Kokoneshi i Divjakës kërcënon gazetarët për skandalin në plazh

Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi kërcënon gazetarët për shkak të publikimit të lajmeve për mungesën e investimeve në plazhin e Divjakës. Kokoneshi një i akuzuar për përfshirje në botën e krimit në Itali, duke qenë i zgjedhur i PS-së në Divjakë dhe me mbështetjen e madhe të deputetit Erion Braçe, ka vendosur që të kërcënojë median dhe t’i nxjerrë me dhunë gazetarët nga zyra e tij me anë të ushtarëve të tij. Kokoneshi është tërbuar nga kronikat për pakënaqësitë e pushuesve në plazhin e Divjakës dhe është hakmarrë me gazetarët.
Skandali është denoncuar ditën e djeshme nga gazetarja Anila Sefa, e cila prej vitesh punon si gazetare, duke mbuluar Lushnjën dhe Divjakën me kronika në televizionet kombëtare. Gazetarja shkruan se, Kokoneshi ka përdorur dy ushtarët e tij, Avdi Snalla dhe Arbër Çela për t’i nxjerrë gazetarët nga zyra.
“Fredi Kokoneshi, kryetar i Bashkisë Divjakë, është i nxehur marrëzisht me gazetarët pse bëjnë kronika televizive për plazhin. Ky njeri, kujton se është pronar i qytetit të tij, madje edhe i mediave.
Arrogant deri në kulm sa guxon të ngrejë zërin dhe të fyejë çdo gazetar që bën punën e tij, duke pasqyruar realitetin në plazhin e Divjakës. Vetëm një kronikë televizive në mediat kombëtare, pa shtuar dhe hequr asgjë nga realiteti i atij plazhi, ku pushuesit kërkojnë zhvillim, bëri që ky njeri si kokosh të kërcënojë gazetarët, duke i fyer dhe nxjerrë nga zyra. Pse ore arrogant, kujton se ashtu siç i je shitur politikës, janë të shitur edhe gazetarët? Harron se ka edhe të ndershëm dhe jo gjithmonë gënjejnë ashtu siç do ti.
Njerëzit e t’u analfabetë dhe të bindur verbërisht, Avdi Snalla dhe Arbër Çela, mund t’i përdorësh si ushtarë personal, por jo për të nxjerrë gazetarët nga zyra. Ajo karrige nuk të përket ty, sepse të gjithë e dinë sa djersë ke derdhur për ta fituar dhe jo merituar.
Një njeri si ty, që humb qetësinë kur flitet për të vërtetën e atij plazhi që e ke lënë të pisët, që nuk njeh mirësjelljen dhe edukatën, nuk mund të kuptoje mesazhin e kronikave televizive.
Përpara se të ngresh tonin e zërit ndaj mediave, bën mirë t’i futesh punës për rregullimin e atij plazhi të mrekullueshëm, që natyra i ka falur bukurinë, por që njerëz si ty po e shkatërrojnë”, shkruan gazetarja Anila Sefa, në profilin e saj në Facebook, ku denoncon kërcënimet dhe dhunimet e kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi.
Kokoneshi i proceduar në Itali për trafik prostitucioni
Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi ka patur procedim në Itali për trafik prostitucioni. Kryebashkiaku i Ramës në Divjakë, nuk e ka deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit. Ai është denoncuar publikisht nga ish-sekretari i PS-së së Divjakës, Bert Monja, i cili e ka akuzuar haptazi kryebashkiakun Kokoneshi si tutor prostitutash dhe është e habitshme që, Kokoneshi nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta paditur për shpifje.
Ish-sekretari i PS të Divjakës deklaroi se, Fredi Kokoneshi ka qenë tutor prostitutash në trotuaret e Milanos në vitin ‘95-‘96, ku ka patur një prostitutë nga Kombinati dhe ka deklaruar vetë se ka fituar 60 milionë lireta. Kokoneshi i ka dhënë prostitutës nga Kombinati 30 milionë lireta që të mos e denoncojë në Policinë e Milanos. Sipas ish-sekretarit të PS Divjakë, Fredi Kokoneshi është qëlluar me levë në kokë nga kushëriri i tij dhe ka qenë 21 ditë në gjendje kome në një spital të Milanos. Pas daljes nga spitali, policia italiane arreston kushëririn e tij dhe prostitutën nga Kombinati dhe ai detyrohet që të vijë në Shqipëri përgjatë gjithë natës.
Kokoneshi e ka fshehur procedimin e tij në Itali, duke mos e deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Para disa ditësh, banorët e Divjakës u ngritën në protestë para zyrës së tij duke i kërkuar që të japë dorëheqjen për fshehje të të shkruarës së tij. Po ashtu, Kokoneshi është paditur në Prokurori për aferën korruptive prej 800 milionë lekësh që ka ndodhur në Lagunën e Karavastasë. Sipas padisë së bërë në Prokurori të përfshirë direkt në këtë aferë korruptive janë kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi dhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe.