Kërcënimet ndaj gjyqtarit, Aliaj Tahiri në pyetje para prokurorëve

Organi i akuzës ka sekuestruar pamjet e konferencave në të cilat Ministri Tahiri shfaqet duke hedhur akuza ndaj gjyqtarit Aliaj, i cili vendosi pezullimin nga detyra të Haki Çakos, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në lidhje me skandalin e përgjimeve ilegale nga policia
Prokuroria do të thërrasë për të marrë në pyetje ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në lidhje me kallëzimit që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka bërë në adresë të tij. Tahiri akuzohet për kanosje të gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili firmosi masën e sigurisë për pezullimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të policisë Haki Çako dhe arrestin shtëpiak për dy vartësit e tij. Gjithashtu në pyetje do të merret edhe vet gjyqtari Aliaj. Tahiri dhe Aliaj pritet të thirren brenda kësaj jave ndërkohë ne lidhje me kallëzimin mësohet se organi qendror i akuzës i ka dërguar edhe shkresë disa televizioneve për të sekuestruar në cilësinë e provës materiale pamjet filmike të deklaratave që ministri ka bërë në adresë të gjyqtarit.
Vendimi i organit të akuzës vjen pas hetimeve te nisura nga prokuroria e përgjithshme pas kallëzimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndaj ministrit të Brendshëm. Kallëzimi po hetohet nga prokuroria e përgjithshme e cila pas verifikimeve ka nisur veprimet hetimore. Ndërkohë masat e sigurisë për cakton dhe dy zyrtarët e tjerë të policisë të akuzuar për shpërdorim detyre, u rrëzuan nga Gjykata e Apelit. Prokuroria e Përgjithshme ka sekuestruar sot pamjet filmike me zë dhe figurë të konferencave për shtyp të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit kur sulmonte gjyqtarin Arjan Aliaj.
Fill pas pezullimit nga detyra, me urdhër të prokurorisë, të kreut të Policisë së Shtetit Haki Çako (më pas ai u rikthye në detyrë) si dhe arrestimin e dy punonjësve të policisë për ‘shpërdorim detyre’, Tahiri akuzoi gjyqtarin Aliaj për dhënie të vendimeve të padrejta në lidhje me çështjen e pajisjes së përgjimit.  Sakaq, Tahiri nuk nguroi të risillte në vëmendje edhe çështje të tjera ku gjyqtar kishte qënë Arjan Aliaj. Ndërkohë, pritet që gjyqtari Aliaj dhe ministri Tahiri të merren në pyetje nga oficerët e organit të akuzës.
Me marrjen dhe administrimin e këtyre pamjeve filmike, Prokuroria do të vlerësojë nëse në deklaratat e ministrit Tahiri ka elementë të veprës penale të “kanosjes” ndaj gjyqtarëve, pasi në kallëzim Këshilli i Lartë i Drejtësisë pretendon se ministri me daljet e tij publike ka kanosur gjyqtarët dhe në veçanti gjyqtarin Arjan Aliaj. Deklaratat e ministrit, sipas kallëzimit, kanë fyer, denigruar dhe kanosur gjyqësorin në tërësi dhe në veçanti gjyqtarin Arjan Aliaj. Pasi ky i fundit, me kërkesë të Prokurorisë më 6 qershor të këtij viti, vendosi pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ky pezullim erdhi pas dyshimeve të ngritura nga Prokuroria për përfshirjen e drejtorit Çako në skandalin e përgjimeve. Prokuroria pretendoi se drejtori Çako ka konsumuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk administroi dhe procedoi sipas ligjit për aparaturën e përgjimit të hyrë në Shqipëri nga autoritetet e Interforcës italiane. Kallëzimi ndaj Tahirit erdhi pas reagimeve të shumta të gjithë njerëzve të drejtësisë, të cilët dënonin ashpër gjuhën fyese e denigruese të ministrit ndaj gjyqtarit. Veç shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka reaguar edhe KLD-ja, e cila e cilësonte të papranueshëm fjalorin e ministrit.

Deklaratat skandaloze të Tahirit

I prekur drejtpërdrejt nga skandali i përgjimeve, në kohën kur shumëkush mendoi se ministri i Brendshëm do të dorëhiqej, ai zgjodhi sulmin e dytë ndaj gjyqtarit që ia pezulloi vartësin Çako. Rreth orës 21.00, kur kishte mbaruar lumi i akuzave dhe kundërakuzave qeveri-drejtësi, një ditë pas pezullimit të Çakos më 8 qershor, Tahiri nisi sulmin ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj duke e fyer dhe kërcënuar atë. “Ky Aliaj është fytyra e vërtetë e gjyqtarëve të korruptuar në sistemin e drejtësisë. Përfaqësuesi më evident i korporatës së të korruptuarve dhe shërbëtorëve politikë që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka se detyrën e kanë dhuratë nga pushteti” është shprehur Tahiri për gjyqtarin Aliaj. “As në kohën e komunizmit vendimet e gjykatave nuk ishin paçavure, as në kohën e komunizmit gjyqtarët nuk ishin kështu. Flasim për gjyqtar që ka liruar vrasës e përdhunues, sot ka marrë vendim për arrest shtëpie dy oficerë policie me këto argument. Argument banale, për të bërë qokën politike të radhës. Vendimet më banale që mund të dilnin nga një gjykatë shqiptare” tha ai. Madje, Tahiri e ka cilësuar  sulmin e tij ndaj gjyqtarit si një betejë e cila sapo ka filluar. “Do i shkojmë deri në fund kësaj çështje. Do i publikojmë çdo argument skandaloz. Beteja sapo ka filluar” është shprehur Tahiri. Në kallëzimin e saj, KLD i cilësoi sulme të papranueshme, fyese dhe kërcënuese deklaratat e Tahiri, në adresë të gjyqtarit Arjan Aliaj, pasi për ta, ato bëhen për të intimiduar jo vetëm gjyqtarin Aliaj, por dhe trupën gjyqësore në tërësi.