Katër pyetje Ramës për krimin federal që heton FBI

Partia Demokratike i kërkoi dje Ramës të bëjë transparencën e burimit të 80 mijë dollarëve përmes të cilave ai arriti të bënte foton me Obamën në një takim elektoral të këtij të fundit në vitin 2012. Përmes një deklarate për mediat, sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma solli dje në vëmendje pyetjet që FBI i drejtoi Bilal Shehut në lidhje me hetimin e financimit të jashtëligjshëm të cilësuar si krim federal.
Duma i bëri thirrje Ramës të përgjigjet publikisht se kush është burimi i 80 mijë dollarëve, a janë para të ligjshme apo të paligjshme, a janë para droge dhe aktiviteti kriminal, si dhe a janë të pista paratë me të cilat ai pastaj financoi një tjetër krim, krimin federal për të cilin po heton FBI.
“Pyetjet kryesore që FBI i ka drejtuar Bilal Shehut, në lidhje me krimin federal të futjes së 80 mijë dollarëve nga një burim i huaj në fushatën e Obamës, kanë të bëjnë me Shtetasin e Huaj numër 2. Shtetasi i Huaj numër 2 i përfshirë në këtë krim të rëndë federal është Edi Rama, aktualisht Kryeministër i Shqipërisë. Po rendisim më poshtë dhe ju mund t’i shihni dhe në ekran pyetjet e FBI që lidhen me Shtetasin e Huaj numër 2, pra me Edi Ramën, që është përfituesi i krimit federal. Siç dihet, Bilal Shehu, i është përgjigjur pozitivisht gjithë pyetjeve dhe ai pritet të marrë dënimin në vjeshtë.
1. Gjatë ose rreth muajit tetor 2012, në distriktin e Nju Xhersit dhe gjetkë, a keni ndihmuar dhe nxitur me dijeninë dhe dëshirën tuaj individë të tjerë, duke përfshirë Shtetasin e Huaj 1, shtetas i Greqisë dhe Shtetasin e Huaj 2, për të kontribuar me rreth 80 mijë dollarë nga Personi i Huaj 1 dhe Kompania e Huaj 1 për një komision të përbashkët për mbledhje fondesh (më poshtë “Komisioni i Përbashkët për Mbledhje Fondesh”), i cili përfshinte komisionin e autorizuar të fushatës për Presidentin Obama?
2. Afërsisht gjatë muajit shtator 2012, a keni mësuar rreth një plani për të mundësuar Shtetasin e Huaj 2 që të merrte pjesë në një aktivitet fushate, që do të mbahej më 8 tetor 2012, në San Francisco të Kalifornisë (“Aktiviteti i San Franciscos për mbledhje fondesh”)?
3. Gjatë ose nga fundi i muajit shtator 2012, a mësuat gjithashtu se Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh do t’i jepeshin fonde prej rreth 80 mijë dollarë përpara 8 tetorit 2012, me qëllim që dy individë të merrnin pjesë në aktivitetin e San Franciscos për mbledhje fondesh në atë datë?
4. A mësuat gjithashtu se, për të hyrë në aktivitetin e San Franciscos për mbledhje fondesh, një jo shtetas që kërkon të marrë pjesë duhet të jetë i shoqëruar nga një shtetas amerikan?
5. A mësuat gjithashtu se, sipas ligjit amerikan, jo shtetasi nuk mund të jetë burim i një kontributi prej rreth 80 mijë dollarësh, që do të thotë se e tërë shuma prej 80 mijë dollarësh duhet të dhurohet nga shtetasi amerikan, që shoqëron të ftuarin joshtetas?
6. A ratë dakord të merrnit pjesë bashkë me Shtetasin e Huaj 2 në aktivitetin e San Franciscos për mbledhje fondesh, për të mundësuar kështu hyrjen në aktivitet të Shtetasit të Huaj 2 përmes statusit tuaj si shtetas amerikan?
7. A ratë dakord gjithashtu të shërbenit si kontribues i shumës prej 80 mijë dollarësh për Komisionin e Përbashkët për Mbledhje Fondesh, pra të pranonit fonde prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj, të cilat do t’ia jepnit pastaj Komisionit të Përbashkët, duke bërë që të dukej sikur ky ishte kontribut i juaji personal?
8. Gjatë ose nga fundi i muajit shtator 2012, a i dhatë një tjetër individi në SHBA emrin, datëlindjen dhe informacionin tuaj personal, si dhe atë të gruas suaj, me dijeninë se këto informacione do t’i jepeshin Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh, në pritje të pjesëmarrjes suaj në aktivitetin e San Franciscos?
9. A i dhatë të njëjtit individ informacionin e llogarisë suaj bankare, duke e ditur se ky do të përdorej për transferimin e rreth 80 mijë dollarëve, nga një burim i huaj tek llogaria juaj personale, që ju kishit rënë dakord t’ia kalonit pastaj Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?
10. Gjatë ose nga fundi i muajit shtator 2012, a morët një shumë prej rreth 80 mijë dollarësh, me transfertë elektronike, në llogarinë tuaj bankare në Nju Xhersi nga llogaria e Shtetasit të Huaj 1, duke e ditur se këto nuk ishin para që ju takonin dhe që ju do t’ia dorëzonit Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?
11. Në ose rreth datës 29 shtator 2012, ndërsa ishit në Nju Xhersi, a i përdorët ju dhe gruaja juaj këto 80 mijë dollarë për të blerë dy çeqe bankare në emrin tuaj dhe të gruas suaj për 70 mijë dhe 10 mijë dollarë?
12. A ia dërguat ju më pas këto çeqe Komisionit për Mbledhje Fondesh për të siguruar hyrjen në aktivitetin e San Franciscos për veten dhe për Shtetasin e Huaj 2?
13. Në fillim të tetorit 2012, a shkuat ju me avion në San Francisco, ku shoqëruat Shtetasin e Huaj 2 në vendin ku do të mbahej aktiviteti për mbledhje fondesh?
14. A iu mohua Shtetasit të Huaj 2 hyrja në aktivitetin e San Franciscos për mbledhje fondesh, por iu lejua të bënte fotografi me Presidentin e Shteteve të Bashkuara?
Siç e shihni, në 14 pyetjet kyçe të FBI, Shtetasi i Huaj numër 2, përmendet në pjesën dërrmuese të tyre. Ndërkohë Shtetasi i Huaj numër 2 nuk jep asnjë shpjegim ku i gjeti paratë, nga i mori, cili është burimi i tyre. Shtetasi i Huaj numër 2, pra Edi Rama, hesht edhe pse mediat më të rëndësishme ndërkombëtare kanë publikuar këtë skandal, e kanë treguar atë me gisht, i kanë publikuar dhe foton e krimit.
Por Shtetasi i Huaj numër 2, pra Edi Rama, ka detyrimin të përgjigjet publikisht për këtë krim të rëndë.
Kush është burimi i 80 mijë dollarëve?
A janë para të ligjshme apo të paligjshme?
A janë para droge dhe aktiviteti kriminal?
A janë të pista paratë me të cilat ai pastaj financoi një tjetër krim, krimin federal për të cilin po heton FBI?
Sa më shumë i fshihet këtyre pyetjeve, aq më shumë rëndohet pozita e Shtetasit të Huaj numër 2, aq më shumë rriten përmasat e skandalit të Edi Ramës që e nisi rrugën e ardhjes me krim, e vazhdoi me krim dhe po e mbyll me krim”.

