Maskat grabisin me armë bankën në mes të Vlorës, asnjë i ndaluar

Pas supergrabitjes të miliona eurove në Aeroportin e Rinasit, një tjetër bankë është grabitur dje nga maskat në qendër të qytetit të Vlorës. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme rreth orës 13:56. Tre persona të armatosur dhe me maska janë futur në filialin e Bankës Kombëtare në qendër të qytetit të Vlorës tek Sheshi i “Flamurit” dhe kanë ushtruar terror tek punonjësit dhe klientët. Bëhet e ditur se, pasi janë futur në ambjentet e bankës, tre personat e maskuar kanë neutralizuar dy rojet private duke i dhunuar dhe duke u marrë armët. Më pas, ata janë futur brenda në bankë dhe kanë hapur zjarr në ajër, duke terrorizuar punonjësit e bankës dhe klientët që ndodheshin brenda. Njëri nga maskat ka detyruar arkëtaren, duke i vënë armën në kokë që të dorëzojë të gjitha paratë. Bëhet e ditur se, maskat kanë arritur të marrin një shumë prej 50 mijë eurosh.
Pasi kanë bërë grabitjen, autorët kanë dalë nga banka, duke u larguar në rrugicat e zonës pa asnjë problem për policinë. Bëhet e ditur se, grabitësit kanë përshkuar një rrugë prej gati 30 metra në këmbë, ku i priste një automjet. Mësohet se për grabitjen është përdorur një automjet tip “Benz” 220 i bardhë.
Grabitësit, sipas dëshmitarëve ishin të veshur me uniforma kamuflazh dhe mbanin kapele. Policia është njoftuar nga punonjësit e bankës dhe ka shkuar menjëherë në vendngjarje, por pa arritur të zbulojë autorët. Policia e Vlorës bëri të ditur se, nuk ka pasur asnjë person të lënduar. Policia tha se, sapo ka marrë njoftimin ka ngritur disa pika kontrolli në akset kryesore hyrëse dhe dalëse të qytetit. Dhjetëra efektivë të Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Janë sekuestruar, ndërkohë pamjet e kamerave të sigurisë së Bankës si dhe të disa bizneseve përreth vendit ku ndodhi grabitja.
Vetëm në një vit maskat kanë kryer 4 grabitje, dhjetëra milionë euro nga bankat në rrugë, në aeroport dhe andej në Bankën e Vlorës. Të gjitha grabitjet janë kryer në mes të ditës, ndërsa në asnjë rast nuk janë kapur autorët.

Roja u neutralizua me pistoletë në kokë

Njësoj si në Rinas, grabitja e Bankës Tregtare në Vlorë zgjati vetëm pak minuta. Roja në derën e jashtme të godinës u neutralizua menjëherë nga një prej autorëve që i vendosi pistoletën në kokë. Tjetri, me një Kallashnikov në duar hyri në bankë dhe duke kërcënuar me armë punonjësit e bankës mori të gjitha paratë e arkës. Grabitësit, sipas dëshmitarëve ishin të veshur me uniforma kamuflazh dhe mbanin kapele. Burime nga Policia e Vlorës thanë se, nuk ka patur asnjë person të lënduar.
Policia e Vlorës ka dhënë detajet në lidhje me grabitjen e ndodhur në qendër të Vlorës. Burimet zyrtare thanë se, dy personat kanë qenë të veshur si ushtarakë, me rroba kamuflazhi. Ngjarja ka ndodhur në orën 13:56 minuta, kur 2 persona të paidentifikuar kanë vjedhur një Bankë të nivelit të dytë. Banka ndodhet pranë Sheshit të “Flamurit”.
Dyshohet se grabitësit mbanin të veshur rroba me kamuflazh dhe kapele me strehë. Ata kanë marrë nën kërcënimin e armëve, shumën e xhiros ditore, por ende nuk është e qartë sasia monetare e vjedhur.
Gjatë grabitjes nuk ka patur asnjë person të lënduar. Policia sapo ka marrë njoftimin ka ngritur disa pika kontrolli në akset kryesore hyrëse dhe dalëse të qytetit. Dhjetëra efektivë të Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Janë sekuestruar, ndërkohë pamjet e kamerave të sigurisë së Bankës si dhe të disa bizneseve përreth vendit ku ndodhi grabitja.

Terror dhe panik tek qytetarët gjatë grabitjes

Jo vetëm punonjësit e bankës, por edhe qytetarët që ndodheshin brenda dhe ata në rrugë janë terrorizuar nga maskat me armë. Për afro 10 minuta, punonjësit e Bankës në Sheshin e “Flamurit”, klientët si dhe kalimtarët në rrugë kanë mbetur të terrorizuar. Tre grabitës me maska kanë rrahur rojen e objektit, i kanë hedhur armën tutje dhe më pas kanë hyrë në filial, duke qëlluar me armë.
Një emigrante bashkë me dy fëmijët që po hapte një llogari bankare ka shpëtuar për pak nga vrasja, teksa grabitësit e kanë qëlluar pranë këmbëve me armë dhe i kanë marrë shumën prej 1 milion lekësh të rinj. Por situata është tensionuar edhe më shumë kur ka mbërritur makina e blinduar që transporton lekët e bankës. Grabitësit e armatosur kanë qëlluar në drejtim të makinës me kallashnikov dhe pistoleta. Burime jozyrtare pohojnë se edhe rojet e sigurisë janë kundërpërgjigjur, por duke qëlluar në ajër.
Disa momente më vonë, grabitësit janë larguar me një makinë tip “Benz”, të cilën e kanë braktisur rreth 800 metra më larg pranë një tjetër banke, punonjësit e së cilës të përfshirë nga paniku kishin mbyllur dyert. Banda e armatosur është zhdukur në këmbë në brendësi të lagjes dhe ndërsa e gjithë policia është ngritur në këmbë për kapjen e pjesëtarëve të saj. Nga hetimet paraprake rezulton se makina e përdorur për grabitjen spektakolare në mes të sezonit turistik, rezulton të jetë në pronësi të një emigranti, i cili ka denoncuar të dielën vjedhjen e saj.

R.POLISI