Historia e “Tv Beratit” që Rama e bleu me 110 mijë eurot e deputetit Kosta

Një nga akuzat e ish-deputetit socialist, Vladimir Kosta drejtuar Ramës në lidhje me financimin e një televizioni në Berat me jo pak, por 110 mijë euro tregon mënyrën se si Rama blen dhe ka nën kontroll mediat sot. Nga akuza e ngritur nga vet deputeti i tij, Kosta, i cili vetëm tre ditë më parë dha dorëheqjen nga grupi i PS, merret me mend se pazaret e Ramës me mediat e tjera, e veçanërisht ato të rëndësishme kapin shifra marramendëse. Mediat kanë zbardhur dje se si Rama bleu përmes parave të deputetit Kosta televizionin në fjalë. Rama i kërkoi deputetit të PS të investonte 110 mijë euro për një televizion që s’kishte kurrëfarë rëndësie dhe audience. Sinjali i këtij televizioni, sot tërësisht i falimentuar mbulonte një pjesë të qytetit të Kuçovës ndaj dhe rëndësia e audiencës së tij ishte e papërfillshme ndaj dhe për Ramën për mini-audiencë e papërfillshme për nga impakti në opinionin publik, mund të kushtonte 110 mijë euro. Letra e bërë publike dje e deputetit të Partisë Socialiste, Vladimir Kosta drejtuar kreut të partisë Edi Rama bëri bujë për gjuhën që përdorte politikani në adresë të kryeministrit. Në sy ranë etiketimet e ndryshme që deputeti i larguar prej ditës së djeshme nga PS, ka bërë karshi personave të tjerë. Në letër flitej edhe për një shumë të madhe lekësh, 110 mijë euro që deputeti Kosta, thotë se ia ka paguar një personi në Berat, duke e etiketuar atë si ‘jevgu i Beratit’. Ja si thotë Kosta: “Kam investuar mund, djersë dhe para për Partinë Socialiste, Berat, Poliçan në 2009. Për një kërkesë tënden i pagova 110 mijë euro televizionit të atij jevgut të Beratit. Ma kërkove me ngulm në një kafene të Beratit, po s’e kujtove, pyet Tikun”, shkruan Kosta në letër. Burime për agjencinë e lajmeve “BalkanWeb”, pohojnë se, personi që mendohet se ka marrë 110 mijë euro dhe i etiketuar nga Kosta si ‘jevgu i Beratit’ është Naun Shtrepi, një personazh kontrovers lokal, i cili prej dy vitesh ndodhet emigrant në SHBA. Mësohet se, Shtrepi është i pari pronar i një tv-je lokal në Berat, ndërsa kohë më parë ka pasur në pronësi ‘Tv Beratin’, një televizion modest dhe gati i falimentuar në atë kohë. Po sipas këtyre burimeve, në 2009 u fol se deputeti Fidel Ylli ishte investitori i këtij televizioni në pajisje dhe teknologji. Mirëpo, nga kjo dëshmi e Kostës, del se paska qenë dikush tjetër. Në atë periudhë ‘Tv Berati’ u vendos dhe mori mjaft hapësira në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”. “Vendim për dhënie licence për televizionin vendor privat “Tv Berati” subjektit Naun Shtrepi. Në mbështetje të Ligjit Nr.8410, datë 30.9.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, rregullores “Mbi procedurat e licencimit të operatorëve privatë radio e televizivë”, të miratuar me vendimin nr.176, datë 18.9.2003 të KKRT-së, të zonave e frekuencave të lira të shpallura publikisht në muajin mars, si dhe të vendimit të KKRT-së nr.337, datë 20.5.2005, Këshilli Kombëtar i Radios dhe i Televizionit vendosi: 1. T’i japë subjektit fizik z.Naun Shtrepi, licencë, duke e autorizuar të funksionojë si operator televiziv vendor privat, në fushën e transmetimeve analogjike tokësore, për një periudhë prej 3 vjetësh nga data e hyrjes në fuqi të kësaj licence, për të mbuluar me sinjal rrethin e Beratit. 2. Në aneksin e licencës jepen kushtet e licencës, ku përfshihen struktura programore, zonat e mbulimit, kushtet teknike dhe tarifat. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare” thuhej në vendimin e KKRT për hapjen e “Tv Beratit”.  Sakaq, u investua në teknologji, kamera dhe pajisje të tjera, etj., projekt i cili nuk zgjati shumë. Bëhet e ditur se Shtrepi, në atë kohë, ia shiti dikujt tjetër ‘Tv Beratin’. “Edhe pronari i ri për një kohë të gjatë mbajti vijën editoriale të PS. Mirëpo investimi ishte i destinuar të falimentonte. Kështu që Tv-ja pati fatin jo të mirë” pohuan burimet. Në një reagim të tij dje, Shkëlzen Berisha ironizoi ngjarjen në fjalë. “Nuk paskeshim parë gjë akoma. Dëshmia e deputetit të PS Vladimir Kosta se me urdhër të Rames i ka dhënë 110 mijë euro “jevgut” të Beratit ishte thjesht shokuese. Më pas mendova, i paskemi rënë në qafë kot. Ky kur i jep 110 mijë euro njërit në Berat, foton me Presidentin e Amerikës, për 80 mijë dollarë, e paska kapur gratis”, shkruan Shkëlzen Berisha në reagimin e tij.