FBI kërkon marrjen në pyetje të Ramës

Një gabim trashanik që mund t’i kushtojë karrierën politike mund të konsiderohet ai që Edi Rama ka bërë në vitin 2012, kohë kur përmes financimeve të dyshimta ai ka disbursuar 80 mijë dollarë për të siguruar një foto me Presidentin e SHBA-së, Barack Obama. Burime për Syri.net kanë bërë me dije se, me kërkesë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe pas denoncimit të depozituar nga PD, Prokuroria e Përgjithshme pritet të marrë në pyetje vetë kryeministrin Edi Rama për të dhënë shpjegime për atë që në SHBA konsiderohet si një krim federal e që ka të bëjë me financimin e parave me burime të panjohura në një fushatë të federale, ashtu siç është edhe ajo për zgjedhjet presidenciale. Edi Rama pritet të merret në pyetje si një njeri që ka dijeni për ngjarjen dhe duhet të dëshmojë se nga e kanë burimin  80 mijë dollarë që janë paguar për fushatën presidenciale të Barack Obamës dhe që më pas falë pagesës së kësaj shume, Edi Rama asokohe lideri i opozitës ka arritur të sigurojë një biletë për të marrë pjesë në takim ku ishte i pranishëm edhe Barack Obama, dhe një foto me të. Ai që e ka zbardhur skemën e financimit të paligjshëm në fushatën presidenciale ka qenë shqiptaro-amerikani Bilal Shehu, i cili pritet të dënohet me burg në New Jersey, pasi ka pranuar se ka marrë pjesë në këtë krim federal.