Monitorim apo përcaktim?

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje se propozimi hibrid në lidhje me Reformën në Drejtësi largon palët nga arritja e një marrëveshjeje. Në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Basha shprehu mbështetjen unanime të deputetëve demokratë mbi propozimin e bërë nga PD, propozim që respekton rekomandimet e Komisionit të Venecias.  Kreu i PD theksoi rëndësinë e faktit s enuk mund të ketë kompetenca kushtetuese pa pasur llogaridhënie kushtetuese ndaj dhe he këtu, citoi Basha, Venecia është fare e qartë: monitorim nga ndërkombëtarët. Kreu i PD citoi Komisoinin e Venecias ndërsa tha se Reforma në Drejtësi duhet të vijë përmes konsensusit dhe marrëveshjes me opozitën. Basha sqaroi se ajo që kërkon PD është një reformë sipas Venecias ku roli i monitoruesve ndërkombëtarë është i fortë dhe jo i dobët.
“Deputetët janë njohur me propozimin e PD-së jo për të rrëzuar, por për të pranuar dhe çuar drejt përfundimit pjesën kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Diskutimi ka përfunduar në një qëndrim unik, unanim të grupit në mbështetje të propozimit tonë. Propozim, i cili në thelb ka Komisionin e Venecias, asnjë kërkesë shtesë dhe asnjë hapërdarje tjetër.  Në këtë propozim PD inkorporon 95% të propozimit hibrid me të cilin jemi njohur të shtunën. Kemi diskutuar edhe me znj. Nuland, e cila ma përshkroi si propozimin e Lu dhe Vlahutin dhe shprehëm shqetësimin tonë për mosreflektimin e vërejtjeve të Venecias sa i përket rolit të Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Dhe kjo jo për hesap të ndërkombëtarëve, por për hesap të kapjes politike me atë që e kam thënë gjithmonë, me duart e padukshme.
Jo sepse Partia Demokratike ka një mosbesim ndaj faktorit ndërkombëtar. Sepse në fakt Partia Demokratike dhe unë personalisht, siç mund të dëshmojnë të gjithë ata e në veçanti faktori ndërkombëtar që nga dita e parë kemi thënë që nuk do të ketë votë të opozitës për këtë reformë në qoftë se nuk ka Mision Ndërkombëtar të Monitorimit. Jemi ne, pra që kemi vënë në lëvizje dhe kemi mbështetur dhe mbështesim kompetencat më të gjera dhe më të pakufizuara të Komisionit Ndërkombëtar të Monitorimit, por jo kompetenca kushtetuese dhe as kuazikushtetuese. Për një arsye të thjeshtë, që e ndava edhe me bashkëbiseduesen të dielën, edhe me bashkëbiseduesit e tjerë drejtpërdrejtë apo në telefon dhe dua ta ndaj sot me qytetarët shqiptarë. Nëse diçka nuk shkon mirë apo shkon tmerrësisht keq ku ta drejtojë gishtin qytetari shqiptar? Te Kryeministri i Finlandës, tek Kryeministri i Zvicrës? Nuk mund të ketë kompetenca kushtetuese pa pasur llogaridhënie kushtetuese. Dhe këtu Venecia është fare e qartë: monitorim dhe Partia Demokratike është fare e qartë, monitorimin më robust, më të fuqishëm të mundshëm, por jo ndërtimin e perdeve, alibive apo kthesave ku projekti i Reformës në Drejtësi mund të përplaset me interesat e Edi Ramës.
Dhe shembulli është i qartë: Si u zgjodhën anëtarët e grupit të ekspertëve të lartë për Reformën në Drejtësi? A nuk është kjo një përbërje moniste? Dhe këtu nuk e kam për kredencialet e tyre profesionale, shumicën prej tyre i vlerësoj si juristë. Por me emër dhe mbiemër ata përfaqësojnë një krah politik, atë të Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës. Unë për këtë nuk fajësoj faktorin ndërkombëtar, ndonëse kjo çoi në dështimin e dy drafteve edhe me përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë, siç konfirmoi Venecia. Sepse nuk mund të fajësoj dhe nuk mund t’u kërkoj ambasadave të huaja të verifikojnë opinionet, kahjet politike të personave. Venecia e ka thënë qartë, kjo arrihet përmes pluralizmit në vendimmarrje, pra pranisë së opozitës që garanton po kështu edhe pluralizmin e mendimit në çdo trupë që do të marrë përsipër Reformën në Drejtësi, sigurisht sipas kritereve.
Ndryshe nga gënjeshtrat që tha sot Kryeministri, dua t’u konfirmoj së pari se Partia Demokratike jo vetëm nuk e ka refuzuar, por e konsideron propozimin hibrid një hap larg marrëveshjes për Reformën në Drejtësi. Dhe hapi që duhet të përmbushet është sjellja në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias të rolit të Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit duke e fuqizuar dhe jo duke e dobësuar atë. Së dyti, dua të konfirmoj vullnetin tim dhe të Partisë Demokratike për të arritur një marrëveshje brenda një kohe sa më të shkurtër, duke qenë se kjo është çështja e vetme parimore përsa i përket draftit kushtetues, ndërkohë që kam udhëzuar ekspertët tanë të marrin në shqyrtim 7 ligjet me qëllim që paketa e plotë të jetë gati pa vonesë. Vullneti ynë është përtej çdo pikëpyetje.
Ne duam Reformën në Drejtësi të votohet pa asnjë vonesë dhe kjo edhe për një arsye të thjeshtë. Sepse është kthyer në një jorgan, në një alibi të jashtëzakonshme për Edi Ramën për të stopuar dhe ndaluar llogaridhënien për krimin që është ulur këmbëkryq në aeroporte, banka e qendra qytetesh, për korrupsionin që po bën kërdinë dhe për varfërinë e skajshme e papunësinë që janë efektet e tmerrshme dhe të drejtpërdrejta të keqqeverisjes së Edi Ramës. Ndaj, rinovoj sot bashkë me vullnetin dhe përkushtimin e Partisë Demokratike dhe timin, edhe autorizimin e plotë për negociatorët tanë dhe kërkojmë nga z. Rama që përtej muhabeteve që i shfrytëzoi vetëm e vetëm për të bërë politikë më 6 qershor, të autorizojë njerëzit e tij. Jemi shumë afër marrëveshjes e në veçanti duke qenë se formula që ne kemi propozuar sot është mot-a-mot formula që ai propozoi më 8 korrik, e zezë mbi të bardhë”.

