Maskat plagosin me armë dy tregtarë në Fushë-Krujë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në një treg në Fushë-Krujë, ku dy persona me maska kanë sulmuar me armë zjarri dhe kanë plagosur dy vëllezër tregtarë. Burimet bënë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në tregun e Tapizës. Dy vëllezërit Hasan Ferhati 41 vjeç dhe Korab Ferhati 28 vjeç kanë zbritur nga automjeti i tyre tip “Benz” me targa TR 63 35 P, por papritur janë sulmuar nga maskat.
Sipas burimeve të policisë, dy vëllezërit nga Tirana kishin shkuar mëngjesin e djeshëm në tregun e Tapizës për të tregtuar misër. Sapo ata kanë filluar të nxjerrin mallin nga makina, papritur janë sulmuar nga dy persona të armatosur dhe të maskuar, të cilët u kanë kërkuar lekët. Vëllezërit nuk i janë bindur autorëve, të cilët kanë nxjerrë armët dhe i kanë qëlluar, duke i plagosur rëndë. Bëhet e ditur se, vëllezërit kanë marrë plagë të rënda në trup dhe në këmbë. Ata janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe sipas burimeve ndodhen në gjendje të rëndë.
Dy autorët e maskuar janë larguar në drejtim të paditur dhe pa mundur të realizojnë qëllimin, grabitjen e tregtarëve. Ngjarja ka krijuar frikë dhe panik edhe tek tregtarët e tjerë. Personat e maskuar janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, pasi është njoftuar nga banorët e zonës, por pa mundur të zbulojë autorët e sulmit ndaj dy vëllezërve tregtarë.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, policia bëri të ditur se, dy vëllezërit me inicialet K. F., 28 vjeç dhe H. F., 41 vjeç, banues në Tiranë, janë sulmuar nga grabitës të armatosur në tregun e Tapizës, në Fushë-Krujë. Për pasojë të plagosurit ndodhen në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën. “Me të marrë njoftimin Efektivat e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku po mbledhin provat e nevojshme, me qëllim zbulimin e shkaqeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Specialistët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Grabitjet me maska janë kthyer në një tmerr për tregtarët dhe drejtuesit e mjeteve në rrugët nacionale. Para disa ditësh maskat grabitën me dhunë pronarin e një aktiviteti tregtar lëndësh ndërtimi në Ishull Shëngjin. Tre persona të maskuar kanë grabitur me dhunë pronarin e aktivitetit F.K. dhe më pas janë larguar me një automjet. Në momentet që vëllezërit ishin duke shkarkuar ngarkesën nga makina, janë sulmuar nga tre grabitës të armatosur dhe me maska. Gjatë përleshjes, grabitësit kanë qëlluar me armë ndaj dy vëllezërve, duke i lënë të plagosur. Më pas ata janë larguar me shpejtësi. Policia nuk i ka identifikuar dot.
Po ashtu, një grabitje ka ndodhur në qytetin e Shkodrës para pak ditësh nga dy persona të maskuar. Maskat janë futur në një banesë në lagjen “Naim Gjylbegu” dhe pasi kanë dhunuar të zonjën e shtëpisë kanë grabitur një shumë parash. Në moment që personat e maskuar kanë hyrë në banesë, janë përballur me gruan që ndodhej aty me inicialet S. B., të cilën e kanë goditur me grushte disa herë. Pas kësaj, dy personat e maskuar kanë grabitur shumën prej 3 milionë lekë dhe janë zhdukur. Edhe në këtë rast, policia nuk ka arritur të zbulojë dhe arrestojë autorët e grabitjes. Ndërkohë, para pak ditësh maskat grabitën dy persona nga Kosova në rrugën e Kombit, ndërsa ata po udhëtonin me makinë.

R.POLISI