Kushtetuesja rrëzon qeverinë për pagesat e profesioneve të lira

Kryetari i Gjykates Kushtetuese Bashkim Dedja, anetaret Petrit Plloci, Vladimir Kristo, Altina Hoxhaj, Fatmir Hoxha, Admir Thanza, Xhezair Zaganjori dhe Vitore Tusha, gjate nje seance gjyqesore ne Gjykaten Kushtetuese, ku nuk eshte marre parasysh nje kerkese e PS, per pezullimin e prishjes se Piramides.

Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë në një vendim të saj për pagesat e avokatëve. Bëhet fjalë për pranimin e ankimimit të Dhomës së Avokatisë kundër qeverisë lidhur me ligjin për pagesat e sigurimeve shoqërore të anëtarëve të këtij institucioni.
Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.37, datë 21.01.2016 “Për përcaktimin e pagës mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit shëndetësor për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe punonjësit e papaguar që punojnë e bashkëjetojnë me të”. BIRN citon se vendimi, i cili u prit me protesta më herët këtë vit nga disa grupime profesionistësh, autorizonte Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të zbatonte paga referencë për llogaritjen e detyrimeve për sigurime shoqërore apo shëndetësore si dhe tatim mbi të ardhurat personale në përpjekje për të luftuar me masa afrofe evazionin fiskal të perceptuar nga individë të ndryshëm të profesionistëve të lirë, të cilët aludohen se deklarojnë të ardhura mujore minimale duke kryer evazion fiskal. Sipas vendimit 37 pagat referencë varionin nga 50 mijë në 88 mijë lekë në varësi të profesionit dhe qytetit ku ushtrohet profesioni. Një avokat në Tiranë detyrohej të paguante sigurime shoqërore dhe tatim mbi të ardhurat personale për pagën referencë të 73,800 lekëve ndërsa për avokatët e qyteteve të varfra, paga referencë ulej në afro 65 mijë lekë. Paga më e lartë referencë qe caktuar për programuesit e kompjuterëve, të cilët duhej të paguanin taksa për 89 mijë lekë pagë. Qeveria pretendoi gjatë kohës që debateve mbi këtë masë se pagat referencë të përcaktuara janë pranë realitetit të të ardhurave të profesionistëve, ndërsa avokatët dhe farmacistët protestuan duke argumentuar se masa të tilla janë të paligjshme. Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e pretendimeve të qeverisë dhe urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të vendimit në fjalë, i cili është një nga shumë masat e ndërmarra nga qeveria për të rritur të ardhurat buxhetore. Arsyetimi i vendimit të gjykatës nuk është bërë ende publik. Kjo është e disata herë që Gjykata Kushtetuese aktuale rrëzon masat e ndëmarra nga qeveria gjatë viteve të fundit si antikushtetuese. Në dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese pezulloi dhe më pas rrëzoinjë paketë masash të cilat parashikonin gjoba drastike tatimore në dëm të biznesit për shkelje fare të vogla. Sipas gjykatës, masat ndëshkuese të shtetit duhet të ruajnë parimin e proporcionalitetit me dëmin e shkaktuar nga shkelja e taksapaguesit. Qeveria aktuale nisi një fushatë të ashpërsimit të ndëshkimeve administrative dhe penale me argumentin se situata kishte dalë jashtë kontrollit në shumë drejtime dhe se masat ekstreme duhej të ndërmerreshin për të “bërë shtet”. Qeveria u kritikua vazhdimisht për shkelje të të drejtave të njeriut dhe përdorim eksesiv dhe të panevojshëm të dhunës ndaj qytetarëve.

Gjykata shfuqizoi ndryshimet e bëra në ligj nga qeveria

Vendimi i plotë i gjykatës:
“Shfuqizimin e nenit 4 të Ligjit nr. 143/2015 që ka ndryshuar nenin 9 të Ligjit nr. 9136, datë 11.09.2013 ‘Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë’ dhe VKM-së nr. 37, datë 21.01.2016 ‘Për përcaktimin e pagës mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit shëndetësor për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe punonjësit e papaguar që punojnë e bashkëjetojnë me të’”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 14.07.2016 shqyrtoi çështjen me palë:
Kërkuese: Dhoma Kombëtare e Avokatisë
Subjekte të interesuara: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Instituti i Sigurimeve Shoqërore
Objekti: 1. Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 4 të Ligjit nr. 143/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9136, datë 11.09.2013 ‘Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë’ vetëm në pjesën me të cilën është ndryshuar pika 1 e nenit 9 me këtë përmbajtje ‘Për kategori të veçanta personash, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale, përfshirë edhe punonjësit e papaguar të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, profesionet, paga për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit shëndetësor, nga paga minimale deri në pagën maksimale, caktohen nga Këshilli i Ministrave. Kriteret e përcaktimit të pagës, për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, mbajnë parasysh llojin e profesionit, numrin e të punësuarve, zonën ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, nivelin e të ardhurave në sektorin publik për profesione të njëjta ose të ngjashme, eksperiencën në profesion dhe statusin e profesionistit. Këshilli i Ministrave nxjerr vendim për zbatimin e këtij paragrafi’.
Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 37, datë 21.01.2016 ‘Për përcaktimin e pagës mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit shëndetësor për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe punonjësit e papaguar që punojnë e bashkëjetojnë me të’.
Pezullimi i zbatimit të nenit 4 të Ligjit nr. 143/2015 dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 37/2016 deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese, pasi analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesja, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjektet e interesuara, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore, bazuar në nenet 131/a dhe 134/f të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në Ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
Vendosi:
– Pranimin e kërkesës.
– Shfuqizimin e nenit 4 të Ligjit nr. 143/2015 që ka ndryshuar nenin 9 të Ligjit nr. 9136, datë 11.09.2013 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë” dhe VKM-së nr. 37, datë 21.01.2016 “Për përcaktimin e pagës mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit shëndetësor për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe punonjësit e papaguar që punojnë e bashkëjetojnë me të”.