Low edhe në Botërorin e “Rusi 2018”

Do të vazhdojë të paktën deri në përfundim të Kampionatit Botëror “Rusi 2018” eksperienca e gjatë e Joachim Low në stolin e përfaqësueses gjermane. Pas eliminimit të kombëtares së “Pancareve” nga Franca në gjysmëfinalet e Euro 2016, e ardhmja e trajnerit kampion bote me Gjermaninë ishte në dyshim, por për të qetësuar tifozët e “Die Manschaft” ka menduar Federata gjermane e Futbollit, që ka bërë të ditur lajmin për qëndrimin e trajnerit 56-vjeçar në krye të ekipit përfaqësues. Pas një takimi që ka patur me presidentin e federatës, Reinhard Grindel, Joachim Low, i cili është në krye të Gjermanisë prej plot 10 vitesh ka pranuar që të qëndrojë në postin e tij deri në përfundim të Botërorit “Rusi 2018”.
56-vjeçarit iu desh të mendohej dhe të reflektonte për disa ditë pas eliminimit në Europian nga Franca, megjithatë në fund Joachim Low vendosi të vazhdojë aventurën e tij në stolin e kombëtares gjermane. Menjëherë pasi trajneri vendosi të zgjaste bashkëpunimin, presidenti i Federatës gjermane të Futbollit, Reinhardt Grindel deklaroi për mediat: Joachim Low është trajneri më i mirë për të drejtuar skuadrën tonë edhe në Botërorin “Rusi 2018”. Pas humbjes ndaj Francës ndeshjen e radhës, Gjermania e Joachim Low do ta ketë më 31 gusht ndaj Finlandës.