dallasit, një tjetër sfidë për garën presidenciale

Edward Lewis

Si për të ndryshuar, Donald Trump ka qenë këtë herë model i përmbajtjes. Në vend që të ndizte gjakrat në rrjetet sociale, kandidati republikan përdori tonin e duhur pas vrasjes së 5 policëve në Dallas. Çdo amerikan duhet të jetë në gjendje të jetojë në siguri, tha ai – duke nënkuptuar edhe përfshirjen e zezakëve të vrarë nga policia. Tani është koha për unitet, lutje, dashuri dhe udhëheqje.
Fjalët e tij mund të ishin thënë nga Hillary Clinton apo Obama. Duke evokuar çdo ndarje racore në librin e madh – dhe shtuar disa faqe nga ana e tij – a mundet zoti Trump të kthejë një faqe të re? Amerika duhet të shpresojë që po. Në aspektin politik, 2016-a është një fuçi baruti raciale në pritje të një përballjeje. Nga çdo vlerësim i kthjellët, shoqëria amerikane është më e polarizuar në aspektin racial në fund të mandatit të zotit Obama se sa në fillim.
Njëqind ditët e para të presidencës së tij, 59 për qind e amerikanëve me ngjyrë thoshin se marrëdhëniet racore amerikane, ishin “në përgjithësi të mira”. Gjashtë muaj para se ai të largohet nga detyra, kjo shifër ka rënë në 34 për qind. Pjesa më e madhe e pesimizmit buron nga vala e të shtënave të policisë dhe ndikimi viral i incidenteve të regjistruara të filmuara. Por përbuzja me të cilin zoti Obama është trajtuar nga armiqtë e tij, padyshim që e ka ushqyer këtë perceptim. Dhe vështirë se mund të ishte ndryshe.
Asnjë President në historinë e SHBA nuk e ka pasur aq në pikëpyetje legjitimitetin e tij sa Barak Obama. Fushata e zotit Trump në vitin 2011 për ta detyruar zotin Obama të publikojë çertifikatën e tij të lindjes për të provuar se ka lindur në SHBA dhe jo Kenia, përfundoi vetëm pasi Shtëpia e Bardhë publikoi dokumentin e plotë. Por jehona e fushatës së zotit Trump, e përforcuar nga një turmë më e gjerë dyshuesish të Obamës, qe një nga arsyet e vendimit të tij për të kandiduar për President vitin e kaluar. Me fjalë të tjera, ajo qe një tullumbace, por sipas kultit të Trump ishte në fakt një sukses.
Megjithatë, doli të ishte vetëm një përsëritje e mërzitshme e sfidave për kredencialet e Obamës. Ato filluan shumë kohë para se ai të bëhej kandidat zyrtar i Partisë Demokratike në vitin 2008, kur dikush vuri re se nuk mbante flamurin kombëtar në jakën e xhaketës së tij. Kështu filloi legjenda se zoti Obama nuk e do Amerikën – dhe se ai ishte në të vërtetë antiamerikan. Rudi Xhuliani, ish-kryetari i Bashkisë së Nju York-ut, po fliste para shumë njerëzve vitin e kaluar, kur tha: “Unë nuk besoj se Presidenti e do Amerikën … Përndryshe ai do të ishte sjellë si unë dhe ju që e duam këtë vend”.
Ky është një qëndrim i përhapur në mënyrë të përsëritur nga opinionistët e “Fox News” dhe një kor i gjatë nga pas tyre. Njut Gingric, ish-kryetari i Kongresit, të cilin zoti Trump e cilëson si kolegun e tij presidencial, ka qenë ndër më të spikaturit. Në vitin 2012 ai e quajti Obamën “President të vulave ushqimore”, duke iu referuar rritjes së programit të asistencës së të ushqyerit për të varfërit.
Një nga elementët që spikat në deklaratën e zotit Trump mbi ngjarjet e Dallasit është se si disa nga mbështetësit e tij bien dakord. Në përgjigje të lëvizjes “Jeta e zezakëve ka rëndësi”, tashmë ka një fushatë “Jeta e uniformave blu ka rëndësi” në mbështetje të policisë. Një numër figurash republikane, duke përfshirë guvernatorin e Teksasit, kanë fajësuar për vrasjet pikërisht drejtuesit e lëvizjes së zezakëve, me arsyetimin se në protestat e tyre u kryen vrasjet.
Interneti është “përmbytur” nga tregime të shpikura se si grupimi nxit mbështetësit e tij për të sulmuar policinë. Në vend se ta shohë atë si një protestë civile të të drejtave të njeriut, ai e përshkroi si një lëvizje separatiste të zezakëve. Zoti Trump ka forcën t’i mposhtë këto ndjenja ose t’i nxisë ato më tej. Deri më tani ai është duke bërë gjënë e duhur. Por a do të vazhdojë kështu? Natyra e rritjes së zotit Trump sugjeron se ky do të ishte një bast i nxituar.
Por edhe nëse mban këtë sjellje të moderuar, zgjedhjet presidenciale të këtij viti po zhvillohen në sfondin e ndarjes më të thellë racore ndër vite. Gjithashtu këto zgjedhje do të jenë të parat që kur zoti Obama ishte një fëmijë për të përfituar nga miratimi i Ligjit për të Drejtën e Votimit i vitit 1965. Ai qe ligji historik që i dha fund një shekulli të ligjeve “Xhim Krau”, të cilat i mohonin të drejtën e votës elektoratit zezak në jug të SHBA-së.
Në vitin 2013, Gjykata e Lartë e SHBA hodhi poshtë elementet kryesore të ligjit. Që nga ajo kohë, 17 shtete, përfshirë shtete kyçe elektorale si Karolina e Veriut, kanë miratuar ligje të reja të ashpra të identifikimit të votuesve, çka në mënyrë disproporcionale do të pengonte pjesëmarrjen e zezakëve. Shumë ligje të tilla janë zbatuar që në vitin 2014, kur u regjistrua pjesëmarrja më e ulët në zgjedhjet e mesit të mandatit për në Kongres, që nga zgjedhjet përpara se të lindte Obama.
Në thelb, strategjia e Trump në nëntor do të jetë maksimizimi i pjesëmarrjes në zgjedhje të votuesve të bardhë dhe minimizimi i pjesës tjetër. Është joshëse të besosh se Amerika s’mund të kthejë kurrë prapa orën dramatike raciale që ka ndodhur gjatë jetës së Obamës. Por ky vit duket të jetë i keq për urtësinë konvencionale. Pak do të besonin se Britania mund të refuzonte të mirat e multikulturalizmit – një element ky kyç për prosperitetin e saj.
Akoma më pak do të besonin se një figurë si Trump mund të fitonte nominimin republikan.
Për ata që besojnë tek modeli i një shoqërie të hapur në SHBA, kthesa e saj kundër emigracionit ka qenë kthjelluese. Dy brezat e fundit, amerikanët dhe vendet e tjera perëndimore janë ushqyer në dietën e një progresi gjithnjë në rritje.
Ne po mësojmë në mënyrë të dhembshme se asgjë s’duhet të merret si e mirëqenë. Leksioni që vjen nga Dallasi është se, një udhëheqje e përgjegjshme është një domosdoshmëri. Britania duket se e ka humbur këtë të vërtetë themelore. SHBA po luan me të, nëse do të ndjekë apo jo shembullin e Londrës.