Mos i kërkoni hajdutët tek Ura e Tapizës

287

Bledi KASMI

Asnjë grabitës sado me imagjinatë dhe sado i sprovuar në ndërmarrje të tilla kriminale si ajo e djeshmja në Rinas nuk do të guxonte që ta çonte ndërmend se mund të grabiste paratë e bankave në pistën e një aeroporti ndërkombëtar, sepse aeroporti në kushtet e sotme është një vend i sigurisë së lartë për mbrojtjen e të cilit angazhohen të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit dhe institucionet, duke nisur nga policia, shërbimet sekrete dhe deri tek ushtria.
Në rast se një objekt i tillë grabitet njëlloj si një market lagjeje dhe hajdutët kalojnë nën hundën e policisë dhe nuk i hyn gjemb në këmbë, atëhere shteti ka rënë, sepse ka humbur besueshmëri tek ato institucione që paguhen me paratë e taksapaguesve për t’i mbrojtur ato.
Cilët grabitës do të guxonin të grabisnin paratë në pistën e një aeroporti ndërkombëtar? Grabitës të tillë bëhen të guximshëm vetëm kur planet e tyre nuk janë në fakt plane të tyre, por të shefave që i drejtojnë se ku duhet të godasin. Ata trimërohen vetëm kur garantët e tyre janë me pozita të forta në qeveri dhe i japin lejekalimin jo vetëm për të vepruar, por edhe për të mos u kapur.
Nga vrasja e Santos deri tek grabitja e djeshme duket se është e njëjta dorë për nga mënyra se si kryhet krimi dhe për nga lehtësitë si autorët largohen nga vendi i ngjarjes. Policia është gjithmonë aty, por jo për të vepruar, por për të mos vepruar. Hajdutët e djeshëm në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të këtij vendi mos i kërkoni tek Ura e Tapizës, hajdutin e keni në Ministrinë e Brendshme.
Sa kohë që ai nuk hetohet, as vrasësit e Santos nuk do të zbulohen, as hajdutët e Bankës tek Treni nuk do të zbulohen, as ata që grabitën milionat e eurove në furgonin në Laknas ndërsa po shkonte me para në Rinas nuk do arrestohen. Natyrisht, edhe ata të djeshmit mos shkoni aq larg ti kërkoni deri në Urën e Tapizës kur i keni kaq pranë, në oborrin e ministrisë së Brendshme.