PD, e hapur për vijimin e negociatave

– Z.Basha, ambasadori amerikan është shprehur i zhgënjyer nga ju…
Ambasadori amerikan ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ne jemi në kushtet e një aleance strategjike për të cilat unë kam dhënë në të kaluarën, sot e do vazhdoj të jap edhe nesër në detyrën time të ardhshme kontributin tim. Sepse besoj fort në një Shqipëri euroatlantike dhe në një Shqipëri pro amerikane. Miqtë flasin hapur me njëri-tjetrin, edhe kur bien dakord dhe kur nuk bien dakord. Dhe do të vazhdojmë të flasim hapur.
– Mos është në kundërshtim me rekomandimin 61 të Komisionit të Venecias apo me ambasadorin?
Çështja e Gjykatës Kushtetuese është një çështje që meriton debat. Askush nuk ka thënë që propozimi ynë është i shkruar mbi gur. Negociatat le të vazhdojnë. Ne jemi të hapur për këtë çështje. Ekspertët tanë besojnë se përfshirja e Gjykatës Kushtetuese është në përputhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Por jemi të hapur për mendime të tjera dhe mirëpres vazhdimin e negociatave. Sikundër, dua të ndaj me ju edhe vlerësimin e ambasadorit amerikan për aspekte të veçanta të propozimit tonë, në veçanti të detajimit të kritereve për Vetingun. Pra, ky është një proces negociatash. Mos jetoni me drama. Ne japim dhe do të japim kontributin tonë. Nganjëherë marrim vlerësimin e merituar, nganjëherë marrim vlerësimin e pamerituar, por asnjëherë nuk e marrim personalisht.