Kaos dhe luftë në Dallas, 5 policisë të vrarë dhe 6 të plagosur

341

Pesë policë u vranë dhe 6 të tjerë u plagosën të enjten mbrëma në qytetin jugor amerikan Dallas të shtetit Teksas, gjatë një tubimi proteste kundër asaj që shihet gjerësisht si përdorim i tepruar force nga policia ndaj dy afrikano-amerikanëve në Minesota dhe Luiziana.
Policia u kërkoi demonstruesve që të largoheshin nga zona në të cilën po qëllohej me armë, jo shumë larg nga vendi ku në vitin 1963 u vra Presidenti John Kennedy. Një person që ndodhej aty në kohën e të shtënave me armë e përshkroi skenën si “kaos i plotë”.
Shefi i policisë në Dallas tha të premten në mëngjes se tre të dyshuar janë arrestuar, ndërsa i dyshuari i katërt është vrarë. Në një deklaratë për gazetarët, shefi i Policisë, David Brown tha se i dyshuari i katërt u vra, pasi hodhi veten në erë gjatë konfrontimit me policinë. Shefi i policisë tha se në fjalët e tij të fundit, ai kishte shprehur revoltim për vrasjen e afrikano-amerikanëve nga policët dhe se donte të vriste shtetas të racës së bardhë. Ai kishte aluduar se do të ketë vdekje të tjera nga mjete plasëse të vëna në qytet. Autoritetet në Dallas kanë dërguar ekipe speciale për zbulimin dhe detonimin e bombave, por nuk kanë gjetur gjë.
Në komentet për shtyp, kryebashkiaku i Dallasit, Mike Rawlings u shpreh se ishte një ditë e dëshpëruar. “Kur themi se policët tanë vënë jetën në rrezik çdo ditë nuk është ekzagjerim, është në fakt realitet”. Në komentet që bëri në Varshavë, Presidenti Barak Obama i dënoi sulmet, duke i cilësuar një kujtesë e dhembshme e sakrificave që bëjnë përditë policët për të garantuar sigurinë e popullatës: “U bëj thirrje të gjithë amerikanëve të luten për këta policë dhe familjet e tyre, t’i mbajnë në mendjet e tyre. Si komb, të shprehim të gjithë mirënjohjen tonë të thellë për djemtë e vajzat tona në uniforma blu, jo vetëm sot, por çdo ditë”.
Policia thotë se snajperët hapën zjarr mbi policët gjatë demonstratës që po zhvillohej mbrëmë për të protestuar vrasjet e dy afrikano-amerikanëve këtë javë nga policia, një në Minesota dhe një në Luiziana.
Dy vrasjet janë incidentet më të fundit në vrasje të bujshme të afrikano-amerikanëve nga policë, që shihen si shembuj të përdorimit të tepruar të forcës policore ndaj pakicave.
Presidenti amerikan, Barack Obama, këto vrasje i ka cilësuar si tragjike. “Të gjithë ne si amerikanë duhet të jemi të shqetësuar nga këto të shtëna, pasi ato nuk janë incidente të izoluara. Ato janë shenjë e një kompleksi të gjerë të pabarazive, që ekzistojnë në sistemin tonë gjyqësor penal”, tha Barack Obama.