Karlo Ançeloti prezantohet te Bayern Munich

Te Bayerni i Mynihut nis një erë e re nën drejtimin e një emri të njohur të trajnimit botëror si Carlo Ançeloti. I qetë dhe me një gjermanishte të rrjedhshme, italiani u shpreh entuziast për aventurën e tij të re tek bavarezët. Por, përpara se të fillonte të fliste për planet e tij tek kampionët e Gjermanisë, 57-vjeçari bëri një analizë të shkurtër në lidhje me europianin dhe në veçanti për takimin midis Francës dhe Gjermanisë:
“Personalisht jam i mendimit se atë takim e fitoi Franca, sepse arriti të shënonte gol, jo sepse arritën të tregonin ndonjë nivel loje. Deri në momentin e penalltisë ekzistonte vetëm një skuadër në fushë dhe momenti i penalltisë i dha një tjetër rrjedhë takimit. Kam folur dhe me Thomas Muller, më vjen keq që nuk arriti të shënonte, por i kam thënë të qëndrojë i qetë dhe të bëhet gati për fazën parapërgatitore”, u shpreh Ançeloti.
Më tej, Ançeloti zbuloi dhe prapasekenat e bisedimeve mes tij dhe drejtuesve të klubit gjerman. Italiani deklaroi se marrëveshja u arrit pa shumë pengesa. “Pata një telefonatë me Rummenigge dhe tha që më duhet një trajner dhe unë iu përgjigja, duke i thënë se më duhet një skuadër. Mjaftoi vetëm kaq, që unë të bëhesha pjesë i Bayern Munchen. Kur u largova nga Reali Madrid, doja që të nisja një aventurë të re këtu, pasi e ndjeja që Guardiola në fund të sezonit do të largohej. Pas Trapatonit jam italiani i dytë që do të stërvisë këtë skuadër dhe jam shumë i lumtur për këtë”, tha trajneri i ri i Bajernit. I qartë, i qetë, i vendosur dhe shumë i relaksuar. Carlo Ançeloti nis aventurën e tij të re. Ai dëshiron ta rikthejë klubin në nivelet më të larta europiane, ndërsa Bayerni i Mynihut është gati të ndjekë idetë e tij.