Kthehet për rigjykim dosja e Dritan Dajtit, vrasësit të 4 policëve

Me vendim të Gjykatës së Lartë dosja e Dritan Dajtit i akuzuar për vrasjen e 4 policëve gushtin e vitit 2009 në Durrës, do të rigjykohet në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Vendimi është marrë paraditen e kësaj të mërkure ku është shqyrtuar ankimimi i Prokurorisë për vendimin e Apelit, dhjetorin e 2014. Me pretendimin se gjatë procesit kishte pasur shkelje të të drejtave themelore, Apeli i Krimeve të Rënda riktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë, e cila kishte dënuar Dajtin me 4 burgime të përjetshme.
Por Gjykata e Lartë i rrëzoi pretendimet e Apelit. Sipas Kolegjit Penal, kjo çështje duhet të shqyrtohet nga Apeli i Krimeve të Rënda. Sipas Apelit, gjatë shyrtimit në themel i janë shkelur disa të drejta themelore.
Apeli argumetoi se ai nuk ka patur një avokat gjatë gjyqit dhe disa seanca ishin kryer pa prezencën e tij. Për këto arsye, gjyqi i tij duhet të zhvillohej edhe njëherë po në Shkallën e Parë.
Vendimi i Gjykatës së Lartë rikthen edhe një herë një nga gjyqet më të gjata në historinë e gjykatave shqiptare. Shkallës së Parë iu deshën 276 seanca në 5 vjet për të dënuar Dritan Dajtin, 23 korrikun e 2014.